Ndërlidhjet

Jotransparenca dhe GJND-ja


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kanë mbetur më pak se dy muaj deri kur Kosova duhet të deponojë përgjigjen me shkrim në GJND, nga e cila Serbia ka kërkuar që të deklarohet mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, procesi nuk bëhet transparent për shkak të, siç thuhet, ndjeshmërisë së çështjes. Por, Ministria e Punëve të Jashtme siguron se shumë shtete do deponojnë përgjigje në favor të pavarësisë.


Ministria e Punëve të Jashtme nuk jep detaje mbi përgatitjet që po i bën Kosova në hartimin e përgjigjes me shkrim, që duhet deponuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në muajin prill, për të paraqitur argumentet pro pavarësisë së Kosovës.

Të gjitha palët kanë afat që deri më 17 shkurt të dërgojnë përgjigjet qofshin ato pro apo kundër rastit të Kosovës.

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku, i tha Radios Evropa e Lirë se ekziston një koordinim në rrafshin ndërkombëtar, në mënyrë që të sigurohen sa më shumë deponime në favor të palës kosovare.

“Për shkak të ndjeshmërisë, unë nuk mund të deklarohem në detaje për këtë, por siguroj qytetarët e Kosovës se institucionet po i përmbushin obligimet e tyre, në mënyrë që prezantimi i palës kosovare në GJND të jetë sa më i dinjitetshëm”, tha Çitaku.

Kohë më parë, përmes nje letre, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, u ka kërkuar 80 vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta mbështesin Serbinë, e cila inicioi çështjen e vlefshmërisë së shpalljes së pavarësisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, pala kosovare thotë se tashmë ka siguruar disa konfirmime për përgjigje në favor të Kosovës. Megjithatë, nuk jepen të dhëna për numrin e këtyre shteteve. Vlora Çitaku jep disa arsye pse ky proces nuk është më transparent.

“E para e punës është kërkesë e Gjykatës që të jemi të përmbajtur në deklarime dhe, e dyta, nuk do të donim që me përgjigjet tona t’i japim argumente për mënyrën se si po përgatitemi palës kundërshtare”,
tha Çitaku.

Pamje në Prishtinë
Ndryshe, eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se Kosova ka shumë argumente, që i japin legjitimitet shpalljes së pavarësuisë, e të cilat do të duhej të përfshiheshin në deklaratë.

“Mbi të gjitha, do të duhej të ofrohej baza ligjore, duke menduar në deklaratën universale, në konventat për të drejtat civile dhe politike dhe konventat tjera që i garantojnë një vendi të drejtën për vetëvendosje. Kosova do të duhej t’i ofronte GJND-së dokumente për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë, pastaj një historik të zhvillimeve kushtetuese dhe juridike në ish-Federatën Jugosllave, kur Kosova gëzonte statusin e njësisë federale e të ngjashme”,
tha Hoti.

Shumë mendojnë se padia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka bërë që të rritet hezitimi në mesin e vendeve që nuk kanë njohur Kosovën për ta bërë një gjë të tillë. Megjithatë, Hoti konsideron se cilido që të jetë vendimi i GJND-së, ai nuk do të mund të ndryshojë situatën në terren.

”Vendimi pozitiv i GJND-së do të ndikonte ndjeshëm në rritjen e njohjeve. Procesi para GJND-së do të ketë konsekuenca të natyrës politike, sepse pa marrë parasysh vendimet, situata në terren nuk do të ndryshojë dhe kjo u vërejt tashmë. Por, në frontin politik, procesi i njohjes pati ngecje. Përfundimi i procedurës në këtë Gjykatë do rrisë ritmin e njohjeve”, tha Hoti.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i kanë besuar Michael Woodit, nga Mbretëria e Bashkuar, drejtimin e ekipit ligjor të Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
XS
SM
MD
LG