Ndërlidhjet

Prania e Beogradit në veri - mesazh për Prishtinën


Mitrovicë - Ura qendrore

Mitrovicë - Ura qendrore

Pjesëmarrja e zyrtarëve të Serbisë në të ashtuquajturin Kuvend i komunave serbe dhe miratimi i deklaratës për shpalljen e pavlefshme të pavarësisë së Kosovës, nga zyrtarët kosovarë shihet si provokim dhe pjesë e politikës serbe për ta prezantuar çështjen e Kosovës si të pazgjidhur.


Prania e përfaqësuesve të institucioneve të Serbisë në pjesën veriore të Kosovës në njëvjetorin e pavarësisë, nga Prishtina shihet në dy dimensione politike.
E para, si vazhdimësi e politikës serbe që për qëllim ka edhe konsumin e brendshëm politik për të justifikuar vetveten në raport me humbjen e Kosovës, dhe e dyta, si mesazh për institucionet e Kosovës se në atë pjesë, shteti kosovar nuk funksionon.

Përfaqësues të Qeverisë, por edhe ata të opozitës, e cilësojnë praninë e deputetëve dhe të ministrave të Serbisë në organin, që vetën e quan Kuvend i komunave të banuara me serbë, si vazhdimësi të politikës serbe ndaj Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, duke e përsëritur dhe qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, thotë se ky veprim i autoriteteve të Beogradit paraqet një politikë për konsum të brendshëm.

Qeveria e Kosovës
“Është edhe një tentim i dëshpëruar i Republikës së Serbisë për të manipuluar opinionin e vet dhe serbët e Kosovës. Na vjen keq që po vazhdon tradita e Serbisë për t'i festuar ditët e humbjeve të tyre të mëdha. Megjithatë, Kosova po ecën rrugës së vet përpara dhe Serbia, pavarësisht se çfarë do të bëjë, nuk do të mund ta ndalë në këtë rrugë”,
tha Memli Krasniqi.

Pjesëmarrja e zyrtarëve të Serbisë në Kuvendin serb, ku është aprovuar dhe një deklaratë, me të cilën pavarësia e Kosovës shpallet e “pavlefshme”, nga opozita në Prishtinë shihet edhe si sinjal për institucionet e Kosovës, se ajo pjesë mbetet jashtë kontrolli.

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, njëherësh anëtar i Kryesisë së Kuvendit, Ibrahim Gashi vlerëson se veprimet e fundit të Beogradit në përvjetorin e pavarësisë kanë disa dimensione. Mes tjerash, thotë Gashi, me një veprim të tillë dëshmohen edhe një herë aspiratat serbe për pjesën veriore, të cilën pretendon ta shkëpusë nga Kosova.

“Provokimet që po ia bën Serbia shtetit të Kosovës në atë pjesë të territorit, janë për ta sfiduar funksionimin e shtetit të Kosovës atje, në atë masë saqë faktori ndërkombëtar dhe ai rajonal të binden se atje shteti i Kosovës nuk do të ketë qasje asnjëherë, prandaj më mirë ta zgjidhim tash, sesa më vonë”, vlerëson Gashi.

Deputeti Ibrahim Gashi thotë se është shqetësues fakti se ky sfidim do të vazhdojë edhe më tutje. Ai beson se vetëm bashkëveprimet e kosovarëve me praninë ndërkombëtare do të mund t'i ndalnin këto provokime.

Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, thotë se ky ishte një veprim për konsum të brendshëm, që është në harmoni me deklaratën e presidentit Tadiq, me të cilën mëtohet të mashtrohet opinioni dhe populli serb se Kosova nuk është shtet.

Por, njëkohësisht, thotë Arifi, është edhe një sinjal për Prishtinën që të ndërmarrë veprime urgjente që ta kthejë këtë pjesë nën sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës
“Është edhe një mesazh që reflekton se në pjesën veriore nuk ka Kosovë, sepse aty nuk ka institucione të Kosovës, se aty nuk funksionon ligji i Kosovës dhe është një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet ta kryejnë punën e vet dhe ta bëjnë të mundur që Kosova ta shtrijë shtetësinë e saj në tërë territorin e saj
”, thekson Avni Arifi.

Ndryshe, përderisa më 17 shkurt, në gjithë Kosovën u kremtua njëvjetori i pavarësisë, në tri komunat veriore, përfshirë edhe pjesën veriore të Mitrovicës, strukturat lokale serbe, të grumbulluara në institucione paralele të mbështetura nga Beogradi zyrtar, përmes një deklarate, shpallën në formën e tyre të pavlefshme dhe jolegale pavarësinë e Kosovës dhe të gjitha institucionet e dala pas saj.

Sidoqoftë, ky veprim, nga Prishtina, pos që shihet si provokim ndaj sovranitetit, shihet edhe si pretendim i hapur territorial i Serbisë ndaj veriut të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG