Ndërlidhjet

logo-print

S'ka stabilitet politik pa zhvillim ekonomik


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Kosova, sipas ekspertëve të ekonomisë, po vuan nga një ekonomi e brishtë dhe nga një papunësi e madhe. Kjo gjendje, sipas tyre, do të mund të destabilizojë Kosovën edhe në aspektin politik.



Në vitin e dytë të funksionimit si shtet, zhvillimit ekonomik të Kosovës, sipas ekspertëve të kësaj fushe, duhet t'i kushtohet kujdes i madh.

Me një papunësi prej mbi 40 për qind dhe shkallë të varfërisë prej 45 për qind, perspektiva për një të ardhme më të mirë duket e zbehtë në sytë e kosovarëve. Eksperti Musa Limani alarmon se trazirat nuk do jenë të largëta, nëse vazhdojnë trendet negative të zhvillimit ekonomik.

"Deri më tani, problemin social e kanë ndaluar disa situata politike, që kanë qenë shumë më të mëdha, siç ishte pavarësia e Kosovës. Përndryshe, nëse shpërthen problemi social, të jeni të bindur se nuk ka forcë që mund ta ndalë", shprehet Limani.

Mosrritja ekonomike, sipas analistëve për çështje të ekonomisë, do të lëkundë edhe stabilitetin aktual politik. Shpend Ahmeti, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara - GAP, rekomandon që Qeveria t'i menaxhojë më mirë pritjet e qytetarëve.

"Gjithmonë po marrim mesazhe se situata në Kosovë është e mirë, se ka rritje ekonomike, se po përmirësohet situata. Në fakt, ajo po përmirësohet, por me hapa shumë të ngadalshëm. Edhe nga shpallja e pavarësisë, njerëzit kanë pritur shumë dhe kanë menduar se të gjitha problemet do të zgjidheshin brenda natës. Prandaj, është dashur që më mirë t'u komunikohet qytetarëve se punët janë keq, që kemi nevojë për reforma dhe të fillojmë procesin e vështirë të reformave", pohon Ahmeti.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë, publikoi prioritetet strategjike, sipas të cilave synohet krijimi i mundësive për investime kapitale, që do të sillnin vende të reja pune - modernizimi i infrastrukturës së Kosovës, ngritja e nivelit të arsimit dhe përmirësimi i sistemit shëndetësor.

Por, këto pika, sipas ekspertëve të ekonomisë, lënë për të dëshiruar, meqë ende nuk shihet të marrë formë strategjia e zhvillimit ekonomik. Kështu që, sipas Musa Limanit, nuk ka një ndalesë të trendeve negative ekonomike, derisa kriza globale ekonomike pritet që shumë shpejt ta godasë edhe Kosovën.

"Këto trende mund të ndalen; që të hartohet strategjia e zhvillimit ekonomik - për ta bërë këtë duhen ekspertët, që do t'i hartonin instrumentet e politikës së zbatuar ekonomike, të cilat do t'i riorientojnë trendet negative në trende pozitive. Por, për fat të keq, unë do të thosha se qeveritë e deritashme, si edhe ajo aktualja, nuk kanë bërë gjëra të tilla", u shpreh Limani.

Në raportin e fundit të Paralajmërimit të Hershëm të UNDP-së vihen në pah brengat e qytetarëve, te të cilët është në rritje pesimizmi ekonomik, derisa 77 për qind janë të gatshëm të protestojnë për arsye ekonomike. Shpend Ahmeti shfaq drojën se kjo pakënaqësi mund ta destabilizojë Kosovën politikisht.

"Po e shohim se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, prioriteti kryesor për qytetarët është gjendja ekonomike dhe papunësia. Nëse kjo vazhdon dhe nuk ka zgjidhje afatmesme apo afatshkurtër, mund të rezultojë në pakënaqësi më të madhe të qytetarëve, e mund të rezultojë edhe me trazira sociale. Prandaj, është me rëndësi që të ketë reforma dhe zhvillim ekonomik, që kjo të mos na ndodhë", theksoi Ahmeti.

Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, vlerësohet të jetë prej 39-43 për qind. Ndërkaq, sipas Bankës Botërore, 18 për qind e popullsisë në Kosovë rrezikohet nga varfëria, ndërsa vlerësohet se rreth 15 për qind e popullsisë jeton në varfëri të skajshme, do të thotë janë njerëz që e kanë të vështirë t'i plotësojnë nevojat e tyre themelore për ushqim.
XS
SM
MD
LG