Ndërlidhjet

“Finalizohen përgatitjet për seancën e KS-së për Kosovën”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOSOVA SOT
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në takimin e ministrave të NATO-s në Bruksel, tha se pikërisht tani Ballkani është në rrezik të bëhet pjesë e së kaluarës së harruar, duke nënvizuar se nuk do të lejohet që atje të mos përfundojë puna, duke pasur parasysh gjithë atë që është bërë në vitet ’90. Ajo në paraqitjen e saj është pajtuar me ndërtimin e marrëdhënieve konstruktive me Rusinë dhe konsensusin e fuqishëm me kombet për zgjerimin në Evropën Lindore, por Lituania aktualisht në takimin e shefave të diplomacisë së NATO-s ka bllokuar marrëveshjen për ripërtrirjen e lidhjeve me Moskën përmes Këshillit NATO-Rusi. Në të ashtuquajturën darkë transatlantike, një tjetër temë që trajtohet është edhe strategjia e veprimeve të NATO-s në të ardhmen në Afganistan dhe në Kosovë. Për sa i përket kësaj të fundit, raportet ndërmjet NATO-s dhe Rusisë kanë qenë të tensionuara për shkak të qëndrimeve diametralisht të kundërta...

KOHA DITORE
Në prag të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Moon, po finalizon mbledhjen e fakteve që do ta ndihmojnë në hartimin e raportit tremujor rreth zhvillimeve në Kosovë. I dërguari i tij, Marcho Bianchni, pas qëndrimit në Prishtinë, të enjten, ka vijuar grumbullimin e të dhënave në Beograd, me takimet që ka zhvilluar në zyrën e kësaj organizate. Burime nga Zyra e OKB-së në Beograd (UNOB) kanë konfirmuar vizitën e udhëheqësit të deskut për Kosovën, por nuk kanë dhënë detaje rreth çështjeve të diskutuara... Mirëpo, burime ndërkombëtare të gazetës kanë theksuar se ngjashëm si në Prishtinë,në thelb të konsultave të Bianchinit kanë qenë çështjet që kanë të bëjnë me rikonfigurimin e UNMIK-ut e zvogëlimin e stafit, zbatimin e gjashtëpikëshit, si dhe rolin e ardhshëm të misionit të OKB-së, meqë këto pika pritet të reflektohen në raportin e Ban Ki Moonit...

LAJM
Drejtori i Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, e ka “thyer udhën” për të shkuar në stacionin policor të Leposaviqit, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Vizita e Ahmetit dhe e udhëheqësit të Policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn, të enjten ka dyshuar, pasi qindra serbë, me të kuptuar për vizitën e tyre, e kanë bllokuar stacionin policor në Leposaviq. Një bllokadë e tillë nga banorët serbë ka ndodhur edhe në Zveçan dhe Zubin Potok. Policia njoftoi se Ahmeti dhe Kuehn kanë pasur të vizitonin vendkalimet kufitare në Portën 1 dhe 31, si dhe stacionet policore në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe atë në veri të Mitrovicës...

EXPRESS
Menaxhimi i dobët, jokuantifikimi i barnave, grupet e interesit, përqindja e drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë në tenderë dhe blerja e barnave pa nevojë i kanë lënë qytetarët e Kosovës për dhjetë vjet pas luftës pa asnjë ilaç. Edhe vetë farmacistët kosovarë pranojnë se ky sektor ka qenë dhe është ndër krimet më të padukshme në shoqërinë kosovare prej pas luftës. Tash dhjetë vjet, përkundër qindra miliona eurove që janë dhënë për blerjen e barnave, pacientët nuk kanë qenë kurrë të furnizuar me to. Në të njëjtën kohë, depot e barnave të Ministrisë së Shëndetësisë, spitalet dhe barnatoret shtetërore kanë qenë dhe janë përplot me to. Një pjesë e madhe e tyre me afat ta skaduar. Kjo punë, sipas të gjithë argumenteve dhe dëshmive, del të ketë qenë e organizuar nga protagonistët e sektorit të shëndetësisë dhe grupeve të interesit...

BOTA SOT
Institucionet e Kosovës po i injorojnë zyrtarët e OKB-së apo kanë hequr dorë nga transparenca politike? Ndërkohë që mediat vazhdojnë të raportojnë për vizita të zyrtarëve të OKB-së, të cilët të paktën sipas dokumenteve të siguruara nga mediat kanë ardhur të diskutojnë edhe mundësitë e realizimit të planit gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit, institucionet thonë se nuk din asgjë... “Kosova është vend i hapur dhe i lirë dhe mund të vijnë njerëz të vendeve të ndryshme, të organizatave të ndryshme, duke përfshirë edhe të OKB-së. Ndërkaq, sa i përket gjashtë pikave, kjo është një çështje e përfunduar, temë e tejkaluar...”, mendon kështu zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi... Deputeti nga radhët e AAK-së, Bajram Kosumi, konsideron se Qeveria duhet të krijonte një strategji konkrete, në mënyrë që të mos lejojë zbatimin jo vetëm të gjashtëpikëshit, por të asnjë plani që bie ndesh me funksionalitetin e shtetit të Kosovës...

EPOKA E RE
Zvogëlimi i numrit të trupave të NATO-s në Kosovë duhet të shkojë sipas ritmit të ndërtimit dhe funksionimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë të enjten kryetari i Komisionit Parlamentar për punë të Jashtme, Sabri Hamiti, pas një takimi që zhvilloi me një delegacion të Parlamentit të Suedisë, të kryesuar nga Rolf Gunnarsson. Duke aluduar në krijimin e një ambienti të sigurt, ku sundon rendi dhe ligji, Hamiti ka theksuar se EULEX-i duhet të jetë funksional në të gjithë vendin, veçanërisht në veriun e Kosovës. Kjo deklaratë e Hamitit për trupat e NATO-s vjen si rrjedhojë e deklaratës së Gunnarsson se Qeveria e Suedisë planifikon ta zvogëlojë praninë e trupave të saj që shërbejnë në Kosovë në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it...

INFOPRESS
Të filluara prej kohësh, reformat në Lidhjen Demokratike të Kosovës ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat... Pavarësisht asaj se në opinion nuk vërehet ndonjë ndryshim në LDK, sekretari tekniko-administrativ i kësaj partie, Sadri Ferati, thotë për “Infopress” se tani për tani reforma është e fokusuar në fazën e mbajtjes së takimeve nëpër të gjitha degët e LDK-së. “Aty po e shpjegojmë procesin dhe njëkohësisht po bëjmë një dëgjim nga vetë degët se çka ata mendojnë komplet për procesin dhe për gjendjen që është nëpër degë”, thotë Ferati. Ai më tutje shpjegon se kanë mbetur edhe dhjetë ditë për përfundimin e këtyre takimeve me degët, ndërkohë që pastaj pritet një analizë e të gjitha këtyre takimeve dhe dërgimi i rekomandimeve te Kryesia e LDK-së...

ZËRI
Përfaqësues të subjekteve opozitare në Kosovë thanë dhe se tash për tash nuk kanë ndonjë indikacion që presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, do të nisë shpejt konsultimet me subjektet politike për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale, të cilat në Kosovë pritet të mbahen sivjet, ndërkohë që nga Zyra e Presidentit thonë se një veprim të tillë presidenti i vendit do ta ndërmarrë në kohën e duhur dhe brenda afateve që përcakton Kushtetuta e vendit. Ndërkohë që kohë më parë është anuluar konkursi për kryeshefin e Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe për drejtor të Zyrës për regjistrimin e partive politike dhe certifikimin e tyre, dhe është shpallur konkursi i ri për këto dy përgjegjësi – një element ky që prej opozitës shihet si tendencë për të neglizhuar procesin zgjedhor në Kosovë, Xhavit Beqiri, zëdhënës i presidentit të Kosovës, tha dje se kreu i vendit do të veprojë sipas kompetencave që i jep Kushtetuta e Kosovës për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale, pas konsultimeve që do t’i bëjë me subjektet politike në vend...
XS
SM
MD
LG