Ndërlidhjet

Hagë: Nesër vendimi për Millutinoviq dhe 5 të tjerët


Tribunali i Hagës nesër do të sjellë vendimin për ish presidentin e Serbisë Millan Millutinoviq dhe pesë zyrtarët ushtarakë dhe policorë të Serbisë dhe ish Republikës Federale të Jugosllavisë, të akuzuar për krime ndaj shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999.

Bashkë me Millutinoviqin, për deportim, vrasje dhe përndjekje të shqiptarëve në gjysmën e parë të 1999, akuzohen edhe ish nënkryetari i qeverisë jugosllave, Nikolla Shainoviq, dhe gjeneralët Dragoljub Ojdaniq, Nebojsha Pavkoviq, Vladimir Lazareviq dhe Sreten Lukiq.

Gjatë luftës në Kosovë, Ojdaniq ishte shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, Pavkoviq komandonte me armatën e tretë, Lazareviq me korparmatën e Prishtinës, ndërsa Lukiq ishte në krye të shtabit të ministrisë së Brendshme të Serbisë në Prishtinë.

Në fjalën përmbyllëse, verën e kaluar, prokurorët pohuan se e kanë dëshmuar fajësinë e të gjithë të akuzuarve, dhe kërkuan që ata të dënohen prej 20 vjet burg deri në burgim të përjetshëm.
XS
SM
MD
LG