Ndërlidhjet

Kermabon: Gjykatësit vendorë do kthehen në punë


Yves de Kermabon
Yves de Kermabon

“Ne po punojmë që t'i kthejmë në punë sa më shpejt që të jetë e mundur gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe ata serbë në veri të Mitrovicës, në mënyrë që këto gjykata të fillojnë punën sërish”, tha shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon.

Rifunksionalizimi i gjykatave në veri të Kosovës është një çështje shumë e rëndësishme për sigurinë në veri të Mitrovicës, tha sot shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Këto komente, Kermabon i bëri gjatë një vizite në stacionin policor në veri të Mitrovicës.

Kermabon tha se për momentin nuk mund ta dijë se kur do të kthehen gjykatësit dhe prokurorët vendorë në punë. Kurse, aktualisht, ai tha se gjykatat në veri të Mitrovicës funksionojnë vetëm me personelin e BE-së, përkatësisht EULEX-it.

“Ne po punojmë që t'i kthejmë sa më shpejt që të jetë e mundur gjykatësit dhe prokurorët shqiptarë dhe ata serbë në punë, në mënyrë që këto gjykata të fillojnë punën sërish. Ka shumë raste që presin të shqyrtohen, por momentalisht këtu kemi vetëm prokurorët dhe gjykatësit e BE-së”, tha Kermabon.

Ai e ka vlerësuar si të mirë gjendjen e sigurisë në Mitrovicë, ku, sipas tij, organet e rendit po e kryejnë shumë mirë punën e tyre.

“Aktualisht, gjendja e sigurisë është e mirë, kurse policia po e kryen punën e vet mirë. Ka hapësirë për përmirësime, prandaj edhe ne jemi këtu dhe ne mund të intervenojmë që ta përkrahim policinë vendore”,
tha Kermabon.

Në interesimin e mediave lidhur me paralajmërimet në Beograd për disa vizita të nivelit të lartë të zyrtarëve të shtetit serb në Kosovë, shefi i EULEX-it tha se misioni i tij nuk vendos nëse do të lejohen apo jo këto vizita, por në rast se realizohen, EULEX-i, tha Kermabon, mund të marrë përsipër sigurimin e eskortave të zyrtarëve serbë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të sigurisë që kërkohet në këso raste.

Ndryshe, Kermabon ka folur dhe për perspektivën e misionit të BE-së në Kosovë, duke e bërë të qartë se ky mision i paraparë për dy vjet, mund të zgjatet nëse Bashkimi Evropian e konsideron këtë të nevojshme.

“Planifikimi fillestar për këtë mision është për dy vjet. Pra, brenda dy vjetësh ne do ta vlerësojmë këtë së bashku me Bashkimin Evropian dhe zotin Javier Solana, se si është gjendja në Kosovë dhe varësisht prej asaj do të vendosim se a do ta mbyllim këtë mision apo do ta vazhdojmë”,
tha Kermabon.

Sipas tij, sa më i shkurtër që të jetë afati i EULEX-it, aq më mirë do të ishte për Kosovën, sepse kjo do të nënkuptonte se gjendja në Kosovë është e mirë.

Gjatë këtij qëndrimi në veri të Mitrovicës, Kermabon ka vizituar edhe burgun e qytetit.
Ai u angazhua që të përmirësohen edhe kushtet e këtij burgu, si një nga standardet që i duhen Kosovës në reformat e përgjithshme në sistemin e drejtësisë.

Paraprakisht, doganierët e EULEX-it janë vendosur edhe në portat 1 dhe 31 në kufi me Serbinë, pika këto që ishin djegur nga serbët vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ata bëjnë regjistrimin e hyrje-daljeve, por jo edhe doganimin e mallrave, kurse, ngjashëm me gjykatat, edhe në dogana ende mungon stafi kosovar.
XS
SM
MD
LG