Ndërlidhjet

Si janë raportet ndërpartiake?


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Partitë politike në Kosovë kanë raporte korrekte dhe relacionet mes tyre janë brenda kufijve normalë të demokracisë, thonë përfaqësuesit politikë. Ata thonë se relacionet mes tyre nuk shkojnë në dëm të interesave të Kosovës.


Raportet mes partive politike janë në suaza të normales dhe këto relacione nuk kanë dëmtuar interesat e Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të partive politike nga blloku opozitar dhe ai në pozitë.

Zhvillimi dhe kultivimi i demokracisë në Kosovë, sipas Blerand Stavilecit, zëdhënës i Partisë Demokratike të Kosovës, është mjaft i avancuar dhe, sipas tij, në Kosovë ka pluralitet të filozofisë, koncepteve, ideve dhe pikëpamjeve.

Duke pasur parasysh se secila parti ka edhe programin dhe platformën e vet, Stavileci thotë se është normale që të ketë dallime, por këto dallime, sipas tij, janë në kufijtë e normales dhe përkojnë me demokracinë.

“Për sa i takon rivalitetit mes partive, mendoj se ai është thjesht një rivalitet politik, një rivalitet i shëndoshë. Ne, si parti, konsiderojmë se të gjitha alternativat që jepen nga partitë opozitare, janë të mira dhe të nevojshme dhe i vlerësojmë lart vetëm atëherë kur ato janë pozitive dhe te to mbizotëron sensi i konstruktivitetit”, thekson Stavileci.

Marrë parasysh gjendjen dhe periudhën nëpër të cilën ka kaluar Kosova, raportet mes partive politike dhe zhvillimi i demokracisë në Kosovë është i kënaqshëm, thotë në anën tjetër, Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Isufi merr si shembull sidomos unitetin politik që ishte rreth zgjidhjes së statusit. Por tash, pas definimit të statusit, segmente të caktuara nga partitë në pushtet, sipas Ahmet Isufit, përpiqen që bazën partiake ta kenë për synim në krijimin e institucioneve.

“Vërehet një angazhim më i madh i opozitës në mënyrë që të ketë një ndarje të spektrit pozitiv, pozitë – opozitë. Në të ardhmen do të jetë edhe shumë më i ngritur ky pozicion, sepse tani Kosova po fillon fazën e re të ndërtimit të shtetit dhe ka nevojë për një balancë të forcave politike në kuptimin e mirëfilltë të demokratizimit”, tha Isufi.

Sipas Ahmet Isufit, zhvillimi i Kosovës në disa raste është dëmtuar nga segmente partiake në pushtet. Por, sipas tij, perspektiva e demokratizimit në Kosovë është reale dhe se nuk ka ende shenja shqetësuese se Kosova mund të zhytet në ndonjë kaos demokratik si pasojë e përplasjeve partiake.

“Konsideroj se zhvillimin e Kosovës e kanë dëmtuar interesat politike të segmenteve të ngushta të funksionimit të institucioneve. Megjithatë, kjo është faza e parë dhe është hap i mirë, kur kemi parasysh se katër palë zgjedhje kanë kaluar në mënyrën më të mirë dhe madje janë marrë si shembull në rajon. Prandaj, perspektiva është e demokratizimit të shoqërisë së Kosovës me gjithë angazhimin që bëjnë edhe pozita, edhe opozita”, vlerëson Isufi.

Ndërkohë, Blerand Stavileci, nga PDK-ja, parti kjo që udhëheq me Qeverinë dhe ka shumicën në Kuvend, thotë se zhvillimet politike dëshmojnë se relacionet mes partive politike janë të shëndosha dhe se nuk bëhet fjalë për rrezikimin e interesave të Kosovës si pasojë e këtyre relacioneve.

“Si më parë, ashtu edhe tash, në shtetin e ri të Kosovës, kur është fjala për çështje të interesit vital, të gjithë jemi unikë dhe në përgjithësi mund të them se ekziston një kulturë e shëndoshë, e cila dita-ditës po kultivohet gjithnjë e më shumë”, vlerëson Stavileci.

PDK dhe AAK paraqesin dy nga pesë partitë më të mëdha në Kosovë. Këto dy parti kanë udhëhequr qeveritë e deritashme të Kosovës dhe njëherësh, në vazhdimësi, kanë qenë në raportet pozitë-opozitë, andaj edhe vërehet një rivalitet më i theksuar mes tyre, por që, sipas zyrtarëve të të dyja partive, ky rivalitet është në kufijtë normal të demokracisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG