Ndërlidhjet

Prishtina nuk ndryshon qëndrimet për bisedimet


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Zyrtarët kosovarë shprehen të vendosur që të mos lëvizin nga vendimet e marra sa i përket bisedimeve Prishtinë - Beograd. Ndërsa, analistët i konsiderojnë si legjitime përpjekjet e PSSP-së për fillimin e këtyre bisedimeve.



Prishtina zyrtare nuk do të lëvizë nga qëndrimet e saj, pavarësisht takimeve të shpeshta të përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm, Lamberto Zannier, me qeveritarë të Beogradit. Kështu thonë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës. Zëdhënësi Memli Krasniqi e rikonfirmon qëndrimin e institucioneve të vendit.

"Ne, disa herë, e kemi thënë se nuk ka kurrfarë bisedimesh pa u pajtuar për parimet bazë. Dhe, parimet bazë janë të njohura, sepse edhe krerët e shtetit i kanë bërë të njohura disa herë këto qëndrime. Duhet të ketë barabarsi në mes të palëve dhe tek tani mund të bisedojmë për çfarëdo negociatash që mund të ndodhin në të ardhmen, për interesa të popujve të të dyja shteteve të pavarura", tha Krasniqi.

Ndërsa, analistët për çështje politike në Kosovë konsiderojnë se vazhdimi i takimeve të kreut të UNMIK-ut me zyrtarë në Beograd për fillimin e negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit, mund të paraqesë vështirësi për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës. Analisti Driton Lajçi shpjegon:

"Mendoj se edhe pse Zannier është duke vepruar në harmoni me mandatin që ka, është punë e tij ilegale, sepse ai e ka për obligim, sipas detyrave që ia ka dhënë Sekretari i Përgithshëm i OKB-së, që të lehtësojë dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës. Mirëpo, këto takime e kthejnë orën prapa, sepse Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare kanë bërë hapa të mëdhenj në drejtim tjetër - krejtësisht i kundërt me atë që është duke bërë Zannier".

Por, analisti tjetër, Ismail Hasani, mendon ndryshe:

"Nuk mund të ketë kthim prapa të procesit. Fqinjësia duhet të bisedojë dhe absolutisht njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm se midis Kosovës dhe Serbisë si fqinj të ngatrruar, edhe në histori ka probleme, për të cilat duhet të bisedohet", tha Hasani.

Ai nuk e përjashton mundësinë që të ketë bisedime të natyrës teknike ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare, sepse, siç thotë ai, ato nuk janë refuzuar decidivisht nga Prishtina zyrtare, ashtu siç është refuzuar plani 6-pikësh i OKB-së.

"Mendoj se institucionet e Kosovës kanë ndërtuar platformën e bisedimeve, nuk kanë refuzuar bisedimet. Ato kanë refuzuar vetëm bisedimet që janë të lidhura me çështjet kapitale, që nënkuptojnë bisedimet statusore. Përndryshe, askush dhe askujt nuk guxon t'i bijë ndërmend që të refuzohen bisedimet teknike, kudo në Ballkan, kudo qoftë tjetër, sepse është në natyrën e raporteve ndërshtetërore që të bisedohet",
tha Hasani.

Është njoftuar se nga takimi i fundit që diplomati italian, Lamberto Zannier, ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të shtetit serbë gjatë qëndrimit të tij të enjten në Beograd, janë diskutuar çështjet që ndërlidhen me trashëgiminë kulturore, por edhe me përgatitjet për mbledhjen e ardhshme të Kështillit të Sigurimit, ku mes tjerash pritet të diskutohet rreth ecurive në zbatimin e dispozitave të dala nga raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Sido që të të jetë, autoritetet kosovare vazhdojnë të përsërisin qëndrimin e tyre se plani 6-pikësh është i papranueshëm dhe se me Serbinë mund të zhvillohen bisedime, por vetëm atëherë kur Serbia e pranon pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG