Ndërlidhjet

Në disa komuna më shumë votues sesa banorë?!


Ministria e Drejtësisë ka mbyllur listën e përgjithshme zgjedhore në të cilën janë të evidentuar rreth 1 milion e 780 mijë qytetarë, që kanë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale dhe presidenciale, që do të mbahen më 22 mars.

Lista e përgjithshme zgjedhore është dërguar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili edhe është kompetent për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ndërsa përfaqësuesit e këtij këshilli thonë se nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie për numrin e qytetarëve të evidentuar në listën zgjedhore.

“Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për udhëheqjen e listës zgjedhore dhe për numrin e qytetarëve të evidentuar në të. Pas mbylljes së kësaj liste, Ministria e Drejtësisë e dërgon këtë listë në KSHZ, i cili më pas nëshkruan çertifikatat që dërgohen në komisionet komunale zgjedhore, që më pas qytetarët të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votës”, tha zëdhënësi i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Zoran Tanevski.

Por, të dhënat e publikuara kanë nxjerrë të dhëna që nga ekspertët janë komentuar si katastrofale, e madje edhe komike. Në disa komuna, numri i përgjithshëm i banorëve është më i vogël sesa numri i votuesve, pra, më tëpër ka votues sesa banorë.

Nga Ministria e Drejtësisë përjashtojnë mundësinë që të ketë gabime në të dhënat e paraqitura dhe, sipas tyre, nuk ka nevojë që të dhënat nga lista zgjedhore të jenë të harmonizuara me të dhënat e Entit të Statistikës, ku edhe janë vërejtuar dallimet ekstreme në numrin e votuesve dhe numrin e banorëve.

Ish-zyrtari i lartë i Entit të Statistikës, Milaim Ademi, sqaron më tej shkaqet që mund të kenë çuar deri tek mospërputhja e të dhënave.

“Kjo është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar, sepse gjatë migrimeve që bëhen nga ai vendbanim në drejtim të qyteteve apo vendbanimeve tjera, bëhet evidentimi në të dyja vendbanimet, pra edhe në vendbanimin amë - atje ku ka lindur, dhe në vendbanimin e ri ku ai migron. Në këtë situatë bëhet dyfishimi apo rritet numri i votuesve”, tha Milaim Ademi, ish-zëvendësdrejtor i Entit të Statistikës.

Ndërsa, eksperti për çështje demografike, Asllan Selmani, thotë se në listën zgjedhore janë futur edhe njerëzit e vdekur apo edhe ata që kanë lindur, por që nuk jetojnë në Maqedoni.

“Në listat e votuesve, si duket, janë të futur edhe njerëzit që nuk jetojnë në Maqedoni, jo një vit, por edhe më shumë vite, por që nuk i kanë fshirë nga listat e votimit. Edhe më herët kur bisedonim për këto prebleme, kemi konstatuar se ekziston një numër, një shifër prej 80-180 mijë votuesish më shumë, sesa që janë realisht në vendin tonë. Këto probleme janë drastike, prandaj mendoj se Enti Shtetëror Statistikor duhet ta bëjë listën korrekte të mundshme për votuesit“, tha profesori Asllan Selmani.

Ai, por edhe zoti Ademi, ndajnë të njëjtin qëndrim se situatat e këtilla ndoshta bëhen edhe me qëllim, pasi nga to përfitojnë partitë politike e në veçanti ato që janë në pushtet, pasi shumë lehtë mund të arrijnë t'i përfitojnë votat e këtilla, e numri i të cilave mund të sillet në 200 mijë.
XS
SM
MD
LG