Ndërlidhjet

UNMIK i tejkaluar, EULEX e ardhmja(?)


E ardhmja e Kosovës dhe e gjithë Ballkanit Perëndimor është në BE, tha drejtori i përgjithshëm për BE-në në Ministrinë e Jashtme çeke, Libor Secka. Kosova zotohet për bashkëpunim të ngushtë me BE-në dhe misionet e saj në Kosovë, duke e quajtur të panevojshëm rolin e UNMIK-ut në vend.


Prishtina zyrtare e quan të tejkaluar rolin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe beson se sundimi i ligjit në Republikë do të bazohet në mbështetjen e misioneve të Bashkimit Evropian që veprojnë në Kosovë.

I pyetur për veprimin e misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit - EULEX në gjykatat në veri të Kosovës, në të cilat nuk është përjashtuar mundësia e përdorimit të rregulloreve të UNMIK-ut, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, shprehu bindjen se EULEX-i po vepron brenda kornizave të mandatit të tij.

Këto komente Thaçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me Drejtorin e Përgjithshëm për BE në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Çekisë, Libor Secka.

“Roli i UNMIK-ut është i tejkaluar; realiteti ka tejkaluar edhe Rezolutën 1244, sepse Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik. EULEX-i e ka mandatin e plotë për t’u shtrirë dhe funksionuar në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës i jep mbështetje të plotë EULEX-it. Jemi duke punuar bashkërisht me EULEX-in dhe ICO-në. Kështu që do të kemi vetëm hapa të mëtutjeshëm dhe suksese të reja për vënien e ligjshmërisë në Kosovë”, tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar tha se Kosova, që nga shpallja e pavarësisë, ka shënuar suksese në shumë aspekte dhe se mund të cilësohet si shtet i sigurt për shkak të, ndër të tjera, mbështetjes së autoriteteve ndërkombëtare që veprojnë në vend.

Ai i cilësoi një lajm të mirë për Kosovën paralajmërimet e shteteve aleate të NATO-s për reduktimin e trupave të tyre në KFOR.

“Është në autoritetin dhe vendimin e secilit shtet veç e veç për reduktimin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it, por mendoj se ky sinjal është pozitiv për Kosovën, sepse Kosova ka shënuar progres, ka shënuar suksese, ka paqe, ka stabilitet, ka rend, ka autoritetet vendore, natyrisht dhe këshillat ndërkombëtare”, tha Thaçi, duke theksuar se Kosova po ndërton institucionet e veta të sigurisë në përputhje, në bashkëpunim me strukturat e NATO-s.

Drejtori i Përgjithshëm për BE-në në Ministrinë e Jashtme çeke, Libor Secka, ndërkohë, konsideroi se integrimi i vendeve të rajonit në mekanizmat evropianë është tanimë prioritet i Ministrisë së Jashtme të Çekisë, si kryesuese e radhës së Presidencës së Bashkimit Evropian.

“Një ndër prioritetet e marrëdhënieve tona të jashtme është identifikuar Ballkani Perëndimor. Kështu që ne do të përpiqemi të kemi një vëmendje të shtuar për të gjitha vendet e këtij rajoni. Ne jemi duke bashkëpunuar me shtetet veç e veç për të gjetur mundësinë se si mund t’i afrojmë këto vende drejt Bashkimit Evropian”, tha Secka, duke theksuar se me përmbushjen e kritereve teknike, Kosovës do t’i lehtësohet rruga drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Mirëpo, akoma jo të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë njohur Kosovën e pavarur. Kështu, Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro duket se po vazhdojnë të kenë një qëndrim refuzues karshi njohjes së Kosovës si shtet.

Kjo gjë, sipas ministrit të Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, nuk paraqet medoemos një pengesë për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, ngase, sipas tij, i gjithë Ballkani Perëndimor do ta ketë vendin në BE.

“Kjo nuk e pengon Kosovën që të bëjë punë në të gjitha rrafshet; që të jetë e gatshme për një proces të stabilizim-asociimit të plotfuqishëm dhe të mirëfilltë. Është po ashtu mendim i Kosovës se i gjithë Ballkani Perëndimor duhet të integrohet në të njëjtën kohë, pak a shumë, sepse Kosova është pjesë dhe vend shumë i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor”,
u shpreh shefi i diplomacisë kosovare.

Deri më tani, Kosovën e kanë njohur gjithsej 22 vende të Bashkimit Evropian, ndërkohë dërgimin e misionit të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit, EULEX, në Republikë e kanë mbështetur të gjitha vendet anëtare të këtij mekanizmi.
XS
SM
MD
LG