Ndërlidhjet

logo-print

EULEX rinis gjykimin në veri


Gjykata në veri të Mitrovicës

Gjykata në veri të Mitrovicës

EULEX-i zhvilloi seancën e parë gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës. Kjo seancë qe shtyrë të hënën, pasi serbët bllokuan hyrjen në gjykatë. Njoftohet se Beogradi zyrtar u ka kërkuar serbëve të Mitrovicës që të lejojnë punën e EULEX-it.

Një panel prej tre gjykatësve dhe një prokurori të EULEX-it ka rinisur sot seancën gjyqësore në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, të shtyrë dy ditë më parë, për shkak të protestave të serbëve.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në kuadër të EULEX-it, Kristina Herodes, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nisjen e procesit gjyqësor kundër dy serbëve të akuzuar se kanë kryer plaçkitje të rëndë në Leposaviq, dy vjet më parë.

“Seanca gjyqësore nuk qe anuluar, por qe shtyrë të hënën dhe ajo është zhvilluar normalisht. Me nisjen e seancës gjyqësore nënkuptohet se ne po sjellim drejtësinë në vend”, ka thënë zëdhënësja Kristina Herodes.

Qytetarët serbë në Mitrovicë kishin penguar të hënën nisjen e këtij procesi, duke kërkuar së pari të zgjidhej çështja e funksionimit të drejtësisë në veri në kuadër të planit 6-pikësh.

Të mërkurën nuk ka pasur protesta jashtë objektit të Gjykatës së Qarkut dhe është raportuar se seanca është zhvilluar në kushte normale.

Politikanë serbë të Mitrovicës njoftojnë se EULEX-i është lejuar të zhvillojë këtë seancë, meqë një gjë e tillë është kërkuar nga Beogradi zyrtar.

I ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe të Kosovës thotë se tubimi i punonjësve serbë të drejtësisë është ndaluar nga Beogradi zyrtar. Ky Kuvend e cilëson këtë veprim të Beogradit si një thikë pas shpine për serbët lokalë, i cili lejon, siç thuhet, krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan.

Ky organ paralel konsideron se fillimi i punës së EULEX-it me ligje të shtetit të Kosovës është në kundërshtim me planin gjashtëpikësh.

Serbët në veri kanë kërkuar nga EULEX-i që në gjykatat që gjenden në veri, të mos i përdorë ligjet dhe vulat e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Kristina Herodes shpjegon se me çfarë ligjesh po punohet në Gjykatën e Qarkut të Mitrovicës:

“Ata kanë aplikuar Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale”, tha Herodes.

Ditë më parë, zyrtarë të EULEX-it kanë pranuar se çështja e përdorimit të vulave të Republikës së Kosovës paraqet një problem, për shkak të pakënaqësive të banorëve serbë në Mitrovicë.

Ndërkohë, juristi Kujtim Kërveshi vlerëson se janë institucionet e Kosovës ato që duhet të insistojnë në zëvendësimin e rregulloreve të UNMIK-ut, me ligje që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës. Ai nuk sheh të ketë ndonjë problem, nëse EULEX-i përdor Kodin Penal të Kosovës.

“Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë asnjë tentativë që të zëvendësojnë ose të zvogëlojnë autoritetin e bashkësisë ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë në Kosovë, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Ata nuk kanë zëvendësuar as autoritetin e PSSP-së, ku autoriteti i secilit përcaktohet me Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale”.

“Andaj, për EULEX-in nuk shoh si problem juridik zbatimin e këtij kodi, por e shoh si një kërkesë për institucionet e Kosovës që të shtrijnë autoritetin e tyre për aq sa i garanton Kushtetuta dhe mandati i Kosovës si shtet sovran”,
tha Kërveshi.

Është hera e parë që gjykatës të EULEX-it trajtojnë raste në Gjykatën e Qarkut, në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila bashkë me atë komunale është hapur më 3 tetor të vitit të kaluar. Këto gjykata qenë mbyllur për më shumë se tetë muaj, si pasojë e trazirave të marsit mes serbëve lokalë dhe forcave të rendit, ku qe vrarë një polic ukrainas.

Ndryshe, problemi i gjykatave në veri vlerësohej se do të zgjidhej me shtrirjen e EULEX-it në këtë pjesë. Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë punojnë vetëm gjykatës dhe prokurorë të EULEX-it. Ende nuk është gjetur zgjidhja për kthimin e gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG