Ndërlidhjet

Clinton bën thirrje për paqe në Lindjen e Mesme


Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se ndihma për Gazën duhet të jetë pjesë e përpjekjeve më të gjera për ndërtimin e paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Ajo i bëri këto komente në Konferencën e donatorëve në Egjipt për rindërtimin e Gazës.

Clinton shpalli se Shtetet e Bashkuara do të japin ndihmë prej 900 milionë dollarësh, dhe tha se janë vënë kufizime të rrepta për të siguruar se fondet nuk do të shkojnë te Hamasi, grup islamist që e qeveris Gazën.

"Duke u zotuar për këto fonde, ne ndjekim qasje afatshkurtër dhe afatgjatë. Nuk mjafton vetëm t'u përgjigjesh nevojave urgjente të popullit palestinez. Përgjigja jonë ndaj krizës së sotme në Gaza nuk mund të ndahet nga përpjekjet tona më të gjera për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse", tha Clinton.

Zotimet e përgjithshme në konferencën një ditore pritet të tejkalojnë shumën prej 3 miliardë dollarë.

Vërsulja e Izraelit në Gaza shkatërroi shtëpi, spitale, shkolla dhe infrastrukturë tjerë, ndërsa la më shumë se 1.300 palestinezë të vdekur.
XS
SM
MD
LG