Ndërlidhjet

Një vit pas pavarësisë, ka zëra që shfaqin drojën se institucionet nuk kanë fituar sa duhet pavarësinë në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Por, zyrtarët qeveritarë këtë e quajnë partneritet me komunitetin ndërkombëtar.

Ekziston një përshtypje në mesin e kosovarëve, që janë jashtë politikës, se për vendimet e rëndësishme, institucionet e Kosovës nuk vendosin vetë, por varen nga ato që i thonë qoftë përfaqësuesit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, qoftë ambasadat e Quint-it.

Këtë varësi nga ndërkombëtarët e vë në pah lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili nënvizon se ky fenomen është rritur edhe më shumë pas shpalljes së pavarësisë.

“Mendoj se kjo vjen nga fakti se numri i ndërkombëtarëve, që në Kosovë kanë imunitet nga ligji dhe fuqi ekzekutive, është rritur. Përderisa do të kemi ndërkombëtarë, që kanë fuqi ekzekutive, vazhdimisht do të kemi politikanë të dëgjueshëm dhe servilë. Ata varen më shumë nga qëndrimet e këtyre burokratëve ndërkombëtarë, sesa nga votat e qytetarëve”, thotë Kurti.

Por, kjo që disa e quajnë varësi, ka emër tjetër për Qeverinë. Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se bëhet fjalë për partneritet e jo varësi të institucioneve nga komuniteti ndërkombëtar.

Qeveria e Kosovës
“Absolutisht ne kemi koordinim për shumë çështje të rëndësishme, sepse të gjithë rrugën deri në shpalljen e pavarësisë, vetë procesin e shpalljes dhe njohjes, e kemi bërë në koordinim të plotë me SHBA-të dhe shtetet tjera kryesore të BE-së dhe shtetet tjera mike të Kosovës. Kështu që në këtë drejtim kjo duhet të shihet si partneritet, e në asnjë mënyrë si varësi”,
tha Krasniqi.

Ish-ambasadori slloven në Kosovë, Vojko Volk, në një intervistë për një gazetë sllovene ka thënë se në Kosovë ekziston një formë e frikshme e varësisë së strukturave shtetërore, të pushtetit dhe të elitës nga bashkësia ndërkombëtare.

“Bëhet fjalë për formën e varësisë, të cilën nuk e kam parë askund në Ballkan”, ka thënë ish-ambasadori Volk.

Por, një gjë të tillë e hedh poshtë Memli Krasniqi.

“Ky nuk është termi që mund të ilustrojë raportet që ka Kosova dhe institucionet e saj me organizmat apo shtetet ndërkombëtare. Ne nuk kemi raporte të varësisë, ne kemi raporte të ndërvarësisë apo partneritetit”, pohon Krasniqi.

Në anën tjetër, Albin Kurti konsideron se ka varësi ndaj ndërkombëtarëve dhe atë kosovarët e kanë të përcaktuar edhe në ligje.

Albin Kurti
“Në njërën anë, elita politike në Kosovë, që është në kuadër të sistemit politik në Kosovë, është me ligj e varur nga Pieter Feith, Yves de Kermabon dhe KFOR-i, ndërsa pa ligj është e varur nga ambasadat e Quint-it në Prishtinë”,
shprehet Kurti.

Deklarata e pavarësisë, e shpallur më 17 shkurt, ka marrë për bazë planin e Ahtisaarit, që ofron pavarësi të mbikëqyrur. Autoriteti më i lartë në Kosovë ende mbetet shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, fjala e të cilit është përfundimtare në rast të ndonjë kontesti të mundshëm.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës nuk mund të vendosin vetë as për fushën e sigurisë, meqë mbrojtja e Kosovës ofrohet nga KFOR-i, ndërkaq rendi dhe ligji brendapërbrenda vendit janë kompetencë e përbashkët e institucioneve të Kosovës dhe misionit evropian për sundim të ligjit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG