Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësues të opozitës në Kosovë, si dhe ata të shoqërisë civile, kanë hedhur një varg kritikash në drejtim të institucioneve të Kosovës lidhur me politikën e jashtme. Në një debat ku u diskutua kjo çështje, diplomacia kosovare është cilësuar si e mangët në shumë aspekte.

Kosova përgjatë një viti, prej se ka shpallur pavarësinë, nuk ka mundur të krijojë një vizion dhe një platformë të qartë për veprimet e saja si shtet në arenën ndërkombëtare.

Ky është njëri nga konkluzionet që doli nga debati i organizuar nga Klubi për politikë të jashtme me temën “Një vit i politikës së jashtme të Kosovës” ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore të Kosovës, përfaqësues të partive opozitare si dhe përfaqësues të ambasadave të ndryshme të bazuara në vend. Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, tha se ekzekutivi kosovar nuk i ka kushtuar rëndësinë e merituar politikës së jashtme.

“Shohim fatkeqësisht që asnjëherë, publikisht së paku, nuk është thënë se politika e jashtme, pranimi i Kosovës si shtet, inkuadrimi në organizatat ndërkombëtare është prioritet strategjik i qeverisë. Ne e kemi parë para një muaji zotëri kryeministrin kur nënvizoi pesë prioritet strategjike për qeverinë e Kosovës për këtë vit; ndër ato pesë prioritete strategjike nuk është njohja e shtetit të Kosovës dhe diplomacia”, tha Shala.

Drejtori i bordit të Klubit për politikë të jashtme, Veton Surroi, theksoi se diplomacia kosovare vazhdon të jetë e mangët për shkak të mungesës së një platforme të politikës së jashtme, mungesës së një konsensusi në shoqëri për këtë gjë, pastaj për shkak të mungesës së konsensusit për arritjet e deritanishme si dhe mungesës së relevancës së politikës së jashtme. Këto mungesa, sipas Surroit, ndikojnë drejt për drejt dhe në funksionimin e Kosovës si shtet.

“Të gjitha këto mungesë po shkaktojnë në degradim në ecje dhe në perspektivë. Po shoh tri probleme të cilat lidhen me një të vetmin dhe kjo është se Kosova në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme dhe gjithkund po ballafaqohet me një çështje fundamentale që është përmbyllja e identitetit të vet shtetëror-përmbyllja e funksionalitetit si shtet i ri”, theksoi Surroi.

Kosovën deri më tani e kanë njohur 55 shtete nga arena ndërkombëtare, ndërkaq 5 nga gjithsej 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, vazhdojnë të kenë akoma rezerva për të ndërmarr një hap të tillë. Mungesa e njohjes nga këto shtete, sipas Surroit, ndikon dhe negativisht në integrimin e republikës në BE.

“Kosova mund ët bëhet e izoluar në gjendjen që është me pesë shtetet që nuk e njohin dhe që nuk e njohin kapacitetin kontraktual të saj. Pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën, jo vetëm se nuk e njohin Kosovën si shtet, por ia mohojnë kapacitetin kontraktual me Bashkimin Evropian”,
konsideroi ai.

Mosnjohja nga 5 shtetet anëtare të BE-së, sipas panelistëve të këtij debati, e ka bërë Kosovën të paaftë të veprojë në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare, ku në një pjesë akoma figuron administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë si palë nënshkruese.

Ky problem, sipas zyrtërëve të përfshirë në këtë çështje, kishte ndikuar së fundi dhe në çështjen e bllokimit të produkteve kosovare nga Serbia, të cilën Kosova nuk arriti të zgjidh përmes rregullave të marrëveshjes CEFTA, në të cilën përfaqësohej nga UNMIK-u. Përfaqësuesi i Institutit për Studime të avancuara GAP, Shpend Ahmeti sqaron se çfarë duhet bërë në këtë drejtim.

“A na përfaqëson neve UNMIK-u në marrëdhëniet e jashtme apo jo dhe në qoftë se jo, pse nuk ka një vendim më të prerë që të mbahet parimi i kësaj dhe zakonisht dhe që të insistohet në këtë qoftë edhe me rrezikun me daljen nga këto marrëveshje natyrisht me krijimin e marrëveshjeve të reja si shtet i ri”, u shpreh Ahmeti.

Qeveria e Kosovës, ndërkohë, zotohet se është duke punuar në drejtim të lobimit për njohje të shtetit dhe se kjo gjë po përfshin vendet e Bashkimit Evropian që nuk kanë bërë një gjë të tillë. Zëvendësministrja e punëve të jashtme, Vlora Çitaku, theksoi se një vit i ekzistimit si shtet nuk është i mjaftueshëm për të përfunduar të gjitha proceset në diplomacinë botërore.

“Ne po i kushtojmë vëmendje të veçantë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, jemi duke komunikuar me ato në vazhdimësi dhe duke ofruar argumentet tona duke u përpjekur që sa më shumë që të jemi me ta dhe pranë tyre në mënyrë që tu sqarojmë çfarëdolloj dyshimi që mund ët kenë në raport me Kosovën. Kosova ka lindur; është një fëmijë njëvjeçar dhe forma që do të marr do të varet nga ajo se a do të bëhet pjesë e familjes”, konsideroi Çitaku.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG