Ndërlidhjet

Miratimi i Rezolutës për integrim në BE, sipas analistëve në Prishtinë, paraqet një hap pozitiv që tregon vullnetin politik për integrime. Por, njëkohësisht, analistët tërheqin vërejtjen se integrimi në BE është një proces i gjatë që kërkon reforma në të gjitha fushat.

Deklarimet e vullnetit politik nuk do t'i mjaftojnë Kosovës që të jetë e gatshme për procesin e integrimeve në Bashkimin Evropian, thonë analistët.

Profesori i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, vlerëson se Rezoluta e djeshme e Kuvendit për integrimin e Kosovës në BE, politikisht paraqet një hap pozitiv.

Por, ai rikujton institucionet se Kosova mbetet ende shumë larg këtij procesi, marrë parasysh gjendjen e saj të brendshme, politike, ekonomike e sociale. Kelmendi rikujton gjendjen në pjesën veriore të Kosovës, gjyqësorin e pareformuar kosovar, si dhe administratën ende jo moderne.

Duhet një punë e madhe në fushën ekonomike; për shembull papunësia është jashtëzakonisht e madhe. Duhet rregullim në fushën sociale, në fushën e legjislacionit, duhet të funksionojnë rendi e siguria, duhet të garantohet dhe sovraniteti dhe tërësia territoriale, si dhe integrimi i të gjitha minoriteteve që jetojnë në Kosovë; pastaj, në fushën e gjyqësisë - në qoftë se një lëndë këtu mbetet në gjykatë 10 vjet pa u zgjidhur, nuk ka të bëjë me përgatitjet e gjyqësorit, të cilat i kanë gjykatat në një vend tjetër të BE-së”, thekson Kelmendi.

Ndërkohë, Venera Hajrullahu, drejtore e Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile, vlerëson se Rezoluta paraqet një deklaratë që dëshmon konsensusin politik të të gjitha grupeve parlamentare dhe si e tillë është e dobishme.

Venera Hajrullahu thotë se çdo lëvizje që tregon gatishmërinë për integrime, është e mirëseardhur dhe pozitive, por njëkohësisht ajo e sheh si mangësi paraqitjen e afateve kohore për zbatimin e disa obligimeve dhe e sheh gati si të pamundshme përmbushjen e këtyre afateve kohore.

Mendoj se janë ambicioze në masë që e bëjnë të parealizueshme në kohë një pjesë të madhe të planit; konkretisht një numër i madh i veprimit, të propozuara sipas planit, do të ishte dashur të zbatohen në tremujorin e parë të këtij viti. Marrë parasysh se tani jemi në fund të shkurtit dhe Rezoluta dhe plani i veprimit sapo është prezantuar, vetvetiu e bën gati të pamundur arritjen e afateve kohore që janë parashtruar”, thekson Hajrullahu.

Si çështje më të ngutshme për Kosovën në procesin integrues, Venera Hajrullahu e sheh procesin e studimit të fizibilitetit, që pritet të bëhet nga Komisioni Evropian, për ta vlerësuar pozicionin e Kosovës karshi BE-së.

Mendoj se sfida më urgjente aktualisht në agjendën e integrimit evropian për Kosovën qëndron në raport me realizimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën. Do të thotë, nga një raport fizibiliteti kalohet në një studim të situatës socio-ekonomike të Kosovës, që hulumton mundësitë e lidhjes së marrëdhënieve kontraktuale me BE-në, por gjithsesi cilado formë duhet të shtyhet, sepse aktualisht ende nuk kemi asgjë konkrete në raport me këtë studim”, thotë Hajrullahu.

Në anën tjetër, Muhamet Kelmendi thotë se të gjitha vendet e këtij rajoni janë shprehur aq shumë herë të gatshme për integrime, por kur kanë filluar procesin e bisedimeve me BE-në, kriteret e kërkuara kanë dëshmuar se rruga e tyre do të jetë shumë e gjatë, duke e përfshirë në këtë rreth edhe Kosovën.

Unë dëshiroj që institucionet e Kosovës të bëjnë mobilizimin e forcave të afta, të cilat kanë njohuri në lidhje me fushat e tilla, t'i mobilizojnë në kuadër të Qeverisë për t'i zgjidhur këto probleme, për të krijuar një terren të përshtatshëm, që në të ardhmen, jo të afërt, por të largët, ndoshta pas 10 vjetëve, të anëtarësohemi në kuadër të BE-së. Këto çështjet tjera, si deklarimet politike të Kuvendit, kryetarit apo kryeministrit, janë vetëm deklarime të qejfit dhe çdo kush ka dëshirë që të integrohemi shpejt, por kjo është një punë shumë e madhe”, vlerëson Kelmendi.

Ndryshe, me këtë Rezolutë, Kuvendi i Kosovës rikonfirmoi gatishmërinë e institucioneve për përmbushjen e kritereve për integrim në BE. Po ashtu, Rezoluta kërkon fuqizimin e dimensionit evropian në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, parasheh reforma në gjyqësi, si dhe shtrirjen e autoritetit qeverisës në gjithë territorin. Sidoqoftë, ajo nuk paraqet një akt obligativ, por paraqet vullnetin politik të institucioneve.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG