Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e Kosovës e respekton autoritetin e Gjykatës së Hagës dhe vendimin e saj, i cili ka provuar veprimet kriminale të lidershipit të Serbisë në Kosovë. Ndërkaq, reagimet tjera, qoftë nga ana e shqiptarëve, qoftë nga ajo e serbëve, janë se vendimi i Gjykatës së Hagës është ndikuar politikisht.


Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, për lirimin e ish-kryetarit të Serbisë, Milan Milutinoviq, nga akuzat, dhe shqiptimi i dënimit prej 15 deri në 22 vjet burg për 5 të akuzuarit tjerë, ish-zyrtarë të Serbisë, lidhur me krimet në Kosovë gjatë vitit 1999, ka nxitur reagime të ndryshme në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se Qeveria e Kosovës e respekton autoritetin e Gjykatës së Hagës, e cila, siç theksoi ai, ka provuar se në Kosovë ka pasur veprime kriminale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, të udhëhequra nga Qeveria apo lidershipi i Serbisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e respekton autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi. Po ashtu, është një lloj satisfakcioni për viktimat e shumta, për vuajtjet që ka pësuar populli shqiptarë prej këtyre udhëheqësve. Mendojmë se është një lloj mundësie për njerëzit që të kuptojnë se drejtësia, më në fund, vjen në vend. Natyrisht, sa më shumë që të ndodhë një denacifikim i tillë i politikës serbe, aq më shumë do të hapeshin gjasat që të krijohet paqe dhe stabilitet në rajon dhe mundësia e pajtimit në mes të popujve, të cilët kanë vuajtur për një kohë të gjatë nga politika agresive dhe gjenocidiale serbe”,
tha Kuçi.

Pamje në Prishtinë
Lidhur me vendimin e Gjykatës së Hagës janë shënuar edhe reagime, të cilat e kanë vlerësuar këtë vendim si politik, por nga pikëvështrime të ndryshme. Ahmet Isufi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e quan si nonsens lirimin e Milan Milutinoviqit nga akuzat, si dhe masën e dënimit të shqiptuar për 5 të akuzuarit tjerë.

“Ne konsiderojmë se Gjykata e Hagës është e ndikuar politikisht, sepse të lirohet kryetari i Serbisë, shtet i cili ka ushtruar gjenocid, krime dhe masakra në Kosovë, bashkëpunëtori më i afërt i Slobodan Milosheviqit, kjo është vërtetë ‘non-sens’. Këta të dënuarit janë dënuar sikur të ishin kriminelë të zakonshëm, në kuptimin individual të veprimeve të tyre. Por, këtu në Kosovë, Serbia ka vepruar si shtet, përmes aparatit policor dhe ushtarak. Prandaj, këta është dashur ta marrin dënimin maksimal që e parasheh Gjykata e Hagës”, shprehet Isufi.

Ngjashëm ka reaguar edhe Bexhet Shala, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë.

“Vendimi i Gjykatës është joreal. Nuk është as për së afërmi në përputhje me veprat për të cilat janë akuzuar. Vetë fakti që ai është liruar, Milan Milutinoviq, tregon qartë se Tribunali i Hagës nuk është i interesuar që ta çojë drejtësinë deri në fund, nuk është i interesuar që ta bëjë shpagimin për familjet që kanë pësuar gjatë luftës. Dhe, në njëfarë mënyre, jam shumë i sigurt se e ndikuar politikisht, është përpjekur ta bëjë një barazpeshim, duke i barazuar të akuzuarit serbë me të akuzuarit shqiptarë dhe me këtë gjykim ta mbyllë tërë atë që ka ndodhur në Kosovë”, tha Shala.

Në anën tjetër, veprimin dhe vendimet e Gjykatës i ka cilësuar si të ndikuara politikisht edhe Dragan Veliq, kryetar i Këshillit Nacional Serb në Kosovë. Sipas tij, Tribunali i Hagës ka, siç i quajti ai, binarë të dyfishtë dhe se e gjithë ajo që ka të bëjë me këtë tribunal, ka dozë të madhe të politikës dhe jo të drejtësisë.

“Duke thënë se ka konotacione politike, mendoj se do të dëshirojnë që në një mënyrë të bëjnë presion në Serbinë dhe për këtë shkak ndoshta edhe të orientohen shumë gjëra politike. Ne shpresojmë se, megjithatë, e gjithë kjo do të hyjë në disa korniza ligjore dhe kjo të mos përdoret për qëllime politike dhe presione mbi Serbinë ose për zgjidhjen e shumë çështjeve që kanë të bëjnë me këto hapësira”, përfundoi Veliq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG