Ndërlidhjet

“Ringjallen 6 pikat e OKB-së”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Në kuadër të vizitës në SHBA, presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, të hënën në Nju Jork ka takuar ambasadoren e SHBA-së në OKB, Susan Rice. Presidenti Sejdiu e ka informuar ambasadoren amerikane për proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe për punën që po bëhet për njohjen e Kosovës së pavarur nga sa më shumë shtete. Edhe me këtë rast, siç bëhet e ditur në një komunikatë të Presidencës, është theksuar se pavarësia e Kosovës ka ndikuar dhe do të ndikojë jo vetëm në zhvillimin më të shpejtë të Kosovës, por edhe në stabilizimin e mëtejmë të rajonit. “Një hov më të madh këtij procesi do t’i jepnin njohjet e reja dhe anëtarësimi i saj në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare”, është thënë në takim...

ZËRI
Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë dje se nuk kanë përcaktuar ndonjë orar të ri të rivendosjes së rendit në gjykatat e Kosovës në pjesën veriore të vendit, ndërkohë që institucionet dhe përfaqësues të partive opozitare kanë bërë thirrje për një konsolidim sa më të shpejtë të veprimeve të këtij misioni. Zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalysi, është shprehur dje se i përket kryetares së trupit gjykues të vendosë kuadrin ligjor që do të përdoret në gjykimin e dy serbëve nga Leshaku, procesi ndaj të cilëve nuk ka mundur të fillojë të hënën, për shkak të protestës së punëtorëve serbë të Gjykatës së Qarkut në veri të Mitrovicës. “Duhet të ketë një vendim nga ana e panelit të gjykatësve rreth ligjeve që ata do të përdorin. Vendimi varet nga ta dhe unë nuk e di se kur do të merret ai vendim. Nuk di a do të merret nesër, pas dy ditëve apo pas 10 ditëve. Unë nuk e di se cilat ligje do t’i përdorin ata”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it...

KOHA DITORE
Gjashtëpikëshi i shpallur i vdekur nga autoritetet kosovare, duket se po ringjallet në agjendën e Sekretarit të Kombeve të Bashkuara, e cila për diskutimin dhe zbatimin e këtij plani ka dërguar në rajon udhëheqësin e deskut për Kosovë, Marcho Bianchini. Sipas një letër-kërkese, kopja e së cilës është siguruar nga “Koha Ditore”, mësohet se zyrtari i lartë për çështje politike, Bianchini, pritet që gjatë kësaj jave të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd, me ç’rast do të takohet me kreun e UNMIK-ut, atë të Zyrës së OKB-së në Beograd, me stafet e këtyre misioneve, pastaj me përfaqësuesit e pranisë ndërkombëtare në terren, ku përfshihen EULEX-i, ICO-ja, KFOR-i dhe OSBE-ja, si dhe eventualisht me bashkëbisdedusit lokalë...

EXPRESS
Zyrtari i lartë i Kombeve të Bashkuara, Marco Bianchini, mohon të ketë ardhur në Kosovë për të kontribuar në zbatimin e planit gjashtëpikësh të Ban Ki-Moonit - që në nëntor të vitit të kaluar kishte shkaktuar reagime të fuqishme në Prishtinë. “Kjo nuk është aspak arsyeja për ardhjen time. Kam ardhur të diskutoj çështje të brendshme të UNMIK-ut që ndërlidhen me misionin. Por, vizita ime nuk ka asnjë lidhje me dialogun me Beogradin”, ka thënë të martën, në një bisedë për Express, Marco Bianchini, udhëheqës i Ekipit për Kosovën në Departamentin për Operacione Paqeruajtëse në selinë e OKB-së në New York. “Kam ardhur për vizitë të rregullt, rutinore, në misionin tonë, për të diskutuar me PSSP-në dhe me stafin e UNMIK-ut, zhvillimet në Kosovë dhe në UNMIK. Në kuadër të këtyre diskutimeve, do të bisedojmë rreth rikonfigurimit të UNMIK-ut, që është tema jonë kryesore, si dhe aranzhimet e ndryshme të prezantuara në Raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të 24 nëntorit”, ka thënë italiani Bianchini, pak kohë pas mbërritjes në Prishtinë...

INFOPRESS
Komandanti i KFOR-it, Giuseppe Emilio Gay, tha të martën se KFOR-i ndodhet në fazën e zvogëlimit të numrit të trupave, duke përfshirë edhe veriun e vendit, por kjo assesi nuk do ët thotë që paqeruajtësit ndërkombëtarë po tërhiqen nga Kosova. “Nuk kam thënë asnjëherë se do të tërhiqemi nga Kosova, por se do të ketë zvogëlim të trupave. Për këtë ne jemi në fazën e zvogëlimit të numrit të trupave dhe kjo do të ndodhë në secilën pjesë të Kosovës”, tha Gay, pas një takimi që pati me ministrin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati. Në këtë takim është biseduar rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe çështje të tjera me rëndësi të veçantë për vendin. Komandanti i KFOR-it tha se reduktimi i trupave është i arsyeshëm kur kihet parasysh se në vend ekziston një ambient i qetë dhe i sigurt...

KOSOVA SOT
Komuniteti serb deri më tani i ka borxh Korporatës Energjetike të Kosovës rreth 120 milionë euro, prej tyre rreth 32 milionë euro janë ngarkuar në bazë të ngarkesave individuale. KEK-u ka arritur që rreth 20 për qind të borxhit të enklavave t’i identifikojë borxhlinjtë, përmes leximit të orëve, proces ky që është arritur në bazë të marrëveshjeve që KEK-u ka arritur me komunitetin serb. Megjithatë, KEK-u vazhdon të mos ketë asnjë qasje në veriun e Mitrovicës dhe deri më tani nuk ka filluar leximi i njehsorëve. Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, thotë se KEK-u ka filluar negociatat me të gjitha enklavat, përveç veriut të Mitrovicës...

LAJM
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të vazhdojë të jetë edhe kryetar “i ngrirë” i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të paktën edhe këtë vit. Edhe pse plani i ish-kryeshefit ekzekutiv të LDK-së, Blerim Kuçi, parashihet që në muajin mars të këtij viti, Kryesia e partisë të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve të brendshme, por prej shkarkimit të tij, kjo fare nuk është përmendur. “Zgjedhjet e brendshme në këtë parti duhet të ndodhin urgjentisht. LDK-ja është një parti që ka shef dhe nuk ka shef. Përderisa nuk përcaktohet kjo, në një formë të zgjedhjeve përbrenda partisë, ka me qenë problem dhe LDK-ja ka me qenë peng i dikujt tjetër”, tha Kuçi të martën për “Lajm”...
XS
SM
MD
LG