Ndërlidhjet

Key: Duhet vullnet politik për zgjedhje të lira


Zgjedhje të lira dhe pa incidente mund të ketë vetëm nëse të gjithë angazhohen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kështu vlerëson ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup, Andrew Key, duke shtuar se institucionet kanë mundësinë për të zhvilluar zgjedhje pa dhunë, por që kjo të ndodhë, sipas tij, para së gjithash nevojitet vullneti i mirë i partive politike.

“Nëse ekziston vullnet i mjaftueshëm politik nga të gjitha partitë, konsideroj se zgjedhjet do të jenë të ndershme. Shumë e rëndësishme do të ishte nëse secila parti, në vend që të kërkojë fajin tek të tjerat, të bartë përgjegjësinë e veprimeve të saj, duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve në drejtim të euro-integrimeve”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, ambasador britaniki, Andrew Key.

Thirrje për zgjedhje të lira dhe pa dhunë kanë bërë edhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë në Shkup, duke rikujtuar zyrtarët dhe partitë politike se në rast se përsëriten incidentetet e zgjedhjeve të vitit të kaluar, Maqedonia edhe më tepër do ta vështirësojë procesin e integrimit të vendit.

“Unë besoj se Maqedonia mund të organizojë zgjedhje paqësore. Kjo do të jetë shumë me rëndësi, pasi me këtë vendi juaj do t'i përmbushë kriteret dhe standardet e kërkuara ndërkombëtare. Tani për tani, vërejmë një atmosferë të qetë. Mendoj se do të jetë shumë me rëndësi që çdo parti të marrë përgjegjësinë për punën që bën. Këtë e them duke pasur parasysh faktin se sa rëndësi kanë këto zgjedhje për procesin e integrimt të Maqedonisë”, tha ambasadori Key, sipas të cilit, mbarëvajtja e zgjedhjeve dhe respektimi i parimeve të demokracisë kanë rol shumë të madh për një shtet që synon anëtarësimin si në NATO, ashtu edhe në BE.

Ambasadori britanik ka komentuar edhe qëndrimet diametralisht të kundërta mes shqiptarëve dhe maqedonasve lidhur me çështjen e emrit.

Shqiptarët kërkojnë integrimin në NATO sikur edhe kjo të kushtëzohet me ndërrimin e emrit të Maqedonisë, ndërsa maqedonasit kundërshtojnë me të gjitha format një mundësi të tillë.

Se sa ka gjasa që këto qëndrime të ndajnë vendin në baza entike e që do të rrezikonte edhe ekzistimin e vetë shtetit, siç vlerësojnë qarqe të ndryshme politike dhe intelektuale në vend, ambasadori Key tha:

”Unë vlerësoj se bashkësia ndërkombëtare deri më tani i ka bërë të gjitha përpjekjet që të gjitha bashkësitë të jetojnë së bashku dhe për këtë ka një bazë të mirë, e ajo është Marrëveshja e Ohrit. Duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për zbatimin e plotë të saj. Vetëm në këtë mënyrë mendoj se do të ulet rreziku për ndarjet etnike”,
përfundon ambasadori i Britanisë së Madhe në Maqedoni, Andrew Key.
XS
SM
MD
LG