Ndërlidhjet

Gay: Reduktimi i KFOR-it në gjithë Kosovën


Giuseppe Emilio Gay

Giuseppe Emilio Gay

Komandanti i KFOR-it, Guiseppe Emilio Gay, thotë se reduktimet e paralajmëruara të trupave të misionit të NATO-së në Kosovë do të bëhen në të gjithë Kosovën. Policia e Kosovës njofton se tanimë ka marrë një pjesë të përgjegjësive nga KFOR-i.


“KFOR-i është në fazën e reduktimit të trupave të tij në Kosovë dhe ky reduktim do të bëhet në tërë Kosovën”. Kështu deklaroi komandanti i KFOR-it, Guiseppe Emilio Gay, të martën në Prishtinë.

Ai tha se reduktimi i trupave të NATO-s në Kosovë, i cili pritet të bëhet përgjatë këtij viti, do të përfshijë dhe pjesën veriore të vendit. Pavarësisht ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, komandanti italian, Gay, e cilësoi si të qetë dhe të qëndrueshme situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, por tha se mund të bëhet akoma më shumë për ta përmirësuar atë.

“Ne jemi në një fazë të reduktimit dhe kjo do të ndodhë në të gjithë Kosovën. Mund të themi se tani në Kosovë kemi një ambient të qetë dhe të sigurt, por ne mund të bëjmë akoma më shumë në drejtim të zhvillimit”, tha Gay.

Ekspertët për çështje të sigurisë në Kosovë, ndërkohë, thonë se zvogëlimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it në Kosovë duhet të bëhet paralelisht me rritjen e rolit të mekanizmave të tjerë të sigurisë në Republikë.

Eksperti për siguri, Ramadan Qehaja, mendon se reduktimi i trupave të NATO-s në Kosovë nuk duhet të fillojë para gjysmës së dytë të vitit 2009 dhe se kjo gjë duhet të shkojë në mënyrë graduale me marrjen e përgjegjësive nga Policia e Kosovës dhe ajo e misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit - EULEX.

“Njësitet e Policisë së EULEX-it do të përforcohen; do t’i kryejnë detyrat e veta në aspektin e monitorimit dhe të obligimeve të tjera në shërbim të ligjit dhe të rendit. Së dyti, Policia e Kosovës do të jetë më aktive në kryerjen e detyrave të veta në tërë territorin e Kosovës”, tha Qehaja.

Qehaja theksoi se, përveç KFOR-it, Polica e Kosovës dhe ajo e EULEX-it për momentin janë të vetmet autoritete të sigurisë, të cilat mund të mbajnë nën kontroll situatën e sigurisë në Kosovë dhe, sipas tij, akoma është herët që Forca e Sigurisë së Kosovës, e cila është në formim e sipër, të marrë përsipër një gjë të tillë.

“FSK-ja është në fazën e hershme të fillimit të formimit të saj; do të thotë, nuk ka njësite të gatshme, të përgatitura qoftë edhe me armatim të lehtë. Tash për tash, Policia e Kosovës është forca numër një, edhe e rendit, edhe e sigurisë së tërësishme në Kosovë”, shtoi ai.

Paqeruajtësit e KFOR-it në Kosovë
Në lidhje me rregullimin e përgjegjësive të autoriteteve të sigurisë në Kosovë, plani i Ahtisaarit, mbi të cilin mbështetet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parasheh që ndryshimet eventuale rreth pranisë ushtarake ndërkombëtare në Kosovë, pra ato që kanë të bëjnë me KFOR-in, duhet të bëhen pas konsultimeve me palët relevante dhe në përputhje me vendimet e Këshillit Veri-atlantik.

Këto ndryshime, sipas dokumentit në fjalë, do të bëhen përderisa institucionet e Kosovës t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre dhe t’i shtojnë kompetencat dhe përgjegjësitë.

Në kuadër të përgjegjësive të deritanishme të trupave të KFOR-it në Kosovë hyn, ndër të tjera, dhe mbrojtja e monumenteve fetare dhe të kultit me theks të veçantë te kishat ortodokse. Kjo gjë, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në një pjesë të madhe ka kaluar në duart e këtij institucioni. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, njofton:

“Ne kemi marrë përgjegjësinë për 17 monumentet kulturore e fetare, mirëpo së shpejti pritet që të merret përgjegjësia për të gjitha objektet kulturore e fetare në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, tha Beka.

Aktualisht, misioni ushtarak i NATO-s në Kosovë përbehet nga rreth 16,000 ushtarë; kontingjenti i këtij misioni në Kosovë është për nga madhësia i treti me radhë, pas pranisë në Irak dhe Afganistan.
XS
SM
MD
LG