Ndërlidhjet

Krasniqi: Beogradi kontrabandon krimin në Kosovë


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

“Nuk mund të ketë dialog për çështje teknike me Serbinë, derisa ky vend nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe nuk pushon të kontrabandojë krimin në Kosovë”, thotë për radion Evropa e Lirë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.



RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Krasniqi, fillimisht, si e vlerësoni nisjen e punës së misionit të EULEX-it edhe në pjesën veriore, edhe pse në kapacitete të limituara, në përpjekje që të kthejë rendin dhe ligjin atje?

JAKUP KRASNIQI
Unë, si kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si deputet, mund të them se i vlerësoj shumë përpjekjet e EULEX-it për të vendosur rendin dhe ligjshmërinë në atë pjesë të Kosovës, që vërtet gati për dhjetë vjet administrata e UNMIK-ut e ka lënë pa pushtet dhe pa ligjshmëri.

Megjithatë, përpjekjet janë të mira; natyrisht, përpjekjet kanë edhe vështirësitë e veta që nuk janë të pakta.

RADIO EVROPA E LIRË
Është raportuar se atje EULEX-i mund të zbatojë një sistem tjetër juridik kushtetues krahasuar me pjesën poshtë Ibrit. A do të pajtohej Kuvendi i Kosovës me një zgjidhje të tillë?

JAKUP KRASNIQI
Realisht, Kuvendi i Kosovës nuk është njoftuar dhe nuk është marrë me këtë çështje. Sigurisht që Kuvendi i Kosovës nuk do të pajtohej me këtë shumëllojshmëri të sundimit të ligjeve dhe të ligjshmërisë.

Por, megjithatë, ndoshta në këtë fazë të parë do të duhej që edhe EULEX-i, por edhe të gjithë faktorët ndërkombëtarë në Kosovë, edhe institucionet e Kosovës, vërtet të ulen dhe t’i shoshitin të gjitha rrethanat që janë krijuar.

Duhet të gjendet një mundësi që të vendoset ligjshmëria. Ndoshta faza e parë është që të jenë ligjet që kanë qenë të administratës së UNMIK-ut për të kaluar pastaj në fazën tjetër.

Këtë po e them për faktin se vërtet administrata e UNMIK-ut gjatë gjithë kohës së vet nuk e ka shtrirë sundimin e ligjeve dhe sundimin e rregulloreve që ka pasur në pjesë të tjera të Kosovës.

Dhe tash, EULEX-i, por edhe institucionet e Kosovës janë në vështirësi, për shkak se administrata e UNMIK-ut në të kaluarën nuk i ka kryer detyrat dhe obligimet që ka pasur në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Domethënë, konsideroni se është më e rëndësishme që atje të ketë ligje sesa të mos funksionojë fare ligjshmëria?

JAKUP KRASNIQI
Gjithnjë thuhet se është mirë të ketë një ligj, edhe jo të mirë, qoftë edhe i keq, sesa pa ligje. Atje vërtet nuk ka sundim të ligjit dhe për të filluar një sundim të ligjit atje, ndoshta do të mund të bëjë edhe një dallim për një kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni nismat e vazhdueshme të administratës së Kombeve të Bashkuara për realizimin e një dialogu teknik mes Prishtinës e Beogradit dhe a konsideroni se Prishtina në këtë dialog duhet t’i ketë kushtet e veta, pozicionin e vet?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj që administrata ndërkombëtare vërtet duhet t’i ndërpresë veprimet e saj, që vërtet janë të paligjshme dhe janë kundër Kushtetutës së Kosovës.

Në anën tjetër, me Serbinë për çështje teknike nuk mund të bisedohet; jo që nuk është vullneti i palës së Kosovës, pala kosovare e ka vullnetin dhe në të gjitha punët që i ka bërë që sa vite, ka treguar një gatishmëri për të shtrirë dorën, edhe pse atë dorë do të duhej ta shtrinte Beogradi, ne po e bëjmë këtë për ta zhvilluar vendin tonë, por Beogradi nuk është i gatshëm për të biseduar me institucionet e Kosovës dhe ata këtë e kanë përsëritur disa herë.

Prandaj, përderisa Beogradi nuk e njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, përderisa Beogradi nuk e ka gatishmërinë për të ndërprerë kontrabandimin e mallrave, të njerëzve dhe të krimit në Kosovë, institucionet e Kosovës, por ndoshta edhe vetë institucionet ndërkombëtare nuk do të duheshin të bënin kërkesa që të bisedohet me njerëz dhe institucione të Serbisë, që vërtet gjithçka kontrabandojnë në Kosovë – kontrabandojnë krimin, kontrabandojnë korrupsionin, kontrabandojnë banditizmin.

Me një fjalë, Beogradi nuk është i gatshëm të fillojë bisedime me institucionet e Kosovës për të mirë të qytetarëve serbë të Kosovës. Ne jemi të bindur se politika që ndjek Beogradi për qytetarët serbë të Kosovës, i dëmton shumë interesat e qytetarëve serbë të Kosovës.

Andaj, ne mendojmë që këto bisedime janë të pamundshme, jo me fajin e palës sonë – po e them dhe një herë, por me fajin e mosgatishmërisë së politikës së Beogradit për të vendosur raporte të reja me shqiptarët, por edhe me të gjithë të tjerët në rajonin tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A e ka thënë atëherë “jo”-në përfundimtare për këtë dialog dhe për bisedimet për planin që quhet gjashtëpikësh pala kosovare para bashkësisë ndërkombëtare, para Kombeve të Bashkuara?

JAKUP KRASNIQI

Mendoj se pala kosovare e ka thënë fjalën e vet, që ne nuk i njohim gjashtë pikat; ne kemi Kushtetutën tonë, kemi ofertën tonë dhe konsiderojmë se oferta jonë është një ofertë shumë e mirë për të gjitha komunitetet, por në mënyrë të veçantë për komunitetin serb, që i kalon të gjitha standardet e pakicave në cilindo vend të rajonit, por edhe të Evropës.

Prandaj, mendoj se institucionet e Kosovës e kanë thënë fjalën e tyre. Institucionet e Kosovës kanë ndoshta një qasje që duket e butë, por mendoj që është mjaft e nivelit demokratik, që kërkon të zgjidhen problemet me bisedime e jo me imponime.

Në këtë rrafsh, mendoj që institucionet e Kosovës deri më tani e kanë thënë “jo”-në e tyre për ato gjashtë pika dhe ato gjashtë pika nuk zgjidhin problem; ato gjashtë pika veç krijojnë probleme të reja. Problemet e reja nuk i duhen as Kosovës, as komunitetit ndërkombëtar që është në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur shumë përvjetori i pavarësisë dhe njohjet e reja që do të mund ta pasonin atë përvjetor. A shihni pengesa të zhvillimit të Kosovës, të anëtarësimit të saj në mekanizma dhe organizma ndërkombëtarë si pasojë e mosnjohjeve të mjaftueshme?

JAKUP KRASNIQI
Unë do të thosha në këtë rast se ndoshta pengesa më e madhe e njohjes së Kosovës dhe fillimit të anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, është mosuniteti i vendeve të Bashkimit Evropian për të pasur një politikë unike ndaj Kosovës dhe ndaj proceseve në rajonin tonë. Kjo është pengesa kryesore.

Po të hiqej kjo pengesë dhe sikur Bashkimi Evropian dhe vendet që përbëjnë BE-në vërtet të merreshin më seriozisht me këtë çështje, sikur në një mënyrë t’i obligonin vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ta njohin dhe të kenë një politikë unike, mendoj se problemet tjera do të ishte më lehtë të zgjidhen.

Unë konsideroj se problemi është te vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG