Ndërlidhjet

Pavarësia nuk zgjodhi problemet më të mëdha të kosovarëve - papunësinë dhe varfërinë. Edhe pas një viti, gjendja e tyre vazhdon të mbetet e njëjtë, vlerësojnë autoritetet kosovare. Megjithatë, ata theksojnë se problemet ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbeten sfidë për institucionet e Kosovës gjatë viteve në vazhdim.


Zyrtarë kosovarë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se përkundër përpjekjeve të bëra, edhe një vit pas pavarësisë gjendja ekonomike dhe sociale e qytetarëve të Kosovës vazhdon të mbetet e papërmirësuar.

Berat Rukqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se simbolikisht dhe në aspektin formal, pavarësia e ka pasur rëndësinë e vet. Megjithatë, sipas tij, disa aspekte zhvillimore, të cilat lidhen me rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik, kanë ngecur.

"Edhe pas pavarësisë nuk janë bërë ndryshime të mëdha. Nuk ka pasur efekte bombastike në zhvillimin ekonomik, mirëpo së paku, në aspektin psikologjik dhe procedural, nuk kemi më arsye që të themi se nuk e kemi statusin e zgjidhur dhe kjo është arsye që nuk kemi zhvillim", thotë Rukiqi.

Vlerësimet e fundit të Odës Ekonomike të Kosovës dhe institucioneve qeveritare flasin se që nga shpallja e pavarësisë ka pasur krijime të vendeve të reja të punës, por që nuk kanë qenë të mjaftueshme për zbutjen e papunësisë.

Zoti Rukqi thotë se duhet të veprohet në krijimin e kushteve më të favorshme për investime, qofshin të vendit apo të huaja, të cilat, siç thotë ai, do ta dinamizojnë aktivitetin ekonomik.

"Për të krijuar vende të reja të punës, të cilat ndikojnë në uljen e varfërisë, jo që duhet të kemi vetëm rritje ekonomike 8 për qind, mirëpo duhet të tentojmë që kjo rritje të jetë 10 apo 11 për qind, në mënyrë që të zvogëlohet numri i të papunëve", thotë ai.

Shkalla e papunësisë në Kosovë vlerësohet të jetë prej 39-43 për qind, ndërkaq numri i të papunëve, sipas të dhënave zyrtare, konsiderohet të jetë mbi 300 mijë persona, ndërsa po të shikohet sipas strukturës gjinore, meshkuj janë 53 për qind, ndërsa femra 47 për qind.

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Gjergj Dedaj, thotë se që nga 17 shkurti i vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë, e deri më sot, janë shënuar progrese të dukshme në zbutjen e papunësisë, por që mbetet shumë për t'u bërë.

"Ky ishte një vit jo vetëm historik, por një vit që po hap vizionin dhe mundësinë që Kosova të ecë drejt zhvillimit ekonomik", thotë zëvendësministri Dedaj, duke shtuar se problemet ekonomike dhe sociale do të mbesin sfidë për institucionet e Kosovës.

Ndërkohë, ekspertë për çështje ekonomike thonë se të gjitha pritjet e qytetarëve se brenda një viti gjithçka do të rregullohet, kanë qenë të gabuara, pasi që për një periudhë të shkurtër kohore nuk mund të zgjidhen problemet, të cilat janë akumuluar me vite.

Muhamet Mustafa, ekspert për çështje ekonomike, vlerëson se në Kosovë kanë filluar disa gjëra të shkojnë në drejtim të duhur. Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka një program më cilësor të investimve publike dhe lexim më të suksesshëm të tyre.

"Mund të vlerësohen pozitivisht investimet publike në infrastrukturën rrugore dhe në arsim, por edhe shumë gjëra të tjera kanë mbetur për t'u përmirësuar. Qeveria duhet të ketë politika dhe projekte konkrete për krijimin e një fryme më të mirë ekonomike", thotë ai.

Ndryshe, shkalla e lartë e varfërisë për dekada të tëra, sipas hulumtimeve të bëra nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, konsiderohet të ketë pasoja edhe për të ardhmen e shoqërisë, frymën dhe funksionimin e familjes, edukimin e rinisë dhe ndikon në hapjen e rrugës për krimin e organizuar, etj.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG