Ndërlidhjet

Clinton: SHBA-të do t'i qëndrojnë pranë Kosovës


Hillary Clinton
Hillary Clinton

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, është takuar me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi. Ajo ka inkurajuar vendet që nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin atë që ajo e ka cilësuar si demokracia më e re shumetnike.



Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka uruar Kosovën në përvjetorin e parë të pavarësisë.

Në një konferencë për shtyp në State Department, Hillary Clinton e cilësoi Kosovën si demokracinë shumetnike më të re në botë.

Sekretarja amerikane e shtetit, këto komente i bëri pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministrin Hashim Thaçi.

Hillary Clinton tha se gjatë bisedimeve me mysafirët nga Kosova, ata kishin prezantuar vizionin e tyre për Kosovën shumetnike dhe demokratike.

Hillary Clinton, me këtë rast, vuri në pah se SHBA-të do t'i qëndrojnë pranë Kosovës. Ajo tha se pavarësinë e Kosovës deri më tash e kanë njohur 54 vende dhe inkurajoi edhe vendet tjera që të njohin këtë demokraci të re.

"Unë çmoj mënyrën se si presidenti dhe kryeministri kanë punuar me qetësi dhe maturi karshi sfidave lidhur me integritetin territorial", tha Hillary Clinton.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në fjalën e tij falënderoi sekretaren Clinton për takimin dhe vuri në pah mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve për Kosovën.

"Pa rolin e SHBA-ve dhe aleatëve, Kosova nuk do të ishte në këtë pikë të zhvillimeve", tha Sejdiu.

Ai shtoi se Kosova "tash një vjet është shtet multietnik i të gjithë qytetarëve me fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit".

Presidenti Sejdiu gjithashtu tha se Kosova është e angazhuar për t'u integruar në strukturat euro-atlantike dhe për miqësi të vazhdueshme me SHBA-të.

Kryeministri Hashim Thaçi, në fjalën e tij në konferencën për shtyp, duke iu drejtuar sekretares Clinton, tha se "populli i Kosovës do t'ju mbetet gjithnjë mirënjohës ju, popullit dhe Qeverisë amerikane për ndihmën dhe mbështetjen".

Duke folur për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, Thaçi ka shprehur bindjen se do të ketë njohje të reja dhe se Kosova po ndërton qeverisje të mirë, rend demokratik me qasje pozitive ndaj të gjitha pakicave.

Duke shfaqur bindjen se Kosova shpejt do të pranohet në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, kryeministri Thaçi tha se pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal.

Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi apostrofoi angazhimin e administratës së presidentit Clinton në vitet 1998-1999, kur me të gjitha mjetet e mundshme u ndal spastrimi etnik i Kosovës, dhe angazhimin e administratës së presidentit Bush për njohjen e pavarësisë.

Kryeministri Thaçi tha se marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-ve gjithnjë do të jenë të shkëlqyeshme, ndërsa populli i Kosovës përulet para popullit dhe Qeverisë amerikane për ndihmën që i ka dhënë.

Gjatë ditës, delegacioni i Kosovës është pritur edhe nga nënpresidenti amerikan, Joe Biden.
XS
SM
MD
LG