Ndërlidhjet

Mosnjohja nga e gjithë BE-ja pengon Kosovën?


Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se institucionet po hasin në pengesa në marrëdhëniet me BE-në për shkak të mungesës së njohjeve nga 5 shtetet anëtare të këtij mekanizmi. Ekspertët thonë se ky fakt ndikon dhe në punën e EULEX-it.

Mungesa e njohjes së shtetësisë së Kosovës nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian duket se po ndërlikon veprimin e mekanizmave të BE-së në Kosovë.

Ndonëse këto shtete kanë miratuar dërgimin e misionit për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, në vend, hezitimi i tyre për të pranuar Kosovën si subjekt të pavarur politik në marrëdhënie me BE-në, sipas ekspertëve në Kosovë, ka ndikuar që mandati i EULEX-it të modifikohet.

Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro, që vazhdojnë të mos japin asnjë sinjal në drejtim të njohjes së Kosovës si shtet, kohë më parë, ishin këmbëngulëse në veprimin e EULEX-it në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo gjë, sipas ekspertit për integrime evropiane, Shenoll Muharremi, krijon rrezikun e kthimit të përgjegjësive të Bashkimit Evropian, përkatësisht misioneve të tij në Republikë, në përgjegjësi të OKB-së.

“Vendet si Spanja, për shembull, mund të thonë ne nuk mund t’i përdorim vulat e një shteti, të cilin nuk e kemi njohur. Andaj, ky mision duhet të përdorë dokument-legjislacionin e UNMIK-ut; do të thotë se prapë kthehemi në Këshillin e Sigurimit dhe Rezolutën 1244. Pra, mendimi që misioni i EULEX-it mund të rimodelohet, mund të jetë i saktë”, tha Muharremi.

Qeveria e Kosovës pranon se ka hasur në disa pengesa në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, për shkak të mosnjohjes nga 5 vendet anëtare të këtij mekanizmi.

Kështu pas takimit të nivelit të lartë në mes të ekzekutivit kosovar dhe Komisionit Evropian, i cili ishte mbajtur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesit e Komisionit Evropian ishin zotuar për përgatitjen e një studimi të fizibilitetit, i cili parashihej t’ia hapte rrugën Kosovës për negociatat për marrëveshjen e stabilizim-asociimit.

Ndërkohë, disa muaj më vonë, Këshilli i ministrave të Bashkimit Evropian kishte marrë një vendim tjetër lidhur me këtë çështje. Kryeshefi i Agjencisë për Koordinim, Zhvillim dhe Integrime Evropiane në kuadër të Qeverisë së Kosovës, Edon Cana, sqaron:

“Ka pasur disa pengesa. Për shembull, studimi i fizibilitetit, për shkaqe politike nuk quhet studim i fizibilitetit, por vetëm studim”, u shpreh Cana.

Cana nuk përjashton mundësinë që institucionet kosovare të përballen edhe në vazhdim me disa probleme në relacion me Bashkimin Evropian, për shkak të shteteve hezituese për njohjen e Republikës, por ai shpreh bindjen se përmbushja e kritereve teknike nga ana e Kosovës mund të jetë lehtësuese në këtë drejtim.

“Do të ekzistojnë pengesa edhe në të ardhmen, por besoj që nëse ne i përmbushim kriteret teknike, atëherë do të jemi në një pozitë shumë më të favorshme si shtet në relacion me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian”, konsideroi Cana.

Përmbushja e standardeve të natyrës teknike për integrim në strukturat e Bashkimit Evropian nga ana e institucioneve të Kosovës, sipas ekspertit Shenoll Muharremi, nuk do të jetë e mjaftueshme.

Muharremi nuk përjashton mundësinë që Kosova të ketë telashe të shumta në rrugën e saj drejt integrimit në BE, mu për shkak të, siç thotë ai, pengesave politike të Madridit, Athinës, Bratislavës, Bukureshtit dhe Nikozisë zyrtare.

“Unë mendoj që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që Kosova të avancojë në proces të integrimit evropian pa njohjen e këtyre vendeve. Pikësëpari, nuk shoh se si mund të ketë Kosova mundësi të nënshkruajë një marrëveshje stabilizim-asociimi me Komisionin Evropian, kur këto marrëveshje nënshkruhen vetëm me shtete sovrane. Pa u zgjidhur kjo problematikë, Kosova do ta ketë shumë vështirë të ecë në këtë proces”, theksoi Muharremi.

Sipas informatave të BE-së, misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, shikuar nga aspekti numerik dhe financiar, është misioni më i madh të cilin BE-ja ka dërguar në një shtet jashtë këtij mekanizmi përgjatë historisë së tij.
XS
SM
MD
LG