Ndërlidhjet

EULEX-i të nisë punën e gjykatave


Pjesëtarë të EULEX-it
Pjesëtarë të EULEX-it

Përpjekjet e misionit të EULEX-it për rifillimin e punës së gjykatave në veri të Kosovës nuk duhet të ndalen e as të ndikohen nga presionet nga jashtë, thonë përfaqësuesit e institucioneve dhe ata të opozitës në Prishtinë, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë.

Institucionet e Kosovës e inkurajojnë EULEX-in që të kryejë mandatin e vet që ka në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, duke mos u ndikuar nga presionet nga jashtë.

Deklarimet e përfaqësuesve të institucioneve dhe atyre të opozitës e pasojnë shtyrjen e rifunksionalizimit të gjykatave në pjesën veriore të Mitrovicës nga EULEX-i, pas presioneve nga serbët lokalë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se është shumë e qartë që në pjesën veriore ka shumë sfida, por ai pret që misioni i BE-së të shtrijë në rend të parë misionin e vet në veri të Kosovës.

“Është e qartë se EULEX-i ka vështirësi në shtrirjen dhe kryerjen e përgjegjësive të veta në atë pjesë të Kosovës. Ne besojmë se kjo ishte një vështirësi e radhës, por EULEX-i për të funksionuar në kuptimin më të mirë të fjalës në gjithë hapësirën e Kosovës, duhet të funksionojë aty ku ka nevojë më së tepërmi. Dhe, nevojë më të madhe për të ndikuar dhe shtrirë pushtetin e vet, EULEX-i ka në atë pjesë të Kosovës”, thotë Krasniqi.

Edhe Qeveria e Kosovës, përmes zëdhënësit Memli Krasniqi, e ka vlerësuar si shumë të rëndësishme fillimin e punëve për kthimin e normalitetit në gjykatat në veri. Krasniqi thotë se pakënaqësitë e disa serbëve lokalë nuk duhet të shihen si pengesa të funksionimit të institucioneve.

Ndërkaq, deputetja opozitare nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gjylnaze Syla, thotë se pritjet nga EULEX-i janë që në gjykatat në veri duhet të kthehen të gjithë gjykatësit e prokurorët, si ata vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë, në mënyrë që organet e drejtësisë të punojnë dhe funksionojnë pa ndikime dhe presione nga jashtë.

“Funksionalizimi nuk nënkupton vetëm stafin apo vetëm një pjesë të stafit, qoftë vetëm EULEX-i ose vetëm gjyqtarë serbë, por duhet të jetë i plotë dhe të marrin pjesë dhe gjyqtarët dhe prokurorët shqiptarë, të kthehen në vendet e tyre të punës dhe puna e gjykatave të fillojë sa më shpejt. Arsyeja tjetër është se me shtyrje, jepet mesazhi se përmes presioneve mund të ndalohet funksionalizimi i gjykatave në veri”, thekson Gjylnaze Syla.

Gjykata në Mitrovicë
Në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, aktualisht ka vetëm disa gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë. Aty, që nga marsi i vitit të kaluar, nuk punon stafi vendor, pas protestave të dhunshme të serbëve, në përpjekje që t’i uzurpojnë gjykatat, të cilat u pasuan edhe me ndërhyrjen e UNMIK-ut për kthimin dhe rimarrjen e këtyre objekteve nga serbët.

Pas një pauze të gjatë, dje ishte paraparë që EULEX-i të niste procesin gjyqësor ndaj dy serbëve të dyshuar, por kjo u përcoll me protesta, kështu që për shkaqe sigurie, gjykimi dhe rifillimi i punës së gjykatës është shtyrë për kohë të pacaktuar.
XS
SM
MD
LG