Ndërlidhjet

Prishtina: S’ka rregullore të UNMIK-ut në veri


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Misioni i EULEX-i nuk i ka pohuar e as demantuar njoftimet se po zbaton rregulloret e UNMIK-ut dhe jo ligjet e Kosovës në gjykatat në pjesën veriore të Kosovës. Qeveria në Prishtinë e hedh poshtë mundësinë e ndarjes së sistemit juridik kushtetues.


Kosova do të ketë një sistem unik juridik e kushtetues, thonë përfaqësues të institucioneve në Prishtinë.

Duke iu referuar fillimit të punës së gjykatave në veri të Kosovës nga ana e EULEX-it dhe paralajmërimeve se misioni i BE-së mund të bëjë përjashtime atje dhe në vend të ligjeve të Kosovës të zbatojë rregulloret e UNMIK-ut, si kompromis i arritur me Beogradin, përfaqësues kosovarë thonë se nëse vërtetohet një gjë e tillë, kjo do të ishte shumë e dëmshme për Kosovën.

Në Qeverinë e Kosovës nuk ka asnjë njoftim se EULEX-i ka ndonjë marrëveshje me Beogradin në lidhje me aplikueshmërinë e ligjeve në veri. Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se njoftimet për një marrëveshje të tillë janë në nivel të thashethemeve dhe se në Kosovë nuk do të ketë dyfishim të zbatueshmërisë së ligjeve.

“Nga kontaktet qe ne kemi me EULEX-in dhe nga deklarimet e tyre thuhet se nuk ka asnjë lloj të pajtimit apo marrëveshjes. Kosova ka një sistem unik juridik dhe kushtetues dhe është shumë me rëndësi që në veri të fillojë të zbatohet ligji dhe ne e mirëpresim angazhimin e EULEX-it në këtë drejtim, sepse me rëndësi është që ligji të fillojë të zbatohet ashtu si duhet në veriun e vendit”, thotë Krasniqi.

Ndryshe nga Qeveria, deputetët e Kuvendit të Kosovës shprehen më skeptikë sa i përket rifillimit të punës së gjykatave në veri dhe ligjeve të aplikueshme atje.

Deputeti Adem Salihaj, nënkryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi në Kuvendin e Kosovës, thotë se kompromiset e Kosovës kanë përfunduar para shpalljes së pavarësisë, me pranimin e pakos së Ahtisaarit, ku, sipas tij, të gjitha kompromiset e dhimbshme për Kosovën kanë të bëjnë pikërisht me lëshimet e bëra për komunitetin serb.

Deputeti Salihaj i bën thirrje EULEX-it që të zbatojë vetëm ligjet e Republikës së Kosovës dhe në asnjë formë të mos i zbatojë rregulloret e UNMIK-ut.

“Zbatimi i rregulloreve të UNMIK-ut dhe injorimi i ligjeve të Kosovës nuk çon aspak në qetësim dhe stabilizim të Kosovës. Përkundrazi, inkurajon serbët që të bëjnë kërkesa të reja dhe gjithnjë ta kontestojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës”, thekson Salihaj.

Ndërkaq, deputeti Bajram Kosumi, po ashtu nga Komisioni për Legjislacion e Gjyqësi, thotë se ka pritur një performancë më të mirë të misionit të Bashkimit Evropian, por ndihet mjaft i zhgënjyer me atë që ka bërë deri më tash.

Kosumi thotë se Kosova e ka një përvojë të hidhur me zbatimin e disa sistemeve ligjore gjatë kohës së administratës së OKB-së, çka ka sjellë deri te dështimi i drejtësisë.

“Ne e kemi provuar për tetë vjet se çka do të thotë funksionimi i tri sistemeve ligjore në Kosovë, do të thotë kanë qenë ligjet e Kosovës, ligjet e aplikueshme dhe rregulloret e UNMIK-ut. Dhe krejt kjo ka përfunduar si një dështim total i drejtësisë në Kosovë. Tash po tentohet të rikthehet përsëri, që ne edhe një herë të ballafaqohemi me këtë dështim të drejtësisë - gjë që për ne është e papranueshme dhe e papajtueshme”, thotë Kosumi.

Ndërkohë, deputeti Adem Salihaj beson se institucionet vendore shumë shpejt do t’i zëvendësojnë edhe rregulloret e mbetura të UNMIK-ut, për t’i shndërruar ato në ligje të Kosovës. Në të kundërtën, zbatimi i rregulloreve të Kombeve të Bashkuara karshi ligjeve të Kosovës, sipas tij, do të krijonte një sistem paralel.

“EULEX-i është këtu për të ndihmuar e jo për të krijuar një pushtet paralel në Kosovë”, thotë Salihaj.

Ndërkohë, zyrtarë të EULEX-it kanë refuzuar të komentojnë këtë çështje. Por, siç tha një zyrtar i këtij misioni në Prishtinë në kushte anonimiteti, EULEX-i po zbaton Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Kosovës dhe jo rregulloret e UNMIK-ut.
XS
SM
MD
LG