Ndërlidhjet

Vdekshmëria e foshnjave - më e larta në Evropë


Gjendja e rëndë social-ekonomike, ambienti i ndotur, si dhe shërbimet jo të mira mjekësore, janë disa nga faktorët kryesorë të vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë. Përfaqësues të institucioneve kosovare konfirmojnë se ka një trend të rënies së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë, por, megjithatë, numri i vdekjeve të foshnjave mbetet më i larti në Evropë.

Objektivat Zhvillimore të Mileniumit, të vendosura nga OKB-ja para 6 vjetësh dhe të parapara të përmbushen në vitin 2015, parashikojnë që në tërë botën, ndër të tjera, të ulet vdekshmëria e foshnjave.

Agron Gashi, nga UNICEF-i, konfirmon trendin e rënies së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë.

“Derisa në vitin 2000 vdekshmëria e foshnjave ka qenë 29 në 1000, në vitin 2007 është 20 në 1000 foshnja. Kjo tregon se në Kosovë ka një rënie të vdekshmërisë së foshnjave”,
thotë zoti Gashi.

Ai thotë se për uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë është e domosdoshme ngritja e edukimit shëndetësor të popullatës, por edhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe personelit.

Në anën tjetër, doktoresha Sueda Latifi Hoxha vlerëson se kultura shëndetësore e nënave dhe vizitat e rregullta mjekësore të shtatzënave duhet të arrijnë në nivelin e duhur.

“Shqetësues mbetet fakti se në Kosovë ka një numër mjaft të madh të fryteve, të cilat lindin me anomali. Duhet të hartohen strategji nacionale, të cilat do të bënin këshillimin e çifteve para shtatzënisë. Duke i bërë të gjitha këto konsultime, paraprakisht prevensohet një shtatzëni e mirë që do të eliminonte shifrën e vdekshmërisë perinatale”, thotë zonja Latifi Hoxha

Megjithatë, ajo vlerëson se Kosova, e cila ka trashëguar një sistem shëndetësor socialist të shkatërruar, brenda një kohe shumë të shkurtër nuk mund t’i arrijë rezultatet e dëshirueshme.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë, prioritet në agjendë ka uljen e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave. Në Strategjinë Shëndetësore të Kosovës për vitin 2005 – 2015 thuhet se qëllim kryesor i kësaj ministrie është fillimi i shëndetshëm i jetës.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se synojnë të zvogëlojnë mortalitetin dhe të përmirësojë rritjen dhe zhvillimin psiko-fizik të fëmijëve nën moshën pesë vjeçare.

Nijazi Shala, zyrtar për shëndetin e nënave dhe foshnjave në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se arsye kryesore e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë mbetet ambienti i ndotur që ka Kosova dhe kushtet e rënda ekonomike sociale të familjeve kosovare.

“Ndonëse, sipas të dhënave të fundit, ka ndryshime pozitive, vdekshmëria e foshnjave në Kosovë fatkeqësisht është ende më e larta në Evropë, dhe kjo parqet një problem mjaft shqetësues për institucionet”, thotë zoti Shala.

Për uljen e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë, sipas zotit Shala, duhet një angazhim më i madh nga e gjithë shoqëria kosovare. Ai thotë se nëse do të punohet më shumë në këtë drejtim, atëherë Kosova do të mund të vijë në vlerat e përafërta të asaj që parashihet në Objektivat Zhvillimore të Mileniumit.

Ndryshe, objektivat e Mileniumit, të përcaktuara nga OKB-ja, kërkojnë ulje të këtyre vdekjeve në 2/3 deri në vitin 2015.
XS
SM
MD
LG