Ndërlidhjet

logo-print

Kriza globale ndikon në zotimet e donatorëve


Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, 11 korrik 2008.

Pamje nga Konferenca e Donatorëve për Kosovën, 11 korrik 2008.

Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës shpresojnë që gjatë vitit 2009, të gjitha mjetet e premtuara nga Konferenca e Donatorëve, do të mund të derdhen në Kosovë. Megjithatë, ata vlerësojnë se ky proces është paksa i ndërlikuar dhe që merr kohë.


Kryeshefi i Agjencisë për Koordinim, Zhvillim dhe Integrime Evropiane, Edon Cana, thotë se përgatitjet për derdhjen e këtyre mjeteve në Kosovë, janë në proces e sipër. Ai potencon se aktualisht ende janë në fazat fillestare të tërheqjes së këtyre donacioneve.

"Ne nuk e kemi datën e saktë, por brenda gjashtë muajve të ardhshëm do të mbahet forumi i lartë dhe pastaj procesi do të kalojë në një fazë të re dhe ajo fazë është kur të hollat do të jenë të gatshme për investime konkrete", thotë Cana.

Zoti Cana thekson se këto donacione, të cilat pritet që të derdhen në Kosovë, gjithashtu do të ndihmojnë në përshpejtimin e procesit për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian.

"Nuk do të kemi një investim jokoordinues, por do të kemi investim sektorial nëpër fusha që ne mendojë që janë më të rëndësishme", thotë Cana.

Në anën tjetër, Hajdar Korbi, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, thotë se Kosova gjatë vitit 2008 ka nënshkruar disa marrëveshje protokollare me Gjermaninë, Zvicrën, Suedinë dhe Holandën, ndërkaq gjatë vitit 2009 paratë e premtuara nga Konferenca e Donatorëve do të fillojnë të derdhen në Kosovë.

"Një fond tjetër, i cili mendohet të shfrytëzohet për shërbimin e borxheve të jashtme, të cilat potencialisht Kosova mund t'i trashëgojë në të ardhmen, është bërë me nënshkrimin e një marrëveshjeje me Departamentin e Shtetit Amerikan dhe Bankës Botërore dhe ato fonde tanimë vetëm janë zotuar", thotë ai.

Zoti Korbi, ndër të tjera, thekson se shumica e mjeteve që do të vijnë prej komunitetit të donatorëve, do të shkojnë në sektorët që janë prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Ndërsa, ekspertë për çështje ekonomike, vonesën e këtyre mjeteve e arsyetojnë me krizën globale, e cila ka prekur shumë nga vendet, të cilat kanë qenë pjesë e këtyre donacioneve për Kosovën.

Eksperti për çështje ekonomike, Mejdi Bektashi, thotë se për shkak të krizës globale, derdhja e këtyre mjeteve do të marrë kohë. Megjithatë, ai shpreson që në qershor të këtij viti do të fillojnë të rrjedhin këto mjete.

"Njëri ndër problemet kryesore është shfrytëzimi dhe mënyra e menaxhimit të mjeteve. Sipas materialeve që janë dhënë në Konferencën e Donatorëve, disa shtete kanë projekte konkrete", vlerëson zoti Bektashi.

Ai e quan shumë urgjente hyrjen e këtyre mjeteve në Kosovë. Ai vlerëson se investimi i këtyre mjeteve do të ndikojë në përmirësimin e disa sektorëve, ndërsa qëllimi kryesor do të ishte hapja e vendeve të reja të punës dhe ndihma në disa çështje sociale.

"Një problem tjetër në transformimin e këtyre mjeteve nga premtimet në të holla, është se disa shtete kanë kërkuar prolongimin edhe për vitin 2010 të këtyre mjeteve", thotë ai.

Megjithatë, zoti Bektashi thotë se përmes donacioneve, shumë vështirë mund të niset zhvillimi stabil ekonomik i Kosovës. Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të orientohet në tërheqjen e investimeve të huaja.

Ai thotë se mjetet e fituara nga Konferenca e Donatorëve duhet të shfrytëzohen për projekte, të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Sidoqoftë, 1. 2 miliard euro është shuma e përgjithshme e mjeteve të fituara në Konferencën e Donatorëve, që është mbajtur më 11 korrik, në Bruksel. Prej tyre, 1.1 miliard do të përdoren për zhvillim ekonomik, ndërkaq 100 milionë euro të tjera për pagesën e borxhit të jashtëm të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG