Ndërlidhjet

Raportet e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Institutit ekonomik të Vjenës vënë në pikëpyetje projektimin ambicioz të Qeverisë për rritje ekonomike prej 5.5 për qind. Përderisa Qeveria nuk ka koment rreth raporteve të këtyre institucioneve, ekspertët thonë se raportet duhet të kuptohen seriozisht, pasi realizimi i planeve në kushte te recesionit botëror është i pamundshëm.


Raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Institutit të Vjenës për ekonomi nuk pajtohen me projektet ambicioze të Qeverisë për rritje ekonomike, madje ata parashikojnë që në të ardhmen mund të ketë edhe recesion.

Në raportin e fundit të Institutit të Vjenës parashikohet se vendet ballkanike, midis të cilave edhe Maqedonia, do të ballafaqohen me ngecje në zhvillimin ekonomik deri në vitin 2011.

Eksperti i Institutit, Vlladimir Gligorov, konstaton se duke pasur parasysh këto parashikime, plani i Qeverisë për të arritur rritje ekonomike prej 5.5 për qind gjatë këtij viti, është ambicioz.

Ju mund të keni plane, por shtrohet pyetja se si do t’i financoni ato plane. Qeveria e Maqedonisë ka filluar me disa projekte ambicioze fiskale. Nëse llogariten paratë e Bashkimit Evropian, që ka Fond për mbështetje makroekonomike, duhet të dihet se edhe për tërheqjen e atyre parave, kusht është që të ketë aranzhman nga Fondi Monetar Ndërkombëtar”, tha Gligorov.

Ndërsa, profesori i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Hamit Aliu, thotë se parashikimet e Institutit të Vjenës janë objektive, pasi asnjë parametër nuk është në favor të realizimit të projektimit të Qeverisë për rritje ekonomike.

“Një është fushata zgjedhore, tjetër është sikur kësmeti të na pyeste neve, e tjetër është realiteti ekonomik. Nga ky këndvështrim, asnjë parametër dhe asnjë bazë shkencore teorike dhe praktike nuk e verifikon projektimin qeveritar. Parashikimi i Qeverisë së Maqedonisë, sidomos në kohën e recesionit ekonomik, nuk e di se si mund të realizohet”, tha Aliu.

Ndryshe, raporti i fundit i Institutit të Vjenës i ka lënë pa koment shumë institucione të vendit. Ministria e Financave të Maqedonisë nuk ka koment, ndërsa gjatë disa ditëve të ardhshme organizatat sindikale do t’i analizojnë efektet e parashikimeve ndërkombëtare ndaj punëtorëve.
XS
SM
MD
LG