Ndërlidhjet

CSM: "Kosova e pavarur përballet me realitete të reja"


"Christian Science Monitor"

Rrugëtimi i gjatë i Kosovës për pavarësinë përfundoi një vit më parë, me fishekzjarre, me një intepretim filharmonik të himnit kombëtar, me festa për flamurin e ri dhe për Kushtetutën – dhe me ndjenjën e madhe të çlirimit tek 95 për qind e popullatës shqiptare nëntë vjetë pasi NATO-ja i dha fund përfundimit të spastrimi etnik nga ana e serbëve.

Edhe ditëlindja e parë e shtetit ishte një kremtë e madhe: rrugët ishin mbushur me familjarë që përshëndetnin njëri tjetrin në temperaturat e ftohta. Deri më tash, 54 shtete, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe shtatë nga tetë vendet anëtare të G8-ës, kanë njohur Kosovën vitin e kaluar, duke përçuar kështu një ndjenjë më të madhe sigurie dhe duke i dhënë fund jetës në amulli.

Diplomatët thonë se mësimi kryesor që është nxjerrë në 12 muajt e fundit ka të bëjë me atë çfarë nuk ka ndodhur në këtë shtet të vogël të Ballkanit.

Në kohën kur Kosova dhe Perëndimi tejkaluan Rusinë dhe Serbinë dhe mbështetën pavarësinë, kjo tokë e kontestuar u cilësua atëbotë si epiqendra e një lufte të re të fothtë. Të shumtë ishin ata që parashikuan një luftë të re dhe jostabilitet, valë të re refugjatësh nga dhjetë enklavat serbe dhe një domino efekt në synimet secesioniste.

Përveç sulmit që ndodhi kundër Kombeve të Bashkuara marsin e kaluar në Mitrovicë, më e keqja është shmangur. “Asnjë nga parashikimet e tmerrshme nuk është realizuar dhe kjo është e arritur e madhe”, thotë një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara.

Beogradi “nuk ka ndërhyrë shumë”, thotë Jacques Rupnik nga “Sciences Po” në Paris, sepse Serbia, nën udhëheqjen e presidentit Tadiq synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe “katastrofa e paralajmëruar nuk ndodhi”.

Megjithatë, euforia e çlirimit tash ka marrë trajtën e një këndelljeje të shpresave dhe shqetësimeve tek kosovarët dhe realiteti i ri tani ka dalë në sipërfaqe.

Vendi përballet me një nivel prej 40 për qind papunësie, korrupsion masiv, rivalitete të hidhura politike, reduktime të vazhdueshme të ujit dhe rrymës dhe kriticizëm të ashpërsuar mbi misionet ndërkombëtare si arrogante, të painteresuara dhe në nevojë për reformim.

”Për dhjetë vjetë, ne e kemi lidhur secilin problem me statusin. Kemi menduar se pavarësia do t’i thjeshtësojë gjërat”, thotë Shpend Ahmeti, udhëheqësi i Institutit për Studime të Avansuara.

“Kjo nuk ka ndodhur. Pavarësia vetëm sa ka zhvendosur bllokadën mendore tek kosovarët. Tani në çdo sondazh, prioritet nuk është më statusi, por vendet e punës. Kemi lëvizur nga mbijetesa tek zhvillimi dhe prosperiteti si një domosdoshmëri e madhe të cvilën nuk e kemi ende”, thotë zoti Ahmeti.

“Gjërat janë relaksuar paksa, por jo aq shumë”, thotë Agron Bajrami, editor në të përditshmen “Koha Ditore”. “Për një person mesatar, ka të bëjë me jetën nesër, me jetën sot”.

Në enklavat e banuara me serbë, kryesisht në veri të Mitrovicës, serbët nuk festonin përvjetorin. Beogradi nuk e njeh Prishtinën si kryeqytetin e shtetit të ri. Dhe në dhjetëvjetëshin e findit, serbët e Kosovës nga të qenit të pasur në një pakicë të varfër.

Disa kosovarë, siç është botuesi Migjen Kelmendi, thotë se shqiptarët duhet të kuptojnë se serbët tani ndihen të viktimizuar. “Shqiptarët po përjetojnë një formë lirie, të cilën e kemi ëndërruar me vjetë. Por, nuk e kemi kuptuar ende dhe s’mund as ta imagjinojmë se çfarë janë duke përjetuar serbët. Për ta, ky është një makth. Cështja është se a do të mundemi ne të ndërtojmë një shtet të bazuar mbi vlerat qytetare? ”.

Përgjigja tani duket se është jo. Në nëntorin e kaluar, në Prishtinë është zhvilluar një debat kundërthënës mbi planin gjashtë-pikësh të hartuar nga shefi i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon.

Plani ia lejon administratës serbe strukturat paralele nëpër enklava. Plani është disenjuar për të ruajtur paqen – por de facto kundërshton Kushtetutën e re dhe planin Ahtisaari, bazën e pavarësisë së Kosovës dhe shihet si një hap drejt ndarjes së Mitrovicës.

Shumëkush në Kosovë ka përshtypjen se komuniteti ndërkombëtar përpiqet të ruajë një stabilitet afat-shkurtër, në kurriz të interesave afat-gjatë të Kosovës.

“Komuniteti ndërkombëtar e ka prezantuar gjithë rrëfimin e Kosovës si etnik, në kohë kur po bëhet një rrëfim i zhvillimit ekonomik”, thotë zoti Ahmeti. “OKB-ja dhe BE-ja duhet të qëndrojnë këtu, por të lëvizin nga grante, transferet, asistenca dhe mikromenaxhmenti në ndihmë thelbësore për zhvillim të vërtetë ekonomik”.

Albin Kurti, një kritik i pranisë së Kombeve të Bashkuara, thotë se rëndësia që ndërkombëtarët i kushtojnë etnicitetit është e disenjuar për të menaxhuar krizën midis grupeve që jetojnë pranë njëri tjetrit. Por, ajo për të cilën kemi nevojë tani, thotë ai, është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë bashkërisht në një Kosovë.

“Në vend të universales, Kombet e Bashkuara janë duke shtyrë edhe më tej diversitetin. Ato në fakt e ruajnë diversitetin – në kohën kur ekziston nevoja për të motivuar serbët të na bashkohen”.

Dhe ndërkohë që kosovarët përpiqen të ndërtojnë shtetin, çështja e korrupsionit është ngritur me ritëm të shpejtë shpejtë.

Sistemi i mafias në Kosovë është aq jashtë kontrollit, aq i integruar në strukturat e shoqërisë - pjesërisht për shkak të nevojës për një ekonomi nëntoke nën regjimin Millosheviqit - sa që disa gazetarë thonë se asnjë problem nuk është më i madh se ky.

Me zhbërjen e misionit të Kombeve të Bashkuara në dhjetorin e vitit të kaluar, zyrtarë të tij thonë se kanë dorëzuar tek misioni evropian rreth 2 mijë dosje të dokumentuara mirë mbi rastet e aktiviteteve të paligjshme.

Një nga vendimet kryesore që do të merren është edhe kontrata shumë e vonuar për një termocentral të ri, i cili pritet t’i sigurojë Kosovës rrymë për dekadat e ardhshme. Rajoni është i pasur me linjit dhe thëngjill.

Kosova tani operon me një termocentral 40 vjeçar; reduktimet e rrymës janë të përditshme. Kjo çështje është mjaft e rëndë – meqë vendorët fajësojnë komunitetin ndërkombëtar për një vonesë prej nëntë vjetësh.

Termocentrali, që pritet të ketë një kapacitet prej 2, 000 megavatësh, është çelësi kryesor për ndërtimin e cilësdo industri. Katër kompani të mëdha tani janë në garë për të ndërtuar këtë fuqi prej 2.47 miliardë eurosh, që mund të ofrojë rrymë për gjithë rajonin.

Dhe përkundër këtyre problemeve me të cilat përballet Kosova, Chris Hall, presidenti i Universitetit Amerikan në Kosovë, thotë se ndalja e dhunës është një mrekulli e vogël. “Gjyshi im në Angli gjithmonë pyeste: Kur vjen pranvera, a do të ketë telashe në Ballkan? Këtë vit mendoj se mbase mund të themi se nuk do të ketë telashe”.
XS
SM
MD
LG