Ndërlidhjet

Obama: Do të rimëkëmbemi


Presidenti Barack Obama në adresimin e tij para Kongresit të SHBA-ve, 24 shkurt '09.
Presidenti Barack Obama në adresimin e tij para Kongresit të SHBA-ve, 24 shkurt '09.

Që prej vjeshtës së vitit të kaluar, kur ende ishte në garë për t’u bërë president i SHBA-ve, Barack Obama e ka ditur se nëse fiton, do përballet me më shumë se dy luftëra dhe deficitin buxhetor gjithnjë e në rritje. Përveç këtyre sfidave, nga ai pritet të gjejë një rrugëdalje nga kriza ekonomike.


Presidenti amerikan, Barack Obama, nuk humbi fare kohë për të ngritur çështjen kryesore.

"Gjendja ekonomike e vendit tonë është një shqetësim që ngritet mbi të gjithë të tjerët. Dhe, me të drejtë. Nëse nuk jeni prekur personalisht nga ky recesion, me siguri e njihni dikë që është prekur – mikun, fiqnjën apo anëtarët e familjes suaj. Nuk keni nevojë të dëgjoni edhe një listë tjetër statistikash për të kuptuar se ekonomia jonë është në krizë, sepse ju e jetoni atë çdo ditë tashmë. Është shqetësimi me të cilin zgjoheni në mëngjes dhe është burimi i pagjumësisë suaj”, ka thënë presidenti amerikan në adresimin e tij para Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, ai e balansoi këtë vlerësim të zymtë me një vizion optimist për të ardhmen, të njohur tashmë për ata që e kanë përcjellë fushatën e tij presidenciale, dhe thelbi i këtij vizioni është se problemi nuk është aq i gjerë dhe aq i thellë për të mos pasur mundësi të zgjidhet.

"Ndikimi i këtij recesioni është real dhe ndihet çdokund. Por, ndërkohë që ekonomia jonë mund të jetë dobësuar dhe vetëbesimi ynë mund të jetë lëkundur, ndërkohë që po jetojmë në kohë të vështira dhe të pasigurta, dua që çdo amerikan ta kuptojë një gjë: Ne do të rimëkëmbemi, do të shërohemi dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dalin më të forta se kurrë”, tha presidenti amerikan, i përcjellë me një duartrokitje të fuqishme.

Megjithatë, ai është i vetëdijshëm se puna do të jetë e vështirë dhe e shtrenjtë. Deri më tash, Departamenti i Thesarit ka shpenzuar gjysmën e fondit prej 700 miliardë dollarësh për t'i ndihmuar bankat dhe institucionet tjera financiare, që bënë investime të gabuara.

Dhe, javën e kaluar, presidenti Obama gjithashtu nënshkroi një ligj për shpenzimin e 787 miliardë dollarëve të tjerë për të stimuluar ekonominë.
Edhe pse ai foli para Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve, presidenti amerikan e bëri të qartë se është duke iu drejtuar popullit amerikan.

Bobby Jindal, guvernatori republikan i shtetit Louisiana, dha përgjigjen e tij ndaj adresimit të Obamas. Jindal, për të cilin thuhet se është i interesuar të garojë në zgjedhjet presidenciale të 2012-ës, tha se plani stimulus i zotit Obama nuk është për vendet e reja të punës, por, siç tha ai, është një shpenzim i dëmshëm dhe i ushqyer nga huatë që do të duhen dekada për t’i shpaguar.

"Liderët demokratë thonë se legjislacioni i tyre do ta rrisë ekonominë. Në fakt, do të rrisë qeverinë e tyre, do t’i ngrenë taksat tona dhe do t’i ngarkojnë gjeneratat e ardhshme me borxhe. Cilët prej nesh kërkojnë nga fëmijët tonë hua, për të shpenzuar para që s’i kemi mbi gjërat për të cilat s’kemi nevojë? Kjo është pikërisht ajo çfarë demokratët bënë në Kongres. Është e papërgjegjshme. Dhe, nuk ka fare të bëjë me sforcimin e ekonomisë sonë, krijimin e vendeve të punës apo ndërtimin e një të ardhmeje prosperuese për fëmijët tanë”, tha zoti Jindal.

Fjalimi i zotit Obama në fakt u përqendrua kryesisht në krizën ekonomike, por, megjithatë, ngriti edhe çështjet e politikës së jashtme. Por, edhe me këtë rast, tema pashmangshëm u përqendrua në ekonominë globale.

"Për t’u përballur me sfidat e shekullit 21, nga terrorizmi e deri tek prodhimi nuklear, nga sëmundjet pandemike e deri tek kërcënimet teknologjike dhe varfëria, ne duhet t’i sforcojmë aleancat tona të dikurshme, të krijojmë të reja dhe t'i shfrytëzojmë të gjitha elementet e fuqisë sonë kombëtare. Dhe për t’u përballur me krizën ekonomike të përmasave globale, jemi duke punuar me vendet anëtare të G20-ës, për të rikthyer besimin në sistemet tona financiare dhe për të trimëruar kërkesat për prodhimet amerikane në tregun botëror”, tha zoti Obama.

Në fund, presidenti amerikan tha se bota mund të prosperojë vetëm nëse mund të mbështetet në fuqinë e ekonomisë amerikane, njësoj sikurse edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të prosperojnë vetëm nëse mund të mbështeten në fuqinë e ekonomisë botërore.
XS
SM
MD
LG