Ndërlidhjet

Për tri vjet, Kosova do të ketë 38 komuna; prej tyre - dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare, ka thënë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.



Decentralizimi u mundëson komuniteteve që të jenë pjesë e vendimmarrjes nëpër komunat ku jetojnë, tha sot ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Sadri Ferati.

Ai tha se ky proces, përveç se e ndihmon decentralizimin e pushtetit me kalimin e shumë përgjegjësive nga niveli qendror në atë lokal, jep mundësi të mëdha që komunitetet dhe komunat të zhvillojnë një administrim më autonom në fusha të caktuara, çka do të mundësojë që qytetari të jetë më afër vendimmarrjes.

Decentralizimi, tha ministri Ferati, është një prej obligimeve që Kosova ka marrë mbi vete dhe të cilin do ta zbatojë. Por, njëkohësisht, ai tha se për një proces të suksesshëm, nevojitet edhe pjesëmarrja e komuniteteve, sidomos atij serb.

Ministri Ferati tha se për tre vjet, decentralizimi do të prodhojë komuna të reja, prej tyre edhe pesë plus një komuna të reja, që gjithsejtë do të përbëjnë dhjetë komuna me shumicë serbe.

“Siç parashikohet me Ligjin e Republikës së Kosovës, është paraparë që të jenë 38 komuna; prej tyre, 10 në lokalitete me shumicë serbe, një me shumicë turke në Mamushë, ndërsa tjerat janë të parapara me shumicë shqiptare".

"Kjo është faza e parë e procesit trevjeçar, pas së cilës do të bëhet një analizë dhe procesi i decentralizimit pastaj do të mund të vazhdohet edhe me hapjen e temave, që ky decentralizim të begatohet me ide tjera, si në rrafshin e decentralizimit funksional, e po ashtu edhe atë të decentralizimit territorial më tutje”,
tha Ferati.

Një pjesë e komunave, sipas Planit të Ahtisaarit, nënvizoi ministri Ferati, do të kenë mundësi që të marrin mbi vete edhe përgjegjësi në fushat e arsimit e shëndetësisë sekondare, në kulturë, regjistrim të bizneseve dhe ndërmarrjeve e përgjegjësi tjera.

Duke u ndërlidhur në debat, përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Rafael Nargel, tha se decentralizimi paraqet një nga elementet kryesore për reformimin e pushtetit, çka reflekton edhe në përmirësimin e jetesës për komunitetet pakicë.

Sidoqoftë, Nargel tha se pavarësisht mbështetjes që kanë komunat e caktuara nga Qeveria e Kosovës dhe prania ndërkombëtare, ky proces nuk mund të fillojë pa akceptimin e atyre që u destinohet, përkatësisht pakicës serbe.

“Që kjo punë të jetë e suksesshme, të gjithë kosovarët, nga të gjitha komunitetet, duhet të binden se decentralizimi nuk paraqet kërcënim, por ndikon në përmirësimin e jetës së tyre”, tha zyrtari i ICO-së, Rafael Nargel.

Si shembull të suksesit që ka pasuar bashkëpunimin mes autoriteteve qeverisëse dhe komuniteteve, ministri Sadri Ferati mori ish-pilot projektin e Mamushës, të banuar me shumicë turke, që tani ka fituar statusin e komunës së re.

Sadri Ferati
“Rasti i Mamushës dëshmon se si një lokalitet dhe një fshat, është shndërruar në një qytezë shumë simpatike dhe me një perspektivë të qartë, që do të jetë në gjendje që qytetarëve të saj t'u shërbejë edhe në aspektet tjera, siç janë arsimi, shëndetësia dhe të gjitha fushat tjera, në të cilat ajo komunë, sikurse edhe komunat tjera, ushtron kompetencat e saj”, theksoi ministri Ferati.

Sidoqoftë, decentralizimi në radhë të parë është menduar që të jetë si një proces që ndikon pozitivisht në integrimin e pakicës serbe, marrë parasysh se ky proces u siguron atyre një autonomi më të gjerë në komunat ku jetojnë.

Por, deri më tash, përfaqësuesit serbë nuk kanë dhënë shenja pozitive politike se do të bashkëpunojnë me autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare në jetësimin e këtij procesi.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG