Ndërlidhjet


Në orët e hershme të ditës së sotme, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës kanë arritur një marrëveshje për ndërprerjen e grevës shtatëditore.

Nënkryetari i Federatës se Shëndetësisë, Jahir Mulolli, thotë se marrëveshja është arritur për krijimin e komisioneve, që do të shqyrtojnë kërkesat e sindikalistëve.

“Kemi marrë premtimin e Qeverisë se do të implementohet marrëveshja 100 për qind, kurse do ta monitorojë Këshilli për të drejtat e njeriut. Çdo muaj, Qeveria do t’i raportojë Këshillit për të drejtat e njeriut se sa është implementuar marrëveshja. Jemi marrë vesh që të formohen grupet e ekspertëve nga Parlamenti, të cilat do ta bëjnë një projekt për zgjidhjen e të gjitha problemeve në shëndetësi. Kjo është esenca e asaj”, shpjegoi Mulolli.

Kërkesat e sindikalistëve ishin: rritja e pagave për 50 për qind, kthimi në procedurë i miratimit të Ligjit të punës, Ligjit të sigurimeve shëndetësore, Ligjit për grevën, Ligjit të organizimit sindikal, si dhe Ligjit të pagave. Nuk dihet nëse do të përmbushen të gjitha këto kërkesa.

Zoti Mulolli pohon se nga kryeministri i Kosovës janë dhënë premtime që do të ketë një angazhim të shtuar nga ai për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi.

“Ne kemi marrë premtimin e kryeministrit, i cili personalisht është angazhuar. Është marrë zotimi se sot do të thirren zyrtarët e komunave dhe do të fillojë teknikisht të zgjidhet problemi edhe për Qendrat Familjare. Kurse, për sektorin dytësor dhe tretësor nuk do të ketë ngecje, por do të vazhdojë pagesa edhe draftimi i ligjeve, të cilat i parasheh marrëveshja”, tha Mulolli.

Sipas zyrtarëve të Qeverisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është zotuar për një angazhim më të madh, në mënyrë që problemet në shëndetësi të zgjidhen sa më shpejt. Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë, shpjegon:

“Është arritur një pajtim që dialogu social është e vetmja mënyrë që të zgjidhen problemet dhe të adresohen kërkesat legjitime - jo përmes presioneve apo grevave. Edhe një herë janë dhënë zotimet e kryeministrit, siç është deklaruar, se shëndetësia është ndër prioritetet strategjike të Qeverisë, që do të vazhdohet me implementimin e agjendës paraprake për shëndetësinë e Kosovës”,
tha Krasniqi.

Zoti Krasniqi pohon se është arritur pajtim i përbashkët që t’i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës që të formojë një grup pune - të përbërë nga deputetë, ekspertë të fushës dhe përfaqësues të FSSHK-së, për ofrimin e zgjidhjeve për problemet në shëndetësi.

“Ne kemi një mirëkuptim, një besim të ndërsjellë dhe besojmë se me angazhime të përbashkëta, do të arrihet një sukses shumë më i madh, sesa në të kaluarën”, theksoi Krasniqi.

Mirëpo, sindikalistët e shëndetësisë, gjatë pasdites së sotme, kanë thënë se vendimi për ndërprerjen e grevës do të rishqyrtohet. Zëdhënësi i Federatës së Shëndetësisë, Jeton Demi, thotë se një vendim i tillë ka ardhur pasi që Qeveria ka bërë presion të madh te sindikalistët për ndërprerjen e grevës.

“Vendimi i mbrëmshëm duhet të rishqyrtohet, pasi që ka qenë i mbajtur në kushte jonormale të sindikalizmit. Përveç presioneve, kuptohet të dhjetë orëve kontakt me kryeministrin, mbajtja e votimit për një vendim të tillë në kryeministri është vlerësuar si një vendim në kushte jonormale”, tha Demi.

Greva e mjekëve kishte hyrë në ditën e shtatë, kurse përfaqësuesit e sindikatës paralajmëruan edhe protesta nëpër rrugë nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG