Ndërlidhjet

Haradinaj: Ndërmjetësimi në Ugandë – ndihmesë për Kosovën


Ramush Haradinaj
Ramush Haradinaj

"Besoj se është një ndihmesë për Kosovën dhe për mua personalisht. Po ashtu shpresoj që kjo do ndikojë që sa më shumë kriza apo konflikte të hapura në botë, të mbyllen", thotë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas kërkesave që të ndërmjetësojë në konfliktin e Ugandës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, ju keni shprehur gatishmërinë të ndihmoni në zgjidhjen e konfliktit në Ugandë. A mund të jepni më shumë hollësi rreth kësaj nisme?

RAMUSH HARADINAJ
Për një kohë tani vazhdojnë përgatitjet e mekanizmave relevantë ndërkombëtarë të involvuar në Ugandë, për të mundësuar dhe për të sjellë në tavolinë palët, për të filluar një dialog.

Në këto përgatitje jam përfshirë dhe unë dhe kam dhënë një ndihmë të caktuar, që të mund të ndodhë një negocim dhe të mund të zgjidhet konflikti në fjalë.

Në përgjithësi, sa i përket detajeve dhe vetë kornizave të negocimit, preferoj që palët e përfshira të japin qëndrimet e tyre dhe të gjitha pikëpamjet e tyre rreth negocimit, por e vërtetë është se ka një kohë që jam pjesë e përgatitjeve për një negocim atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Propozimin që ju të emëroheni si ndërmjetësues nuk e ka kundërshtuar as Qeveria e Ugandës, por ka ngritur shqetësimin se kujt do t’i raportoni në një situatë të këtillë. Kujt do t’i raportoni zoti Haradinaj?

RAMUSH HARADINAJ
Sipas asaj se si e kuptoj unë zhvillimin atje, palët duhet të vendosin për ombrellën e bisedimeve. Me këtë rast, unë kam dhënë pëlqimin tim që të jap pjesën time të punës dhe të kontributit në këtë konflikt. Mirëpo, palët – Qeveria e Ugandës dhe Forcat e ADF-së – ata vetë duhet të japin pëlqimin për ombrellën.

Unë jam në dijeni dhe deri më tani punojmë nën një ombrellë ndërkombëtare; ata duhet të vendosin se a do të vazhdojë kjo ombrellë që ka qenë pjesë e ndërtimit të një negocimi të mundshëm, apo duhet të kalojë në një ombrellë tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË

...që mund të jetë?

RAMUSH HARADINAJ
Ata duhet ta vendosin. Privohem nga prononcimet rreth kësaj, sepse ata vetë duhet të vendosin, por bëhet fjalë për organizata relevante ndërkombëtare, të përfshira në kontinent dhe në Ugandë.

RADIO EVROPA E LIRË

Sa do të ndikonte një zhvillim i këtillë në imazhin që Kosova ka në botë?

RAMUSH HARADINAJ
Në fakt, ne si Kosovë njihemi në botë, për shkak se kemi qenë në krizë vetë. Kemi marrë ndihmën e sinqertë të shumë popujve, të shumë qeverive, të shumë personaliteteve dhe kthimi i kësaj ndihme në një mënyrë jo vetëm që është i logjikshëm, por po ashtu është edhe një dëshmi se investimi ndërkombëtar në Kosovë ka sjellë edhe frytet e veta.

Do të thotë, ne kthehemi në ndihmesë. Besoj se është një ndihmesë për Kosovën, edhe për mua personalisht, por po ashtu shpresoj që kjo do të ndikojë që sa më shumë kriza apo konflikte të hapura në botë, të mbyllen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, të kthehemi tek çështjet në Kosovë, ku padyshim temë debatesh vazhdon të mbetet çështja e zgjedhjeve të përgjithshme. A mund të pritet që vendimi për mbajtjen e tyre të ndryshojë, ashtu siç keni kërkuar edhe vetë?

RAMUSH HARADINAJ
Unë besoj se vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve do të rishqyrtohet si i tillë dhe do të kthehet kalendari kohor, me toleranca të caktuara, por do të kthehet kalendari i zgjedhjeve i paraparë në bazë të pakos së Ahtisaarit.

E thashë me toelranca kohore me mundësi që të mbahen këtë vit në bazë të kalendarit kohor, që do të përputhej edhe me zgjedhjet komunale të 17 nëntorit të këtij viti, por edhe me mundësi që të ketë një ndarje në kalendarin zgjedhor, që zgjedhjet parlamentare të mbahen këtë vit më vonë ose në fillim të vitit që vjen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haradinaj, jeni një nga kritikët më të ashpër të Qeverisë në Kosovë. Cilat janë vërejtjet tuaja kryesore?

RAMUSH HARADINAJ
Vërejtja ime ose të them kritika ime për Qeverinë, burimin e ka në mungesën e një plani qeverisës - të qeveriset vendi për rritje të vlerave të Kosovës, të të gjitha vlerave të një demokracie, të cilësisë së qeverisjes, por edhe vlerave ekonomike, të sigurisë e të tjera, për të cilat njerëzit e vendit kanë shumë nevojë.

I mungon Qeverisë një plan i zbatimit, një plan veprues, me listën e veprimeve që janë shumë, të cilat do t'i mundësonin Kosovës, gjatë zbatimit të planit qeverisës, edhe avancimin e saj në planin e vet për anëtarësim në BE, ta zëmë me statusin e kandidatit për BE – në mënyrë vullnetare që do të buronte nga ne, dhe pa këtë, për mua vështirë se mund të kemi sukses si Kosovë, në një qeverisje të këtillë, në një shkollë të qeverisjes Thaçi.

Pastaj, një korrupsion-sistem që po ndodh në Kosovë është i pamundshëm pa involvimin e të parit të Qeverisë dhe të tavolinës së parë të Qeverisë. Mënyra e vetme që të luftohet korrupsioni, që të mos ndodhë korrupsioni, është mospërfshirja e të parit, sepse mospërfshirja e të parit ndikon në mospërfshirjen e të dytit, në mospërfshirjen e të tjerëve.

E përsëris, Kosova i ka dy sëmundje të rënda që e kanë përfshirë – është korrupsioni dhe është veriu i vendit, një gjendje e jashtëligjshme në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët veriun. Veriu padyshim vazhdon të mbetet një prej çështjeve më sfiduese në Kosovën e pavarur. Autoritetet tashmë kanë pranuar faktin se Kushtetuta në atë pjesë nuk po zbatohet. Cila mendoni se është rrugëdalja?

RAMUSH HARADINAJ
Aq sa duket e vështirë gjendja në veri dhe vendosja e gjendjes së rregullt atje, për bindjen time po aq është e lehtë. E lehtë për faktin se ka një vendim vendor dhe ndërkombëtar për vendosjen e rendit dhe të ligjit dhe të kushtetutshmërisë në të gjithë vendin.

Ky vendim vjen me vendimet e Kosovës për të shpallur veten shtet, me Kushtetutën e vendit, që është e përkrahur nga grupi drejtues i vendeve që kanë njohur Kosovën përmes ICO-së, Pieter Feith, dhe i përkrahur edhe me mandatin e EULEX-it, i besuar për të vendosur rend dhe ligj në vend.

Do të thotë, tani këmbehet zbatimi. Zbatimi kërkon zotësi të të menduarit, të kthehet në plan, një vendim politik institucional dhe një zotësi në zbatim. Po përsëris se gjërat janë thjeshtëzuar në shkallën e duhur që të mund të ndodhë zbatimi i rendit dhe ligjit në veri.

Në rast të një qeverisjeje Haradinaj, mendoj se kjo nuk do të ishte një çështje që do të na merrte kohë dhe nuk do të ishte një çështje që do të shkaktonte vështirësi shtesë në funksionimin e Kosovës, por do të mund të zgjidhej për shumë pak kohë.

Me vendosjen e rendit dhe të ligjit në veri – fillimisht me vendosjen e pikave të sigurisë, prezencë policore, e koridoreve të sigurta; në pika të sigurisë dhe koridore të sigurta do të përfshiheshin edhe doganat, pikat 1 dhe 31; pikat e sigurisë nuk do të vendoseshin në pozicion që do të pengonin qarkullimin e lirë, por do të ndihmonin qarkullimin e lirë dhe funksionimin e jetës në veri, duke i shtuar kësaj vendosjen e gjyqësorit dhe po ashtu një paketë, e quaj ekonomike dhe sociale, për qytetarët serbë të Kosovës në veri.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe për fund, një prej çështjeve që është ngritur së fundi është edhe varshmëria që institucionet vendore kanë në raport me strukturat ndërkombëtare. Dikush e quan varshmëri rënduese, dikush partneritet. Ju si do ta cilësonit?

RAMUSH HARADINAJ
Për bindjen time, është e panevojshme një varshmëri ndaj ndërkombëtarëve, sepse Kosova në koordinim e ka shpallur veten shtet, do të thotë me dakordim të ndërkombëtarëve, dhe Kosova pritet që vetë të mendojë, të planifikojë, të vendosë dhe t'i zbatojë detyrat e shtëpisë.

Pra, nuk ka logjikë që Kosova, për të menduar për detyrat e shtëpisë, për t'i planifikuar ato detyra, për të marrë vendime për to apo për t'i zbatuar, të ketë varshmëri nga ndërkombëtarët.

Në fakt, roli i ndërkombëtarëve në Kosovë është përkrahës kur Kosova mendon vetë, planifikon, vendos dhe zbaton. Dhe, ndërkombëtarët nuk kërkojnë një rol tjetër nga ne.
XS
SM
MD
LG