Ndërlidhjet

logo-print

Serbët shpallin "të pavlefshme" pavarësinë


Mitrovicë

Mitrovicë

I ashtuquajturi Kuvend i Komunave të banuara me serbë, miratoi sot një deklaratë, me të cilën pavarësia e Kosovës shpallet e "pavlefshme". Në kuvend qenë të pranishëm edhe deputetë të Kuvendit të Serbisë dhe disa ministra të Qeverisë serbe.


Derisa njëvjetori i pavarësisë u festua në anë të ndryshme të Kosovës, në veriun e banuar me shumicë serbe, i ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe, përmes një deklarate, ka shpallur të pavlefshme dhe jolegale pavarësinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e dala pas saj.

Në këtë Kuvend që u mbajt në Zveçan, pjesëmarrës kanë qenë edhe deputetë të Kuvendit dhe ministra të Qeverisë serbe, ardhjen e të cilëve e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Komunave Serbe, Radovan Niçiq, ka lexuar deklaratën, në të cilën, përveç tjerash, garantohet, siç thuhet, sovraniteti dhe integriteti territorial i shtetit serb. Deklarata vë në pah se mbështet Rezolutën 1244, sipas së cilës, Kosova mbetet pjesë e Serbisë.

"Miratojmë deklaratën e konfirmimit të statusit kushtetues të Kosovës në Serbi dhe hedhjes poshtë të të gjitha akteve të njëanshme dhe separatiste të institucioneve të përkohshme në Prishtinë mbi pavarësinë e krahinës", ka lexuar pjesë të deklaratës Radovan Niçiq.

Deklarata nuk njeh as Kushtetutën e Kosovës, të fuqizuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa i bëhet thirrje Qeverisë serbe që të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë shtetet që njohën pavarësinë e Kosovës.

Po ashtu kërkohet që Qeveria serbe të komunikojë në Kosovë vetëm me UNMIK-un dhe KFOR-in - si dy misione që parashihen me Rezolutën 1244.

Në të njëjtën frymë kanë qenë edhe përfundimet e nxjerra nga Komisioni për Kosovën i Kuvendit të Serbisë, i cili në shenjë simbolike kundër festimeve të pavarësisë, mbajti një seancë pune në Zveçan.

Ky komision kërkon nga Qeveria e Serbisë, që me veprime të ashpra diplomatike në institucionet ndërkombëtare, të këkrojë respektimin e së drejtës ndërkombëtare, të pamundësojë shkeljen e Rezolutës 1244 dhe të kërkojë respektimin e të drejtave të njeriut dhe atyre kombëtare në Kosovë.

Ndër të tjera, komisioni ka kërkuar unitet mes forcave në Serbi që të luftojnë për ta mbajtur Kosovën në Serbi.

Në Zveçan sot ishte edhe ministri për Kosovën i Qeverisë serbe, Goran Bogdanoviq.

"Ky është rast që të prezantohet uniteti i komunitetit serb, sepse vetëm me një unitet të tillë mund t'i përballojmë problemet, me të cilat serbët dhe joshqiptarët tjerë ballafaqohen sot. Në kuptimin politik, kjo deklaratë ka domethënie dhe u dërgon mesazhe të qarta serbëve në Kosovë, komunitetit ndërkombëtar dhe shqiptarëve, që Serbia dhe populli serb nuk dëshirojnë shkëputjen e një pjese të territorit të saj", tha Goran Bogdanoviq.

Ndryshe, situata e sigurisë në veriun e Mitrovicës ka qenë e qetë dhe, sipas autoriteteve të rendit, nuk ka indikacione për përkeqësim të saj.

Policia e Kosovës, sikurse edhe ajo e EULEX-it, ka shtuar praninë në lagjet e përziera etnikisht, në mënyrë që të evitohen provokimet e mundshme me rastin e festimeve për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se ardhja e deputetëve dhe ministrave nga Serbia nuk ka ndikuar në gjendjen e sigurisë.

"Ardhja e zyrtarëve nga Serbia sigurisht që nuk është çështje policore; më shumë është një manovrim politik, por është me rëndësi që prania e tyre këtu nuk ka paraqitur përshkallëzim të situatës, apo tensionim. Është me rëndësi të theksohet se edhe pjesa e manifestimit publik këtu në jug të Mitrovicës, po shkon në rregull, situata e përgjithshme e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll", tha Hoti.

Ndërkohë, Komisioni Parlamentar për Kosovën i Kuvendit të Serbisë po mban një takim në Zveçan, përmes të cilit thuhet se do dëshmohet lufta që po bën Serbia për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Ndryshe, kryeministri Hashim Thaçi, duke iu referuar paralajmërimeve për takimet e sotme, ka thënë dje se Beogradi ende ka mbetur në mentalitetin e kremtimeve të humbjeve që pëson vazhdimisht.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG