Ndërlidhjet

logo-print

Autoritetet vendore vazhdojnë të jenë në kërkim të një zgjidhjeje për të adresuar pakënaqësitë e ish-pjesëtarëve të TMK-së, të cilët nuk arritën të përzgjedhen në Forcën e Sigurisë. Nisma e fundit ka të bëjë me hartimin e një liste me vende pune për ata që s'i përmbushën kriteret për FSK.

Anëtarët e Komisionit parlamentar për Siguri i kanë rekomanduar Qeverisë dhe mekanizmave të tjerë vendorë e ndërkombëtar, të përfshirë në procesin e shpërbërjes së TMK-së, që t’i rishikojnë lëshimet eventuale që janë bërë gjatë procesit të shpërbërjes së kësaj trupe.

Rrustem Mustafa kryetari i Komisionit për Siguri thotë se rekomandimet, të cilat i janë dhënë Qeverisë dhe mekanizmave të tjerë nga ky komision duhet të merren parasysh.

“Kemi dhënë një listë të vendeve ku ushtarët mund të punojnë. Kemi kërkuar edhe njëherë të shqyrtohet nëse ka pasur gabime, megjithëse ne e dimë se gabimet kanë qenë shumë të vogla”.


“Ne, njihemi mirë me krijimin e Forcës së Sigurisë. Dëshirojmë që mos me mbet adresa e problemit Ministria e Forcës së Sigurisë dhe kapaciteter e FSK-së. Por, ata ta bëjnë punën e vet. Kurse me pjesëtarët që kanë mbetë jashtë me u marrë presidenti, kryeministri, kryeparlamentari dhe mekanizmat e tjerë të shtetit”, tha Mustafa.

Nga përgjegjësit institucionalë, ky komision ka kërkuar që pjesëtareve të mbetur jashtë FSK-së t’u krijohet mundësia e punësimit shtetëror në administratën publike, policinë e Kosovës, doganat e Kosovës, Agjencinë Kosovare për Inteligjencë si dhe në ndërmarrjet publike Postë, Korporatë Energjetike dhe aeroport.

Këto rekomandime zoti Mustafa i konsideron si një lloj mundësie dalëse nga gjendja e krijuar kohëve të fundit nga pakënaqësia e pjesëtarëve të TMK-së. Ai ka shprehur optimizmin e tij, se qeveria do t’i marrë parsyshë sugjerimet e komisionit.

“Unë, mendoj që duhet të mirëpriten, jam optimist. Kemi raste kur qeveria është falënderuar për rekomandimet që i kemi dërguar dhe tash të shohim se si do të procedohet me tutje, mirëpo besojmë që është zgjidhje e mirë”,
tha Mustafa.

Nga ana tjetër, Ardian Mehmeti, ish- pjesëtar i TMK-së dhe anëtar i këshilli organizativ të protestave thotë se rekomandimet e dala nga komisioni për siguri i Kuvendit të Kosovës, janë mirëpritur nga ish-pjesëtaret e TMK-së.

“Zgjidhja me e mire për ne kishte me qenë të jipet shansi i barabartë me të tjerët që janë pranuar, në mënyrë që të zgjidhet kuadri me kualitativ për të qenë pjesë e FSK-së”.

“Kishte me qenë mirë që të merret shteti pak më seriozisht dhe të sistemohemi nëpër organizata të tjera publike si aeroporti, KEK...”, tha Mehmeti.

Megjithatë, zoti Mehmeti, konsideron se pjesëtarët e TMK-së, më shumë janë të interesuar që të jenë pjesë e FSK-së, pasi që siç pohon ai, ushtarët janë trajnuar për punët që u takojnë atyre.

“Pikë së pari ne kemi kërkuar të drejtat tona legjitime që pas 10 viteve trajnimi, përkushtimi në TMK, të na jipet shansi që edhe me tutje të vazhdojmë të kontribuojmë në FSK, sepse në atë lëmi jemi të specializuar”, tha Mehmeti.

Çështja e shpërbërjes së TMK-së është trajtuar edhe në takimin përfaqësuesve të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën, i cili është mbajtur javën e kaluar në Vjenë. Pjesëmarrësit në këtë takim janë dakorduar që shpërbërja e TMK-së duhet të bëhet në mënyrë të dinjitetshme dhe të jetë në përputhje me të gjithë faktorët relevantë në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG