Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi miraton Rezolutë për integrime në BE


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon zotimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e standardeve të kërkuara për integrim në Bashkimin Evropian, thuhet në Rezolutën e miratuar. Me anë të këtij akti, Kuvendi zotohet se do t’i intensifikojë dhe përpjekjet në përmbushjen e kërkesave në procesin e stabilizim-asociiimit.


Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën për prioritetet dhe strategjitë e Kosovës për integrim në Unionin Evropian.

Të gjitha grupet parlamentare, pa dallim, kanë mbështetur këtë Rezolutë, duke vlerësuar se me miratimin e saj, Kosova edhe një herë po dëshmon gatishmërinë e saj për t'i plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme, për t'u përfshirë në bisedimet dhe marrëveshjet për integrimet evropiane.

Rezoluta është paraqitur nga deputetja Zylfije Hundozi, kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane, nga radhët e Grupit Parlamentar të AAK-së. Ajo tha se me këtë Rezolutë, Kosova shpreh gatishmërinë e saj për të ndërtuar vlera evropiane, për një Kosovë demokratike e të barabartë për të gjithë.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës rikonfirmon, nën një, zotimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e standardeve të kërkuara për integrim në Bashkimin Evropian. Zotohet se do të intensifikojë përpjekjet në përmbushjen e kërkesave në procesin e stabilizim-asociiimit, të cilat shpien në nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociiimit”, tha Hundozi.

Rezoluta njeh raportin e progresit në Kosovë të Komisionit Evropian dhe zotohet se ai do të zbatohet nga të gjitha institucionet vendore. Kjo Rezolutë u mbështet fillimisht nga Grupi më i madh parlamentar, ai i PDK-së, përmes deputetit Ramë Buja.

“Ne si grup parlamentar e kemi analizuar këtë dhe natyrisht për pozicionin në të cilin gjendemi si Kosovë, si shtet i ri, për sfidat që kemi, gjithsesi jemi në mbështetje të kësaj Rezolute dhe gjithmonë ndihmëtarë kudo që kërkohet në obligim, detyrim dhe ngarkesë, që të përmbushet në raport me këto sfida që i kemi përpara. Ne jemi për Rezolutën”, tha Buja.

Po ashtu, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës i dha mbështetje Rezolutës. Deputeti Bujar Bukoshi tha se barra kryesore në zbatimin e zotimeve që dalin nga kjo Rezolutë, bie mbi Qeverinë, duke rikujtuar se për zbatimin e tyre kërkohet një rrugë shumë e gjatë.

“Barra kryesore do të duhej t'i binte Qeverisë për t'i kryer këto punë. Ne e përkrahim atë dhe presim koordinim më të mirë dhe kjo Rezolutë natyrisht është më shumë një deklaratë e vullnetit politik dhe tingëllon mjaft solemne. Por, ka shumë punë dhe do të jetë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme”, vlerësoi Bukoshi.

I gjithë debati është përshkruar me mbështetje për Rezolutën, por edhe duke tërhequr vërejtjen se përcaktimi pro integrimeve nuk do të jetë i mjaftueshëm pa një angazhim të të gjitha institucioneve në drejtim të përmbushjes së kritereve evropiane për integrim.

Deputeti i LDD-së, Naser Rugova, kërkoi një angazhim më të madh në plotësimin e kritereve të përcaktuara si sfida, nga ana e Komisionit Evropian, në mënyrë që Kosova të marrë vlerësim pozitiv në procesin e studimit të fizibilitetit që do të bëhet sivjet.

“Vërejtjet që janë dhënë nga raporti i fundit i progresit nga Komisioni Evropian, të fillojnë të tejkalohen dhe përmirësohen, në mënyrë që të jemi të përgatitur për raportin e fizibilitetit që e pret Kosovën dhe institucionet e saj dhe këtu nuk duhet të ndahemi në pozitë e opozitë. Por, vërtet, ekzekutivi i vendit e ka përgjegjësinë më të madhe, sepse ky raport i fizibilitetit do të thotë shumë për dimensionet e ardhshme të integrimit të Kosovës në BE”, theksoi Rugova.

Ndryshe, Rezoluta e Kuvendit rithekson gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për bashkëpunim me mekanizmat e Bashkimit Evropian, si dhe zotohet për përmbushjen e rekomandimeve të Komisionit Evropian për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Gjithashtu fton institucionet e Kosovës që të shtrijnë autoritetin në gjithë territorin e Kosovës, në mënyrë që integrimit të Kosovës në BE t'i paraprijë integrimi i brendshëm i të gjitha komuniteteve që jetojnë në të.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG