Ndërlidhjet

SHBA: Mbetemi në Kosovë


"Do të mbetemi në Kosovë për aq sa kosovarët të kenë nevojë për ndihmën tonë", ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguide.




Shtetet e Bashkuara i kanë uruar Kosovës njëvjetorin e pavarësisë.

"SHBA-të e urojnë popullin e Republikës së Kosovës në kremtimet me rastin e njëvjetorit të shpalljes historike të pavarësisë", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Gordon Duguide.

"Gjatë vitit të kaluar, Kosova ka punuar për forcimin e institucioneve demokratike dhe zbatimit të planit të të dërguarit special të OKB-së dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari, përfshirë garancat e forta kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe trashëgimisë së tyre historike dhe kulturore", tha Duguide.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit gjithashtu i vlerësoi edhe njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

"Pesëdhjetë e katër vende nga çdo kontinent e kanë njohur Kosovën, përfshirë dhe shumicën dërrmuese të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe OSBE-së",
tha Duguide, duke vlerësuar pozitivisht qëndrimin e shtetit të Kosovës ndaj pranisë ndërkombëtare.

"Si shtet i pavarur, Kosova e ka mirëpritur dhe është koordinuar efektivisht me misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit - EULEX, me NATO-n, me Zyrën Civile Ndërkombëtare dhe me përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, sistem unik dhe transparent të shtetit ligjor, si dhe institucione tjera të demokracisë moderne dhe shumetnike evropiane", tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Në konferencën për shtyp në Uashington, Duguide foli edhe për arsyet e pranisë së SHBA-ve në Kosovë.

"Ne jemi atje, sepse atje ka probleme historike, dëshmitarë të të cilave kemi qenë të gjithë, dhe të cilat shumica nga ne i kuptojnë. Dhe, këtë shtet nuk do të mund ta ndërtojmë për një periudhë të shkurtër kohore. Sidoqoftë, nëse e krahasojmë me situatën para 10 vjetëve, mendoj se nuk ka fije dyshimi se Kosova sot është shumë më stabile dhe ndodhet në rrugën e demokracisë shumetnike", tha Gordon Duguide.

"Ne do të mbetemi në Kosovë për aq sa kosovarët të kenë nevojë për ndihmën tonë", përfundoi zëdhënësi i Departatmentit të Shtetit.
XS
SM
MD
LG