Ndërlidhjet

Integrimi rajonal - rast i mirë për investime


Pamje në Prishtinë

Pamje në Prishtinë

Tërheqja e investimeve të huaja dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë dy arsyet që kanë shtyrë përfaqësuesit e bizneseve dhe të shoqërisë civile nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria që të kërkojnë bashkëpunim më të gjerë për harmonizimin e politikave në nivel zyrtar në mes të vendeve të tyre.

Gjatë një takimi të përbashkët, ata thanë se mosbashkëpunimi në mes vendeve të rajonit po parqet pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe se gjithashtu po largon edhe investitorët.

Përfaqësuesi nga USAID-i, Petter Daffy, tha se integrimi është një nga çështjet më të rëndësishme për vendet e Ballkanit. Ai kërkon nga vendet regjionale një bashkëpunim të ndërsjellë, në mënyrë që të arrihet një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik.

“Kjo është një çështje shumë e rëndësishme dhe është kuptuar se ju mund të punoni jashtë kufijve të shtetit tuaj për të përmirësuar jetën e njerëzve që jetojnë këtu. Është thënë shume herë, mirëpo është e vërtetë se ne jemi pjesë e një familjeje dhe kur investitorët i drejtojnë sytë kah një shtet, ata e analizojnë tregun e tërë rajonit”,
theksoi zoti Daffy.

Ndër të tjera, përfaqësuesi i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim, zoti Daffy, tha se në Kosovë dhe në vendet e rajonit ka pasur përparime në integrim dhe kooperim. Kjo, siç u shpreh ai, është një hap pozitiv, pasi që problemet e këtyre vendeve mund të zgjidhen vetëm së bashku.

Ndërsa, Laura Kryeziu, menaxhere e programit nacional regjional, thotë se për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kërkohet të ketë një qasje tjetër të politikave dhe zbatimit të tyre në të gjithë sektorët socialë, ekonomikë dhe politikë.

“Në rastin tonë, me shumë rëndësi të madhe është edhe vetë ambienti politik në të cilin jetojmë dhe sa është i mundshëm ndryshimi i këtyre reformave që do të fillojnë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thotë Kryeziu.

Përfaqësuesi i Institutit për Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, konsideron se përkundër asaj që tani ka përfunduar periudha e konflikteve, të cilat kanë qenë në mes të popujve të Ballkanit, ende paraqiten probleme politike, të cilat po ndikojnë në zhvillimin ekonomik.

Zoti Ahmeti thotë se mosnjohja e Kosovës shtet nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia, si dhe mosbashkëpunimi i mirë ndërmjet vendeve regjionale në fushën ekonomike, po shkaktojnë probleme potenciale në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, si dhe po i largojnë investitorët.

“Në vend që të punojmë së bashku për të arritur një integrim më të shpejtë, fatkeqësisht po bëhen pengesa të mëdha në këtë drejtim”, thotë Ahmeti.

Ai thotë se askush nuk vjen për të investuar në Kosovë, nëse shihet tregu prej 2 milionë banorësh. Sipas tij, për shumicën e investitorëve të mëdhenj, një treg i vogël nuk është interesant, mirëpo një treg regjional prej 30 milionë banorësh është shumë më atraktiv.

Por, problemi qëndron tek, siç thotë zoti Ahmeti, bashkëpunimi shumë i ulët mes regjioneve në aspektin zyrtar.

“Ekonomia është ajo e cila i lidh njerëzit edhe në problemet më të mëdha politike. Në veri bashkëpunojnë më së miri serbët dhe shqiptarët dhe atë në kontrabandë, pasi që i ka lidhur interesi ekonomik edhe aty bëhet bashkëpunimi ekonomik”, u shpreh Ahmeti.

Sidoqoftë, sfidë për institucionet e Kosovës dhe vendet tjera të rajonit mbetet nënshkrimi i marrëveshjeve zyrtare dhe zbatimi i tyre për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik rajonal.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG