Ndërlidhjet

logo-print

Së shpejti vendimi për policët serbë


Policët e suspenduar serbë

Policët e suspenduar serbë

Ministria e Punëve të Brendshme pritet që së shpejti të marrë një vendim të ri lidhur me policët serbë të suspenduar, të cilët tash një vit marrin paga, duke ndenjur në shtëpi. Një grup punues do nisë të hënën vlerësimin e gjendjes aktuale.


Qeveria e Kosovës paralajmëron se së shpejti mund të dalë me vendim të ri që mund të ndryshojë statusin e tashëm të qindra policëve serbë, të cilët për pothuaj një vit marrin pagë edhe pse nuk paraqiten fare në punë.

Pas shpalljes së pavarësisë vitin e kaluar, mbi 300 policë serbë refuzuan t’u bindeshin urdhrave të Drejtorisë së Policisë së Kosovës, duke e konsideruar si legjitim vetëm UNMIK-un.

Meqë shumica e stacioneve policore në qendrat e Kosovës qenë pavarësuar nga misioni i atëhershëm i UNMIK-ut, policët serbë zgjodhën që të bojkotojnë punën.

Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, njofton se një grup punues do të fillojë nga e hëna vlerësimin e gjendjes më të re në terren.

“Prej javës së ardhshme do të fillojë punën një grup punues i MPB-së dhe i menaxhmentit të lartë të policisë, për ta bërë një vlerësim të gjendjes aktuale, dhe varësisht nga rekomandimet që do të na i sjellë ky grup, ne do të marrim një qëndrim të ri për çështjen e policëve serbë në përgjithësi”.

“Pra, do të jetë një grup që do të ketë mandat ta bëjë një vlerësim të brendshëm, të sjellë disa rekomandime, ose të krijojë një pamje të re, në bazë të rrethanave të reja dhe të marrë një qëndrim rreth tyre”,
u shpreh Pajaziti.

Udhëheqësia e Policisë së Kosovës, vitin e kaluar, kishte marrë vendim që të shpallë konkurs dhe t’i largojë nga puna policët e suspenduar serbë. Por, ka qenë një vendim politik nga Qeveria e Kosovës, që ka vendosur t’ua vazhdojë suspendimin me pagesë.

Ngjashëm mendohet se edhe vendimi i ri mund të jetë politik. Sërish Zenun Pajaziti:

“Rekomandimet do të dalin nga gjendja reale në terren, por edhe vendimi ynë që të shtyjë këtë suspendimin me pagesë, ka qenë vendim politik, për shkak të rrethanave të krijuara në terren, sepse kemi dashur të tregojmë një gatishmëri për kthimin e tyre; nëse rrethanat na tregojnë diçka tjetër, mund të ndryshojmë vendimin”, u shpreh Pajaziti.

Sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, janë rreth 300 policë që marrin paga duke ndenjur në shtëpi. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se ka pasur disa raste individuale, kur serbët i janë kthyer punës në polici. Megjithatë, pjesa dërrmuese nuk ka ndjekur këtë hap.

“Ka pasur të kthyer nga rajone të ndryshme. Kemi pasur raste individuale që janë kthyer në rajonin e Prishtinës, por edhe në atë të Gjilanit”, tha Beka.

Ndërkohë, në mesin e politikanëve serbë të Kosovës dallojnë qëndrimet nëse policët serbë duhet ose jo t’i kthehen punës dhe t’i raportojnë zinxhirit komandues të policisë kosovare.

Serbët, të përqendruar në veriun e Kosovës, kryesisht kundërshtojnë idenë e kthimit. Por, politikani serb, Rangjel Nojkiq, është pro kthimit.

“Konsideroj se duhet të kthehen serbët në polici dhe detyrë parësore e Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë që të gjendet zgjidhje, të gjendet kompromis, që ata të kthehen pa ndonjë pengesë, pa pasoja, duke marrë parasysh se është një periudhë shumë e gjatë që kur kanë lëshuar vendet e tyre të punës”, u shpreh Nojkiq.

Në veriun e Mitrovicës ka edhe më tej policë serbë që janë në detyrë. Por, atje problem mbetet zinxhiri komandues, meqë serbët nuk duan t’i raportojnë komandës kryesore të policisë. Ky problem konfirmohet edhe nga ministri Pajaziti.

Zenun Pajaziti
“Ata thonë se aktualisht po i raportojnë misionit të EULEX-it. Ka pasur disa takime të përbashkëta me policinë tonë, që kanë pasur qëllim bashkëpunimin ose funksionimin në terren të policisë, megjithatë kjo çështje duhet të sqarohet tash. Se kujt po i raportojnë, se si po funksionon, se çka duhet të bëhet, ne do t’i marrim rekomandimet nga java tjetër nga një grup punues”,
theksoi Pajaziti.

Ministri Pajaziti konsideron se kjo çështje është politizuar së tepërmi, ndërsa për policët e suspenduar mendon se janë politikisht të manipuluar.

“Ka qenë një proces shumë i politizuar. Policët serbë kanë refuzuar punën si pasojë e manipulimit të tyre që është bërë nga qarqe të ndryshme politike. Vazhdon të jetë gjendje përafërsisht e njëjtë, edhe pse kemi pasur progres kohëve te fundit, pasi ka pasur një numër të caktuar që janë kthyer dhe po ashtu kemi pasur disa angazhime në veri të vendit, siç është patrullimi i përzier etj., që shënohen si progres”.

“Po ashtu e kemi një situatë më të relaksuar. Kjo do të na ndihmojë të shikojmë se çfarë duhet të bëjmë më tutje. Po ashtu, nga koha kur ata kanë filluar abstenimin, ka qenë një mision tjetër - ai i UNMIK-ut; tash e kemi një mision mbështetës ndërkombëtar, që është EULEX, pra jemi në rrethana të reja”, u shpreh Pajaziti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG