Ndërlidhjet

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ende nuk e ka kompletuar stafin e saj. Janë nëntë gjykatës që duhet emëruar, në mënyrë që kjo gjykatë të jetë funksionale - gjashtë nga ta vendës dhe tre ndërkombëtarë.


Gëzim Kolgeci, nga Sekretariati i Gjykatës Kushtetuese, bën të ditur se deri më tani kanë kandiduar diku rreth 40 persona për postin e gjykatësve.

“Deri më tani kanë aplikuar 41 aplikantë - prej tyre 38 janë kualifikuar për proces të mëtutjeshëm. Tre janë diskualifikuar për shkak të mosplotësimit të kritereve bazë që i parasheh konkursi për gjyqtarë. Sipas informacioneve që i kemi, procesi është në fazën e shqyrtimit final sa i përket krijimit të listës së ngushtë të aplikantëve dhe besoj që gjatë këtij muaji ky proces do të finalizohet”,
tha Kolgeci.

Nga këta 38 kandidatë, të cilët do t’i nënshtrohen intervistimit, është edhe një turk, edhe një boshnjak, kurse nuk ka pasur asnjë kandidat serb. Kjo, sipas sekretarit Kolgeci, ka bërë që të rihapet konkursi.

“Është e vërtetë se ende nuk ka kandidatë të komunitetit serb. Komisioni që është përgjegjës për përzgjedhjen e gjyqtarëve, ka bërë rishpalljen e konkursit për kandidatët serbë, i cili do të jetë i hapur deri kah mesi i marsit. Shpresoj që edhe kandidatët serbë do të aplikojnë dhe do të jenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, tha Kolgeci.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka kërkuar përshpejtim të punës, në mënyrë që gjykata të fillojë funksionimin e saj sa më shpjet.

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se nevoja e funksionalizimit të Gjykatës Kushtetuese është shumë e rëndësishme.

“Mendoj që ajo gjykatë duhet sa më parë të fillojë të kompletohet dhe të funksionojë, sepse është tejet e rëndësishme. Besoj se do të kompletohet ajo gjykatë dhe nuk duhet të ekzagjerohen vonesat”, u shpreh Kelmendi.

Por, përfaqësues nga Sekretariati i përkohshëm i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës konsiderojnë se nuk ka vonesa në funksionalizimin e kësaj gjykate. Gëzim Kolgeci thotë se të gjitha veprimet po ndodhin siç parashihet me ligj.

“Vonesa në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese nuk ka. Deri më tani, komisioni, i cili është përgjegjës për shpalljen e konkursit, pranimin e aplikacioneve, ka shkuar sipas afateve që i parasheh ligji. Pra, nuk ka ndonjë vonesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve”, theksoi Kolgeci.

Kohëve të fundit, ekspertë të çështjeve juridike kanë vlerësuar se mungesa e kandidatëve serbë për këtë institucion ka bërë që të ketë vonesa në procedimin e mëtejmë. Por, ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndikojë. Pengesat, sipas saj, mund të jenë të një natyre tjetër.

“Çështje tjetër është nëse janë kandidatë që kanë aplikuar për t’u bërë gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese - adekuatë për t’u emëruar për gjyqtarë dhe mund të përballen me sfidat që e presin atë gjykatë”, tha Kelmendi.

Gjyqtarët, sipas Kushtetutës dhe ligjit, duhet të jenë juristë të shquar dhe personalitete me moralin më të lartë, jo me më pak se dhjetë vjet përvojë profesionale përkatëse.

Gjyqtarët emërohen nga Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Kuvendit, për një mandat nëntëvjeçar, pa mundësi vazhdimi.

Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, si një organ plotësisht i pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.

Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës do të ketë 6 gjykatës vendorë, prej tyre 2 nga radhët e pakicave, një serb dhe një nga komunitetet tjera, dhe 3 ndërkombëtarë.

Kurse, zgjedhja e kryetarit dhe zëvendëskryetarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese me votim të fshehtë për mandat trevjeçar.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG