Ndërlidhjet

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje ndikon në decentralizim


Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës shprehen të bindur se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e tyre në zgjedhjet e ardhshme komunale do të jetë shumë e rëndësishme për procesin e decentralizimit dhe krijimin e komunave të reja.


Pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhjet e ardhshme lokale, të parapara për vjeshtën e këtij viti, konsiderohet si shumë e rëndësishme për zbatimin e decentralizimit dhe formimin e komunave të reja.

Mirëpo, subjektet politike të komunitetit serb janë të ndara në lidhje me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor në kuadër të sistemit legal të Kosovës. Një pjesë e preferon rrugën institucionale përmes Prishtinës, kurse pjesa tjetër e serbëve përmes institucioneve të Serbisë.

Petar Miletiq është sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale dhe konsideron se serbët duhet të marrin pjesë si në zgjedhje, ashtu edhe në procesin e decentralizimit dhe krijimit të komunave të reja.

“Unë i përkas opsionit politik që mendon se serbët duhet të marrin pjesë në të gjitha proceset politike e shoqërore në Kosovë. Rrjedhimisht nga kjo edhe në procesin zgjedhor”, thotë Miletiq.

Sipas tij, pjesëmarrja apo bojkoti i serbëve do të varet shumë nga pozicioni i Beogradit. Andaj, nëse Beogradi sërish i fton serbët që t’i bojkotojnë zgjedhjet dhe kësaj ftese i përgjigjet shumica e këtij komuniteti, atëherë, thekson Miletiq, këto zgjedhje për këtë minoritet nuk do të kishin kuptim.

“Është paraparë që para apo pas zgjedhjeve të formohen edhe komunat e reja, në të cilat serbët do të përbënin shumicë, e nëse decentralizimi dështon, atëherë nuk na duhen as zgjedhjet”,
thotë Miletiq.

Mirëpo, krejtësisht ndryshe mendojnë serbët e pjesës veriore të Kosovës. Nebojsha Joviq, nga Këshilli Nacional Serb i Mitrovicës, thotë se në asnjë formë serbët nuk duhet të marrin pjesë në institucionet që e kanë shpallur Kosovën e pavarur.

“Nga ai moment që shqiptarët e kanë shpallur pavarësinë, kurse UNMIK-u është tërhequr nga shpallja e zgjedhjeve nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, serbët marrin pjesë vetëm në zgjedhjet që i shpall Serbia”, thotë Joviq.

Sipas tij, zgjedhjet janë të nevojshme edhe për serbët, por jo në Kosovën e pavarur. Ai beson se do të arrihet një marrëveshje me të cilën Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar do t’i mbajnë zgjedhjet, por serbët, thekson Joviq, do të kenë dalje në numra njëshifrorë nëpër lokalitetet ku jetojnë.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës i ftojnë serbët që të marrin pjesë në procesin demokratik dhe kështu të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë në vendimmarrje në nivelin e pushtetit lokal.

Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, duke mos u ndalur në implikimet që mund t’i ketë mospjesëmarrja eventuale e serbëve në zgjedhjet e vjeshtës së ardhshme, i fton ata që të jenë pjesë aktive e procesit.

“Ne i inkurajojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe subjektet politike që të marrin pjesë në proceset e ardhshme zgjedhore, sepse konsiderojmë se si zgjedhjet lokale, ashtu edhe ato nacionale, janë në interesin e vetë qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë mundësi dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të vendosin se kush do t’i përfaqësojë ata në instancat legale të vendimmarrjes, qoftë në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror”,
thotë Beqiri.

Sipas planit të Ahtisaarit, brenda tre vjetësh, Kosova do të ketë 38 komuna - prej tyre dhjetë me shumicë serbe, një me shumicë turke dhe të tjerat me shumicë shqiptare.
XS
SM
MD
LG