Ndërlidhjet

Zyra për Qeverisje të Mirë ka lansuar strategjinë për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në periudhën 2009-2015. Kjo strategji parasheh promovimin dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramë Manaj, tha se me këtë strategji do të avancohen edhe më shumë të drejtat e komuniteteve.

“Qeveria e Kosovës me këtë dokument shpreh qartë vizionin e ndërtimit të Kosovës shtet demokratik, stabil dhe i sigurt, kur të gjithë qytetarët, pa asnjë dallim, gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë, duke garantuar dinjitetin njerëzor sipas standardeve ndërkombëtare evropiane”, tha Manaj.

Zoti Manaj ka pohuar se për zbatimin në praktikë të kësaj strategjie, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një fond të veçantë me mjete.

“Qeveria ka mjete të planifikuara për të mbështetur realizimin e kësaj strategjie dhe në përgjithësi për të mbështetur përmirësimin, kultivimin dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, e respektivisht atij rom, ashkali dhe egjiptas”, u shpreh Manaj.

Edhe anëtari i Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve, Zylfi Merxha, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, strategjinë e lansuar nga Qeveria e vlerëson si të rëndësishme për komunitetin e tij.

Por, ai thotë se tash mbetet të shihet se si do të implementohet në praktikë ajo strategji.
Zoti Merxha pohon se të gjitha komunitetet në Kosovë respektohen maksimalisht dhe gëzojnë të drejtat e tyre.

“Deri më tani, ta dini se pakicat e Kosovës kanë të drejtat më të mira, jo vetëm në Evropë e Ballkan, por edhe në Amerikë. Çka kemi ne këtu në Kosovë, nuk ka askush tjetër”, tha Merxha.

Nga ana tjetër, Oliver Schmit Kurchalt, shef i sektorit për komunitete në OSBE, lansimin e strategjisë për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, e sheh si një veprim të duhur nga ana e institucioneve të Kosovës.

Ai thotë se institucionet kosovare duhet të punojnë ngushtë me këto komunitete, në mënyrë që strategjia të ketë sukses.

“Për implementimin e marrëveshjes, mendoj se institucionet e Kosovës duhet të punojnë shumë ngushtë me të tria komunitetet për ta implementuar strategjinë, por nëse është e nevojshme edhe me ekspertë ndërkombëtarë. Mendoj që implementimi do të ketë sukses”, theksoi Oliver Shmit Kurchalt.

Shumë analistë konsiderojnë se legjislacioni në Kosovë u ofron të drejta të avancuara komuniteteve pakicë, sidomos atij serb. Megjithatë, institucionet hasin ende në vështirësi në integrimin e tyre.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG