Ndërlidhjet

"Serbët bllokojnë drejtësinë e EULEX-it"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
BOTA SOT
“EULEX-i duhet të zbatojë ligjet e Kosovës, ndërsa serbët janë në iluzione se mund ta mbajnë UNMIK-un”, vlerëson Nekibe Kelmendi, ministre e Drejtësisë në intervistën për “Bota sot”. Ministrja Kelmendi thotë po ashtu se nuk është mirë të lejohet të ndodhin probleme në godinat e organeve të drejtësisë e gjyqësorit në veri të Mitrovicës. “EULEX-i duhet të jetë i vendosur që të shkojë përpara me mbajtjen e gjykimeve, sepse nuk mund të pengohet një mision ndërkombëtar dhe institucionet e një shteti që të ushtrojnë pushtetin e tyre gjyqësor në veri të Mitrovicës”, thotë Kelmendi, pasi serbët bllokuan objektin e Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës. Zyrtarë të EULEX-it, të premten, deklaruan se ata do të mund të heqin dorë nga përdorimi i vulës së Republikës, në të mirë të arsyeve praktike...

EXPRESS
Në orën 02:10 është lëshuar një komunikatë për media, nëpërmes së cilës është njoftuar për arritjen e marrëveshjes për ndërprerjen e grevës në sektorin e shëndetësisë. Grevistët janë pajtuar me premtimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e komisioneve që do të shqyrtojnë kërkesat e sindikalistëve. Në fakt, sindikalistët më parë kanë qenë të vendosur që ta vazhdojnë grevën dhe mos të lëshojnë pe përball premtimeve të Qeverisë. Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, u zotua për angazhime konkrete të Qeverisë, në mënyrë që problemet e grumbulluara në sektorin e shëndetësisë të zgjidhen me një dinamikë të përshpejtuar. “U arrit pajtim i përbashkët që t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës që të formojë një grup pune të përbërë nga deputetë, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të FSSHK-së për ofrimin e zgjidhjeve për problemet në shëndetësi”, thuhet në njoftim...

KOSOVA SOT
Që nga fillimi i procesit të privatizimit në Kosovë e deri më tani, asnjë nga 418 ndërmarrjet e privatizuara nuk është likuiduar, gjë e cila do të shënonte kapitullin përfundimtar për këtë proces. As në të kaluarën, në kohën e ish-AKM-së, ky proces nuk ka ecur si duhet, as tani që kompetencat janë bartur te vendorët në AKP, në këtë drejtim ka vonesa. Ndërsa, edhe në mbledhjen e fundit të Bordit të AKP-së, ndonëse çështja e kthimit të Fondit të privatizimit ka qenë në agjendë, asnjë vendim lidhur me këtë çështje nuk është marrë. “Në mbledhjen e fundit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit është diskutuar në lidhje me Fondin e privatizimit, mirëpo nuk është marrë ndonjë vendim lidhur me këtë çështje”, thotë Zana Haxha. Zyrtarja për informim në APK, Zana Haxha, thotë se AKP-ja është e angazhuar për rithemelimin e 120 komiteteve, të cilat do të merren direkt me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve të privatizuara, porse një gjë e tillë merr shumë kohë, pasi që, sipas saj, ish-AKM-ja nuk ka arritur të likuidojë asnjë nga ndërmarrjet e privatizuara...

EPOKA E RE
Ish-punonjësit e sistemit gjyqësor jugosllav kanë bllokuar rreth tri orë e gjysmë Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, duke pamundësuar të mbahet seanca e parë gjyqësore pas trazirave të marsit 2008, nën drejtimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të EULEX-it. Zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy, ka thënë për “Epokën e re” se gjykimi, i cili ishte paraparë të mbahej të hënën, është shtyrë për çështje sigurie. “Për fat të keq, gjykimi, i planifikuar të mbahej të hënën, u desh të shtyhej për shkaqe sigurie. Ne nuk donim t’i ekspozonim njerëzit e përfshirë në gjykim, përfshirë gjykatësit, avokatët dhe të ndaluarit. Ne po kërkojmë mënyra se si ta zgjidhim çështjen paqësisht. Ne nuk do ta zbatojmë sundimin e ligjit me forcë por me dialog”, ka thënë Lamfalussy...

ZËRI

Ndonëse ka kaluar një vit nga shpallja e pavarësisë, tregu i Kosovës është i stërmbushur me cigare, banderolat e të cilave edhe më tutje mbajnë logon e UNMIK-ut. Vendosja e banderolave me logo të UNMIK-ut në pakot e cigareve kishte ndodhur vite më parë, gjatë mandatit të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut, mirëpo me hyrjen ne fuqi të Kushtetutës së Kosovës (më 15 qershor 2008), ka ndodhur edhe bartja e kompetencave nga Shërbimi Doganor i UNMIK-ut në doganat e Kosovës. Zyrtarët e Doganave të Kosovës pranojnë se në banderolat e cigareve që gjenden në tregun e vendit edhe më tutje figuron logoja e UNMIK-ut, mirëpo, sipas tyre, një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të stoqeve të mëdha me cigare që ekzistojnë në Kosovë nga viti kaluar. “Vitin e kaluar janë importuar cigare, e cila sasi ende nuk është shitur, prandaj, edhe më tutje në banderola figuron logoja e UNMIK-ut, e jo e Republikës së Kosovës”, ka thënë dje për “Zërin” zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci...

LAJM
Askush nga përfaqësuesit e institucioneve, por as ata të opozitës, nuk e dinë një rast të vetëm, përveç atij të Republikës së Kosovës, që ambasadorët zgjidhen përmes konkursit. Mungesa e vizionit nga institucionet për të hapur më herët shkollë diplomatike që do t’i përgatiste kuadrot për shërbim diplomatik, ka “detyruar” Qeverinë që nëpërmjet konkursit t’i rekrutojë ata që vlerësohen në intervista. Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku, tha të hënën për “Lajm” se arsyeja pse Kosova e ka të rregulluar me ligj që për ambasadorët të ketë konkurs, është sepse një gjë e tillë po bëhet për herë të parë. “Ne nuk kemi shërbim diplomatik, që të kemi mundësi të zgjedhim mes tyre, pa konkurs, andaj është dashur të bëhet në këtë formë. Shtetet tjera kanë staf diplomatik dhe konkurset i hapin brenda këtij stafi. Ndërsa ne, për shkak që s’kemi një staf të këtillë, është dashur të shkojmë në këtë formë rekrutimi”, tha ajo...

KOHA DITORE

Ka dështuar përpjekja e parë e EULEX-it për të filluar punën në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Seanca gjyqësore e planifikuar për t’u mbajtur të hënën ndaj dy të akuzuarve serbë për veprën penale të grabitjes është anuluar për shkak të protestës së punëtorëve serbë të kësaj gjykate. Gjykatës, prokurorë dhe stafi administrativ kanë protestuar kundër vendosjes së sistemit gjyqësor të EULEX-it në veri, duke kërkuar njëherësh funksionimin e gjashtëpikëshit të sekretarit të përgji thshëm të OKB-së Bani Ki-moon. Seanca që ishte paraparë të udhëhiqet vetëm nga punonjësit e misionit për drejtësi të BEsë, kishte për autorë dy nga gjashtë personat e burgosur në Burgun e Mitrovicës, Vladimir Jovanoviq dhe Mirolub Nikoliq, të cilët javën e kaluar kishin hyrë në grevë urie pikërisht për shkak të mosfunksionimit të gjykatës dhe pamundësisë së mbajtjes së gjykimeve ndaj tyre. Tre gjykatës dhe një prokuror i EULEX-it kanë pritur me orë të tëra për të filluar procesin gjyqësor. Por ata nuk janë lejuar të shkojnë në gjykatë nga stafi serb, të cilët kishin bllokuar dy hyrjet e gjykatës për afro 4 orë. Burime të gazetës nga gjykatat në veri dhe policia kanë njoftuar në kushte nonimiteti se tre përfaqësues të gjykatave paralele serbe janë ftuar më pas nga përfaqësues të EULEXit që të bisedojnë rreth kërkesave të protestuesve.
XS
SM
MD
LG