Ndërlidhjet

“EULEX-i në veri zbaton ligjet e UNMIK-ut”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Qeveria e Kosovës thotë se nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare nga përfaqësues të Kombeve të Bashkuara që të përfshihet në çfarëdo bisedimesh teknike me Beogradin. Po ashtu, nga Kabineti i kryeministrit thuhet se shefi i UNMIK-ut nuk ka parashtruar ndonjë kërkesë për takim. Por, edhe nëse ka një kërkesë të tillë, besohet se takimi mund të realizohet, varësisht agjendës së kryeministrit. Ndërkohë që autoritetet e Kombeve të Bashkuara, përkatësisht të Këshillit të Sigurimit, kanë njoftuar se seanca e radhës për Kosovën në Nju Jork do të mbahet më 23 mars. Ky është takimi i rregullt në kuadër të Rezolutës 1244 që mbahet për Kosovën... Por, risi kësaj radhe pritet të jetë se në kuadër të raporteve për përparimet dhe gjendjen në Kosovë, Këshilli i Sigurimit për herë të parë do t’i dëgjojë edhe vlerësimet e shefit të EULEX-it, i cili fillimisht raportin e tij pritet që t;ia adresojë Brukselit e më pas edhe Nju Jorkut...

INFOPRESS
Deklarimet dhe spekulimet e fundit rreth mundësisë së reduktimit të trupave të KFOR-it që veprojnë në Kosovë, kanë detyruar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Japp de Hoop Scheffer, që të reagojë duke demantuar spekulimet rreth zvogëlimit të mundshëm të trupave të KFOR-it në Kosovë. Scheffer ka thënë të mërkurën, përmes një deklarate për media, se ende nuk ka ardhur koha për zvogëlimin e trupave të KFOR-it në Kosovë dhe se askush nuk mund të flasë në emër të NATO-s. Mirëpo, pavarësisht deklaratës së Schefferit, Britania e Madhe tashmë ka vendosur reduktimin e trupave të saj që veprojnë në kuadër të KFOR-it. Një gjë të tillë e ka konfirmuar Ambasada Britanike në Prishtinë përmes një njoftimi për media...

LAJM
Radio Televizioni i Kosovës është shndërruar në arenë përplasjesh mes dy grupeve të punëtorëve. Në njërën anë qëndron Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve, e udhëhequr nga kryetari Gazmend Elshani, dhe nga ana tjetër një grup punëtorësh, të cilët së fundi kanë nënshkruar një peticion kundër deklarimeve që Sindikata ka lëshuar para pak ditësh, në të cilat ka thënë se RTK-ja është nën censurën permanente të Bordit menaxhues. Në peticion kundërshtohen kategorikisht prononcimet e Kryesisë së Sindikatës. Të mërkurën, Këshilli Iniciues i peticionit ka mbajtur një konferencë për media, e cila është dominuar nga replikat mes përfaqësuesve të dy grupeve. Ilir Binakaj dhe Milaim Zeka, iniciatorë të peticionit, thonë se deklaratat e Kryesisë së Sindikatës janë shantazhe ndaj Bordit me qëllim të përfitimeve personale...

EXPRESS
Qeveria e Ugandës nuk ka gjë kundër që Ramush Haradinaj të ndërmjetësojë për arritjen e paqes, por dyshon në seriozitetin e rebelëve myslimanë, prandaj ka vënë disa kushte për procesin e negociatave. Forca Demokratike Aleate (ADF), që përbëhet nga guerilë myslimanë, kanë deklaruar para disa javësh se janë të gatshëm të arrijnë paqe me Kampalan dhe për ndërmjetës në proces kanë propozuar ish- kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn. Megjithëkëtë, Qeveria e Ugandës ende nuk është bindur nëse ADF përnjëmend dëshiron paqe. “Nuk jemi të sigurt a është e vërtetë ajo që thotë ADF”, ka thënë të mërkurën për Express, Okello Oryem, ministër shteti për Çështje Ndërkombëtare në Qeverinë e Ugandës. “Ata duhet të tregojnë seriozitet për negociata, përkushtim serioz, vendosmëri, të mos kenë paragjykime. Dhe, duhet të ketë afat të caktuar kohor për negociatat”, ka theksuar ai. Ministri Oryem thotë se kur të plotësohen këto kushte, Qeveria në Kampala nuk është kundër ndërmjetësuesve, kushdo qofshin ata...

KOHA DITORE
Një marrëveshje ndërmjet zyrtarëve të misionit të Bashkimit Evropian në vend dhe Qeverisë së Serbisë për të aplikuar ligjet e UNMIK-ut në veri, i ka mundësuar të mërkurën stafit gjyqësor të EULEX-it për të mbajtur seancën e parë gjyqësore ndaj Vladimir Jovanoviqit dhe Mirolub Nikoliqit, e cila ishte anuluar, të hënën, pas protestave të stafit serb të kësaj gjykate. Seanca, e cila ka qenë e para që prej një viti, kur u bllokua puna e gjykatave në veri, është mbajtur pothuajse e mbyllur dhe nën masa të rrepta të sigurisë dhe kjo është bërë e mundur pasi EULEX-i ka pranuar që gjykimi të mbahet sipas kërkesave të palës serbe që në veri të aplikohen ligjet e aprovuara nga UNMIK-u në këto gjykata...

KOSOVA SOT
Këshilli i Sigurimit, të hënën, më 23 mars, do të diskutojë për misionin e OKB-së në Kosovë, bëhet e ditur nga OKB-ja. Ndërkohë, ende mbetet e paqartë nëse në këtë takim do të marrë pjesë ndonjë nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Ambasadori i Libisë, Ibrahim Dabashi, vendi i të cilit gjatë këtij muaji kryeson KS-në, tha se Këshilli do të shqyrtojë raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për zhvillimet në Kosovë, që pritet të publikohet gjatë marsit. Përveç paralajmërimeve, institucionet e vendit nuk kanë marrë ndonjë ftesë për pjesëmarrje për këtë takim. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që vendi në këtë takim, varësisht prej formatit, të përfaqësohet nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Zyrtari për informim i Ministrisë së Jashtme, Kujtim Shala, tha se nuk kanë marrë ndonjë ftesë, pasi zakonisht ajo i adresohet shefit të UNMIK-ut...

BOTA SOT
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se kthehet nga SHBA-të me konfirmimin nga administrata e Obamës për angazhim në procesin e njohjeve të Kosovës, me theks të veçantë në ato vende që kanë hezituar deri më tash ta njohin pavarësinë e Kosovës. Sejdiu tha se administrata e re e presidentit Obama do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e ri të Kosovës në të gjitha proceset e ndërtimit të shtetit demokratik. Presidenti Sejdiu tha se ndonëse nuk ka saktësuar me datë se kur priten njohje të reja, është shprehur optimist se në ditët në vijim gjithsesi do të ketë njohje të reja të shtetit të Kosovës, ngase, siç tha ai, shumë vende tashmë kanë kuptuar se janë pjekur kushtet për marrjen e vendimit dhe është çështje e tyre kur do ta marrin këtë vendim...

EPOKA E RE
Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka mohuar zërat që vijnë nga shteti i largët Maldive, se Qeveria e atij vendi ka marrë dy milionë dollarë për ta njohur Republikën e Kosovës. Pacolli, i cili ka qenë i angazhuar në procesin e lobimit për ta përfituar njohjen nga ky shtet, ka thënë se akuza të tilla përgatiten nga propaganda serbe në Beograd. “Këto janë thashetheme. Opozita e Maldives ka qenë kundërshtare e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ajo s’ka dashur ta njohë Kosovën, prandaj e ka shtyrë këtë proces deri tani. Opozita e këtij shteti ka bashkëpunuar tërë kohën me qarqet serbe, prandaj është e frymëzuar nga propaganda e Beogradit”, ka theksuar Pacolli. Në këtë kontekst, Pacolli ka thënë se një propagandë e tillë, që dikush ofron para për të përfituar për Kosovën, është bërë në vazhdimësi nga Serbia...
XS
SM
MD
LG