Ndërlidhjet

Krasniqi: Në veri nuk zbatohet Kushtetuta


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Zyrtarët e institucioneve të Kosovës e pranojnë se në veri të Kosovës nuk zbatohet Kushtetuta. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, pohon se ekzistimi i strukturave paralele në atë pjesë bën që ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës të mos zbatohen.


“Sa i përket zbatimit të ligjshmërisë, por edhe të kushtetutshmërisë në pjesën veriore të Kosovës, mund të themi se nuk janë duke u zbatuar as njëra, as tjetra, për faktin se atje sundon krimi, kontrabanda dhe institucionet paralele, që kanë ngritur ish-strukturat policore dhe paramilitare serbe në atë pjesë",
tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, edhe anëtarë të partive opozitare thonë se Kushtetuta e Kosovës nuk po zbatohet në veri të vendit, pasi që, sipas tyre, institucionet relevante nuk po bëjnë sa duhet në atë drejtim.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi, konsideron se fajtor kryesor për moszbatimin e Kushtetutës në atë pjesë të vendit, është Qeveria.

“Edhe në aspektin formal – juridik, edhe në aspektin praktik, subjekti i parë që duhet ta ketë përgjegjësinë, është Qeveria e Kosovës. Fundja, ai territor është i yni, i Kosovës, dhe Qeveria e Kosovës e ka mandatin që të qeverisë në Kosovë. Aty ka një pjesë të kompetencave dhe prania ndërkombëtare, EULEX-i dhe KFOR-i, por ata janë në rolin e ndihmësit, për të ndihmuar shpejtimin e integrimit të asaj pjese në Kosovë. Qeveria e Kosovës duhet të marrë nismë në këtë drejtim dhe projekte konkrete”,
tha Kosumi.

Misioni EULEX, si mision teknik, ka për obligim t'i mbikëqyrë, t'i ndihmojë dhe t'i këshillojë institucionet e Qeverisë së Kosovës në polici, dogana dhe drejtësi, dhe jo të mbikëqyrë zbatimin e Kushtetutës. Por, përfaqësuesit e institucioneve, në këtë rast edhe zoti Krasniqi, shpresojnë se shtrirja e EULEX-it në veri mund të sjellë ndryshime pozitive në zbatimin e ligjeve kosovare atje.

“Nga fillimi i këtij viti, një dritë shprese duket me shtrirjen e EULEX-it dhe ndoshta ky vit do të përmbyllë së paku një sundim të ligjit në atë pjesë të Kosovës. Derisa nuk ka kurrfarë bashkëpunimi të institucioneve lokale me institucionet qendrore, derisa atje të sundojnë strukturat paralele të ish-pushtetit serb, nuk ka as zbatim të ligjeve, as të Kushtetutës. Institucionet e Kosovës në një formë janë mjaft të pamundësuara, por, megjithatë, përgjegjësinë në këtë fazë, në atë pjesë të Kosovës, tani për tani e ka EULEX-i", tha Krasniqi.

Zoti Kosumi, nga AAK-ja, thotë se grupe të caktuara, të cilat dirigjohen nga Beogradi, bëjnë që atje të mos ketë zbatim të ligjeve dhe të Kushtetutës.

"Ajo është një pjesë që është jashtë ligjit dhe ku lulëzon gjithçka që është në kundërshtim me ligjin. EULEX-i tash ka bërë disa prova shumë të brishta për të vënë kontroll, por kjo që tenton të bëjë EULEX-i, sidomos në pikat doganore, është një hap i brishtë, saqë nuk krijon ndonjë besim se shpejt mund të rregullohet situata aty”, tha Kosumi.

Ajo, për të cilën pozita dhe opozita pajtohen, është se shtrirja e autoritetit në veri mbetet një nga sfidat më të mëdha për vendin.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG