Ndërlidhjet

WP: "Jo 'ujdi' me Rusinë"


"Washington Post"


Zyrtarëve rusë me gjasë u pëlqen ajo që po shohin nga administrata Obama. Presidenti Barack Obama ka shkëmbyer komente publike dhe letra personale me presidentin Dmitry Medvedev.

Nënpresidenti Joe Biden tha muajin e kaluar se marrëdhëniet SHBA-Rusi mund të kenë një fillim të ri. Sot, në takimin me homologun Sergei Lavrov, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, pritet të vazhdojë t'i zbusë tensionet.

Por, derisa përmirësimi i lidhjeve me Moskën është i dëshirueshëm, ekipi i Obamas duhet të shmangë të ashtuquajturën "ujdi të madhe", të cilën e kanë rekomanduar disa në Evropë dhe Amerikë.

"Ujdia" është e thjeshtë: Në këmbim për bashkëpunimin e Rusisë për të frenuar kërcënimin bërthamor të Iranit dhe çështjet tjera strategjike, Shtetet e Bashkuara do të duhej të ulin nivelin e marrëdhënieve me fqinjët e Rusisë, t'i pezullojnë planet për mburojën raketore dhe të heshtin për gjendjen e katandisur të të drejtave të njeriut në Rusi.

Por, një shkëmbim i tillë ngre shumë pyetje: Me çfarë çmimi do të sigurohej bashkëpunimi i Rusisë rreth Iranit? Kush duhet t'u thotë Ukrainës dhe Gjeorgjisë se tash i jemi kthyer politikës "Rusia është e para"?
A beson dikush se heshtja për shtypjen që Rusia i bën opozitës së brendshme do ta kthente Moskën aty ku duhet? Dhe, çfarë nëse e gjithë kjo nuk mjafton?

Moska me siguri do ta rritë çmimin e bashkëpunimit të vet, në fakt duke i shantazhuar Shtetet e Bashkuara.

Rusia është përpjekur ta ruajë zonën e influencës përgjatë kufijve të saj, pavarësisht dëshirës së shteteve që të anojnë kah Perëndimi. Moska ndjehet e kërcënuar nga lidhjet e Gjeorgjisë dhe Ukrainës me NATO-n, edhe pse zgjerimi i aleancës drejt Lindjes është parë si burim i stabilitetit.

Rusia, nga ana tjetër, i sheh tubacionet e gazit nëpër Kaukaz dhe Azi Qendrore si kërcënim për monopolin e saj mbi resurset energjetike.

Moska i ka mbështetur lëvizjet secesioniste në Gjeorgji dhe Moldavi, dhe vendos baza ushtarake në Osetinë e Jugut dhe Abkhazi, të cilave ua ka njohur pavarësinë. Prandaj, është mënyra e të menduarit e Moskës ajo që duhet të ndryshojë si parakusht për zhdukjen e fërkimeve ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit.

Fill pas fitores së Obamas, Medvedev u kërcënua të instalojë raketa me rreze të shkurtër veprimi afër Polonisë, nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë me sistemin e mburojës raketore për të përballuar kërcënimin iranian.

Moska nuk mund të pranojë se Polonia dhe Çekia janë shtete të pavarura dhe as që do që të pranojë se ky sistem nuk është kërcënim për aftësinë bërthamore të Rusisë.

Prandaj, çdo "ujdi të madhe" që Shtetet e Bashkuara do ta bënin me Rusinë, nga Moska do të shihej si shenjë e dëshpërimit amerikan.

Shmangia e Amerikës nga politika e mburojës raketore në Evropë do të shihej si shenjë e dobësisë, dhe do t'i minonte lidhjet miqësore me qeveritë në Pragë dhe Varshavë.

Është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë me Rusinë në një varg çështjesh, si Irani, Korea e Veriut, kundër-terrorizmi, kontrolli i armëve dhe Afganistani. Por, të dyja palët duhet të shfaqin interesim për bashkëpunim dhe ne nuk do të duhej të bëjmë ujdi me fqinjët e Rusisë në dëm të vlerave tona.
XS
SM
MD
LG