Ndërlidhjet

Pse diskriminohen 120 magjistra të mjekësisë?


Rreth 120 magjistra të shkencave mjekësore në Kosovë janë pamundësuar të vazhdojnë doktoraturat. Ata thonë se për këtë padrejtësi që u është bërë, janë duke përgatitur padi ndaj Universitetit të Prishtinës dhe do të informojnë instancat përkatëse ndërkombëtare.


Ndryshimet në sistemin arsimor, të bëra në vitin 2004, dhe përpjekjet e institucioneve për reformimin e sistemit të lartë arsimor në Kosovë, kanë sjellë mjaft probleme për magjistrat e shkencave mjekësore.

Rreth 120 magjistra, të cilët kanë përfunduar këtë nivel me sistemin e mëparshëm të studimeve të larta, i cili deri më tani është aplikuar në Kosovë, kanë mbetur peng i paqartësive që aktualisht po ndodhin në këtë sistem, ku ka filluar të zbatohet sistemi i Bolonjës për studime të larta.

Zyrtarë të institucioneve të arsimit hedhin poshtë mundësinë që këtyre personave t’u pamundësohet doktoratura dhe mendojnë se duhet gjetur forma të tjera, në mënyrë që t'u mundësohet realizimi i këtij synimi edhe atyre që kanë përfunduar studimet me sistemin e mëparshëm që është zbatuar në Kosovë.

Përfaqësuesit e Universitetit të Prishtinës, veçanërisht ata të Rektoratit, ngurojnë të flasin për këtë çështje, duke thënë se ky problem nuk i takon këtij institucioni.

Njëri nga magjistrat që po ballafaqohet me këtë problem, kirurgu torakal, Shqiptar Demaçi, shpjegon një problem, i cili ka filluar që nga viti 2005.
Ai thotë se në vitin 2005, me vendim të Senatit të Universitetit të Prishtinës, është ndaluar procedimi që të merret tema e doktoratës. Dhe, sipas tij, me këtë ndalesë tani janë akumuluar qindra magjistër të shkencave mjekësore, të cilët në ndërkohë kanë përfunduar studimet e magjistraturës.

“Këtij problemi i shtohet një konkurs i ri në vitin 2005, i shpallur nga Fakulteti i Mjekësisë, ku janë pranuar 80 kandidatë të rinj doktorant; automatikisht ne që kemi qenë magjistra, ne kemi vazhduar në këtë shkollë, por kjo shkollë nuk ka filluar kurrë”, thotë Demaçi.

Problemi, sipas tij, është ndërlikuar edhe më shumë në janar të vitit 2009, me hapjen e një konkursi të ri për temën e doktoraturës sipas sistemit të Bolonjës, e i cili nuk ka lejuar që të gjithë kandidatët të marrin pjesë dhe të procedohen në konkursin publik.

Në këtë konkurs publik, siç vlerëson zoti Demaçi, mjekët janë përzgjedhur në mënyrë selektive, ngase, siç thotë ai, është marrë për bazë fakti se ata kanë qenë asistentë të rregullt me kontrata trevjeçare.

“Ky konkurs është i paligjshëm; është thyer konkursi duke thyer Nenin 7 të rregullores për studime të doktoratës - regullore kjo e cila është aprovuar në prill të vitit 2007”, thotë ai.

Megjithatë, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Qazim Hysenaj, thotë se nga ana ligjore janë të privuar që të marrin vendime lidhur më problematikën e doktoraturës. Ai thotë se deri më tani, Rektorati nuk ka ndonjë qëndrim lidhur me këtë problematikë.

Në bazë të konkursit të UP-së për studime të doktoraturës janë përcaktuar kriteret e vlerësimit - deri në 20 pikë fitojnë kandidatët për njohuri të gjuhëve të huaja dhe punës me kompjuter, deri në 30 pikë është marrë suksesi në studime themelore dhe të magjistraturës, si dhe kohëzgjatja e studimeve, deri në 50 pikë kanë qenë aktivitetet shkencore me publikme dhe prezantime shkencore në vend dhe jashtë vendit.

“Në Fakultetin e Mjekësisë për studime të doktoraturës kanë konkuruar 432 kandidatë, ndërsa janë eliminuar 143 në rangun e parë, pastaj në pjesën e dytë kur është bërë, kanë mbetur vetëm 70 kandidatë”, shpjegon Hysenaj.

Zoti Hysenaj bën të ditur se në ditën kur është caktuar testimi nga gjuha angleze, në listën e Rektoratit janë vërejtur disa ndryshime në momentin e fundit. Një pjesë e konsiderueshme me kontratë njëvjeçare, të cilët konsideroheshin punëtorë të rregullt të Fakultetit të Mjekësisë, nuk ishin inkuadruar në listë për hyrje në provim për doktoraturë, thotë zoti Hysenaj.

Mënyrat e ecurisë së përzgjedhjes së kandidatëve për doktoraturë të konkursit të 2007-ës, kritikohen dhe nga Aurora Bakalli, interniste dhe magjistër e shkencave mjekësore, e cila thotë se kulminacioni i padrejtësive të bëra nga Universiteti i Prishtinës, arriti po me shpalljen e atij konkursi dhe kritereve në të.

“Në këtë konkurs merret parasysh përfundimi i shkollimit master apo magjistraturë, publikimet shkencore dhe gjuhës së huaj. Në asnjë mënyrë nuk shkruhej që ata që do të përzgjidhen, do të jenë staf akademik i Universitetit të Prishtinës. Në këtë mënyrë, një numër të madh prej nesh na diskriminoi edhe Dekanati, edhe Rektorati. Shumë prej nesh që nuk kemi pasur as shanse që të konkurojmë në këtë konkurs, kemi më shumë poena duke u bazuar në ato kritere”, thotë ajo.

E prekur nga kriteret e ndryshuara dhe ndryshimet në kuadër të stafit akademik, është edhe magjistrja Sadije Namani.

“Na janë stopuar studimet e doktoraturës që nga viti 2005, pastaj vazhdoi me moszgjidhjen tonë në konkursin e vitit 2009, ndërprerjen në avancimin në arsim që nënkupton largimin tonë nga stafi akademik, pasi që rektori, që nga viti 2007, na largoi nga stafi akademik, duke na angazhuar me kontrata njëvjeçare, ku njëkohësisht anagazhoi asistentë të rinj me kontrata trevjeçare, të cilët nuk janë specialistë të lëndëve përkatëse”, thotë Namani.

Sipas saj, për katër vjet askush nga strukturat udhëheqëse nuk ngriti zërin për të treguar për reformat e gabuara që po ndodhin në arsim dhe tani "ne po i bartim pasojat, duke pamundësuar inkuadrimin në programet e studimeve të doktoratës".

Lidhur me gjithë këtë problematikë, Demaçi thotë se tani janë duke përgatitur padi penale ndaj Universitetit të Prishtinës - padi kjo që së shpejti pritet t’i dërgohet gjykatës kompetente.

“Meqenëse bashkësia ndërkombëtare njëkohësisht sponsoron UP-në, duhet ta dijë se në UP bëhen shumë parregullsi, të cilat na pengojnë që të procedojmë në hulumtimet tona shkencore. Ftojmë bashkësinë ndërkombëtare që ta rishikojë se si punohet në UP, se aty janë dhënë avancime të pamerituara", thotë ai.

Ndërsa, Aurora Bakalli thotë:

Kjo është një debakël për shtetin e Kosovës. Ne me sy tonë jemi duke parë padrejtësi shumë të madhe. Shpresojmë se do të vetëdijesohen dhe do të bëjnë diçka për të rregulluar këtë situatë”, thotë dokotoresha Bakalli.

Ministria e Arsimit
Megjithatë, për këshilltarin e Ministrisë së Arsmit, Shkencës dhe Tekonologjisë, Avdullah Aliaj, kjo është një situatë, e cila duhet të ketë zgjidhje. Aliaj, ndonëse nuk mund të japë një vlerësim se si mund të dilet nga situata aktuale, thotë se askush nuk mund të pengohet në studimet e doktoraturës.

Askush nuk guxon të qesë nga loja sistemin e vjetër të arsimit, por mund të përcaktojë kritere dhe procedura që duhet të ndiqen, në mënyrë që sistemi i vjetër, në njëfarë forme, të barasvlerësohet me sistemin e ri të Bolonjës”, theksoi Aliaj.

Zoti Hysenaj thotë se gjithçka duhet të shikohet në kuadër të rregulloreve përkatëse dhe procedurave që janë ndjekur brenda në universitet, në lidhje me procedurën e aplikimit të këtyre kandidatëve.

Eksperti për çështje të arsimt, Dukagjin Popovci, thotë se probelmi nuk qëndron tek sistemi i ri i arsimit, por qëndron tek mungesa e një tranzicioni të natyrshëm në mes të sistemit të vjetër dhe sistemit të ri.

“Janë lejuar të kalojnë 5 vjet pa u dhënë mundësi njerëzve që të kyçen, të inkuadrohen në punimin e tezave të tyre të doktoraturës, dhe tani është mbledhur një numër i madh i të interesuarve, të cilët Universiteti i Prishtinës nuk ka mundësi t'i pranojë të gjithë menjëherë. Mendoj se është pakëz vështirë që të kthehemi prapa, pasi që një ide e tillë është dashur të implementohet në vitin 2004, kur janë bërë ndryshimet e legjislacionit; pra, të lejohet një periudhë tranzitore më e gjatë”, deklaroi Popovci.

Sidoqoftë, kjo çështje pritet të ngritet edhe një herë në takimin e radhës së Senatit të Universitetit të Prishtinës. Nëse vendimi i Senatit është për t’iu përmbajtur rrjedhës së deritashme të doktoraturave, atëherë pritet përfshirja e Qeverisë së Kosovës.
XS
SM
MD
LG