Ndërlidhjet

"Slumdog Millionaire" fitoi më shumë çmime Oskar

  • RFE /RL

Filmi "Slumdog Millionaire" ishte filmi më i suksesshëm në manifestimin e dhënies së çmimeve Oskar, duke fituar tetë çmime. Prej aktorëve, çmimin Oskar e fitoi Sean Penn, ndërsa aktorja më e mirë u shpall Kate Winslet. Çmimin Oskar, pas vdekjes, e fitoi edhe aktori Heath Ledger.


Shpalljen për filmin më të mirë në manifestim për dhënien e çmimit Oskar e bëri regjisori Stiven Spilberg.

"Çmimi Oskar i jepet filmit "Slumdog Millionaire!"

Ky film paraqet tregim për një të ri nga Mumbai i Indisë, që prej varfërisë së skajshme arrin të bëhet milioner dhe ta gjejë të dashurën e tij të jetës.

Producenti Christian Colson tha se në fillim kishte probleme me fonde, por ajo që e inspironte ekipin, ishte skenari shumë i mirë.

"Së bashku ne ishim në një udhëtim të jashtëzakonshëm. Ne filluam pa yje, pa forcë të madhe, nuk kishim fonde të mjaftueshme për ta bërë atë që donim. Por, ajo që kishim, ishte skenari që inspironte dashuri të çmendur për secilin që e lexonte. E kishim edhe gjeniun për regjisor dhe ekipin shumë të mirë, kështu që doli ajo që ju mund ta shihni në ekran", tha producenti Colson.

Regjisori Danny Boyle
Regjisori Danny Boyle, fitues i çmimit Oskar për regji, tha se dëshironte që sa më shumë anëtarë të ekipit të filmit "Slumdog Millionaire" të ishin të pranishëm në manifestimin e dhënies së çmimeve më prestigjioze kinematografike, pasi, sipas tij, "të gjithë jemi angazhuar si një familje".


Aktori më i mirë u shpall Sean Penn, për rolin e tij në filmin "Qumështi", ku ai e luan rolin e një politikani homoseksual.

Pasi e mori çmimin, ai tha:

"Nuk e kam pritur këtë dhe dëshiroj të jem i qartë se e di se sa vështirë është që të falënderohem shpesh", tha Sean Penn, duke aluduar se ky ishte Oskari i dytë që e mori deri tash.

Por, aktorja Kate Winslet e fitoi Oskarin e saj të parë. Ajo tha se kishte ëndrruar që ta fitonte këtë çmim për një kohë të gjatë.

"Do të gënjeja sikur të thosha se nuk e kam përgatitur këtë fjalim më herët. Mendoj se është i vjetër afro 8 vjet",
tha Kate Winslet.

Prej çmimeve të tjera, veçojmë atë për rolin më të mirë mbështetës, që, sivjet, pas vdekjes, iu dha aktorit të ndjerë, Heath Ledger, për rolin në filmin "Kalorësi i errët", ndërsa Oskari për artisten më të mirë mbështetëse iu dha aktores Penelope Cruz, për rolin e saj në filmin Vicky Cristina Barcelona.

Filmi më i mirë i jashtëm u shpall filmi japonez "Largimet".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG