Ndërlidhjet

EULEX-i po shqyrton të gjejë një, siç thuhet, zgjidhje pragmatike lidhur me përdorimin e vulave të Republikës së Kosovës në gjykatat në veri, meqë ato po kundërshtohen nga serbët lokalë. Qeveria e Kosovës hedh poshtë një mundësi të tillë.


Kundërshtimi i ligjeve të Republikës së Kosovës nga serbët në veriun e Kosovës, ka bërë që EULEX-i të shqyrtojë përdorimin e vulave të shtetit kosovar nga gjykatësit e EULEX-it.

Serbët kanë protestuar edhe sot para objektit të Gjykatës Komunale dhe asaj të Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës, duke kërkuar mosaplikimin e ligjeve dhe vulave të Republikës së Kosovës në organet e drejtësisë të vendosura në këtë pjesë.

Vetë zëdhënësi i misionit evropian për sundimin e ligjit (EULEX), Christophe Lamfalussy, ka bërë të ditur se çështja e përdorimit të vulave paraqet një problem dhe se do të merren parasysh shqetësimet e serbëve lokalë.

“Është problem për ne, sepse, siç e dini, në pjesën serbe të Mitrovicës zyrtarët nuk janë të kënaqur me këtë. Kështu që ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje për çështjen e vulave dhe shpresojmë që të ketë zgjidhje”,
ka thënë Christophe Lamfalussy.

Por, i menjëhershëm është reagimi nga Ministria e Drejtësisë. Ministrja Nekibe Kelmendi paralajmëron se nëse hiqet dorë nga vulat e Republikës së Kosovës, ato gjykata do të konsiderohen paralele.

“Gjykatat e Kosovës janë gjykata unike, sistemi i drejtësisë, sistemi gjyqësor është unik. Kosova është republikë, shtet i pavarur dhe duhet të përdoren vetëm e vetëm vulat e Republikës së Kosovës. EULEX-i është monitorues, është këshillues, është vëzhgues, mirëpo nuk i ka vulat e veta. Ndoshta i ka në ndonjë logo të veten, apo të BE-së. Mirëpo, vendimet vetë EULEX-i i merr në emër të Republikës së Kosovës, në emër të popullit, me vula të Republikës së Kosovës. E tash, nëse kjo nuk lejohet, që vendimet e tyre të vulosen me vulat e Republikës së Kosovës, atëherë cila është arsyeja për të konsideruar se nuk qenka gjykatë paralele?”,
u shpreh Kelmendi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Punonjësit serbë të drejtësisë, të cilët përmes protestave po kundërshtojnë aplikimin e ligjeve kosovare, e kanë cilësuar sot EULEX-in si dorë të zgjatur të institucioneve të Kosovës.

Gjykatat në Mitrovicë

Nikolla Kabashiq, gjykatës serb, thotë se është e papranueshme që prokurorët dhe gjykatësit e EULEX-it po i shfrytëzojnë vulat e Republikës së Kosovës e ligjet e saj dhe që vendimet po i marrin në emër të popullit të Republikës së Kosovës.



“Konsiderojmë se kjo për komunitetin tonë është e papranueshme. Duke vepruar kështu, EULEX-i del nga mandati i tij si neutral karshi statusit. Gjykatësit e EULEX-it mund vetëm të këshillojnë, të japin ndihmë”,
thotë Kabashiq.

Zyrtarë të EULEX-it nuk janë të prerë në lidhje me qëndrimin e tyre në të ardhmen.

“Po mundohemi që të gjejmë qasje pragmatike për të adresuar shqetësimet në pjesën serbe të Mitrovicës dhe po mundohemi që të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Christophe Lamfalussy.

Përfaqësuesit e Qeverisë vlerësojnë përpjekjet e EULEX-it për të vendosur sundimin e ligjit në pjesën veriore të kontrolluar nga strukturat paralele serbe. Por, Nekibe Kelmendi thotë se janë disa kufi që nuk guxojnë të shkelen.

“Është për t’u vlerësuar përpjekja e tyre për t’i funksionalizuar ato gjykata, mirëpo jo me çdo kusht. Ato duhet të jenë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Suksesi i EULEX-it do të jetë nëse arrin që t'i integrojnë ata (serbët) në sistemin unik të Kosovës. Në të kundërtën, ata nuk do tregojnë kurrfarë suksesi, sepse prapëseprapë konsiderohen si gjykata paralele, përkatësisht si gjykata të ndara, sikur që pretendonin fillimisht se duam të punojmë me UNMIK-un e jo me EULEX-in. Meqë UNMIK-u i ka kaluar të gjitha kompetencat te EULEX-i, atëherë i bie se këta janë pjesë e ndarë e sistemit”, tha Kelmendi.

Në gjykatat në veri të Kosovës aktualisht punojnë vetëm gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it. Serbët patën bojkotuar punën në këto gjykata në veri një vit më parë, në kundërshtim të shpalljes së pavarësisë, përderisa shqiptarët nuk u patën lejuar që të ushtronin veprimtarinë në objektet në veri për të evituar incidentet e mundshme. Një pjesë e stafit shqiptar të Gjykatës së Qarkut ende punon me kapacitet jo të plotë në Vushtrri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG