Ndërlidhjet

logo-print

DASH publikoi raportin për të drejtat e njeriut

  • RFE /RL

Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

Logo e Departamentit Amerikan të Shtetit

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi gjendjen e të drejtave të njeriut gjatë vitit 2008, për Kosovën thuhet se të drejtat e njeriut përgjithësisht respektohen, ndonëse ka ende probleme në disa fusha të caktuara. Raporti mbi të drejtat e njeriut në botë është publikuar nga vetë sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.



Qeveria e Kosovës dhe administrata e Kombeve të Bashkuara në përgjithësi kanë respektuar të drejtat e njeriut, megjithëse ka ende probleme në disa fusha, veçanërisht në raport me komunitetet pakicë. Kështu thuhet në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut në vitin 2008.

Në mesin e çështjeve më serioze, në raport përmenden vdekjet dhe lëndimet e shkaktuara nga mjetet e pashpërthyera dhe minat tokësore, pastaj korrupsioni dhe ndërhyrja e Qeverisë në forcat e sigurisë dhe në sistemin e drejtësisë, paraburgimet e gjata dhe mungesa e proceseve gjyqësore, rastet e dhunshme me motive etnike dhe politike dhe antipatia shoqërore ndaj serbëve dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Raporti gjithashtu vë në pah edhe mungesën e përparimit në kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre, korrupsionin e Qeverisë, dhunën dhe diskriminimin ndaj grave, trafikimin e personave, veçanërisht vajzave të reja dhe grave për shfrytëzim seksual, dhunën shoqërore, abuzimin dhe diskriminimin kundër komuniteteve pakicë, diskriminimin shoqëror kundër personave me aftësi të kufizuara, abuzimin dhe diskriminimin kundër homoseksualëve dhe punësimin e fëmijëve në sektorin joformal.

Pamje në Prishtinë

Në raportin e Departamentit të Shtetit përmendet edhe rasti i letrës që organizata Human Rights Watch i ka shkruar Kosovës dhe Shqipërisë, duke kërkuar nga qeveritë e të dyja vendeve që të hetojnë akuzat për trafikimin e organeve të civilëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.


“Të dyja qeveritë kanë hedhur poshtë këto akuza”,
thuhet në raport, duke rikujtuar hetimet preliminare që janë zhvilluar, të cilat përfunduan pa ndonjë veprim të mëtutjeshëm.

Për lirinë e lëvizjes, raporti thekson vlerësimet e autoriteteve të rendit për një situatë stabile të sigurisë, por të brishtë.

“Nuk ka pasur krime të ndërlidhura me lirinë e lëvizjes që i janë raportuar policisë”, thuhet në raport, ku gjithashtu potencohet se pjesëtarë të të gjitha komuniteteve etnike qarkullojnë në ato vende ku grupet e tyre përbëjnë shumicën.

Në këtë kuadër, në Mitrovicë, serbët e Kosovës në veri dhe shqiptarët në jug të qytetit vazhdojnë t’i mbajnë të okupuara pronat e njëri-tjetrit në mënyrë të paligjshme, duke penguar kështu edhe kthimin e mundshëm.

Për korrupsionin, ndërkaq, në raport vlerësohet se ekziston një perceptim i gjerë në opinion për korrupsionin në Qeveri dhe në UNMIK.

“Mungesa e një mbikëqyrjeje efektive dhe ligjore dhe sundimi i dobët i ligjit në përgjithësi i kanë kontribuuar korrupsionit në kuadër të Qeverisë”,
thuhet në raportin e Departamentit Amerikan, i cili gjithashtu nënvizon se organizatat ndërkombëtare dhe ato joqeveritare kanë vazhduar të raportojnë se korrupsioni mbetet një problem serioz.

Sidoqoftë, raporti mbi të drejtat e njeriut në botë për vitin 2008 është publikuar nga vetë sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton.

Hillary Clinton, 25 shkurt '09.
"Si sekretare shteti, do të vazhdoj t’i përqendroj energjitë e mia në të drejtat e njeriut dhe do të angazhoj sa më shumë njerëz që mundem, që të më bashkohen në këto sfida tradicionale dhe jotradicionale. Kërkoj rezultate. Kërkoj sfida që në fakt do të përmirësojnë jetët e një numri të madh njerëzish, me shpresën se do të gjykohemi me kohë për rezultate të suksesesshme të këtyre përpjekjeve”, ka thënë zonja Clinton.

"Do të jetë kjo një përpjekje globale që tejkalon qeveritë. Synoj që të punojmë me organizata joqeveritare, biznese, liderë fetarë, shkolla e universitete, si dhe individë, të cilët mund të kenë një rol jetësor në krijimin e një bote, ku të drejtat e njeriut respektohen, pranohen dhe mbrohen”, ka thënë sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, e cila këtë raport tashmë ia ka dorëzuar edhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG